Ekonomi

ANALIZE / Sulm “me gaz”? Përse energjia nuk do të përdoret dot si armë

Keith Johnsongazi si arme 2

Tregjet europianë janë të shqetësuar nga impakti që pushtimi rus i gadishullit të Krimesë, dhe rreziku që ai shfaq ndaj pjesës tjetër të Ukrainës, mund të ketë mbi furnizimin me gaz natyror. Por e kaluara nuk është gjithmonë një prolog – dhe ndërkohë që Rusia e ka përdorur gazin natyror si topuz disa herë, që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, aftësia e saj për të trembur Europën duke u ndërprerë eksportet e saj energjetikë nuk është aq e madhe sa ka qenë. Në fakt, Rusia dhe gjigandi rus i gazit, Gazprom, varen nga Europa po aq sa Europa varet prej tyre.

Cmimet e gazit natyror në Europë pësuan një rritje të fortë të hënën, teksa situata diplomatike dhe ushtarake në Ukrainë u acarua. Zyrtarë të kompanisë ukrainase të gazit thanë të hënën se nuk ka patur ndërprerje fizike të energjisë, që kur nisi inkursioni i ushtrisë ruse në Krime, por cmimet e gazit u rritën me 10 përqind në Mbretërinë e Badhkuar dhe në Holandë, dhe më shumë se 8 përqind në Gjermani. Tregtarët u fokusuan tek disa fakte të thjeshtë: Eksporti i gazit rus drejt Europës arriti maja të paprecedenta në 2013-ën, dhe pothuajse gjysma e këtij gazi u transportua përmes gazsjellësve që kalojnë nëpër Ukrainë.

Shqetësimet për fatin e furnizimit me gaz janë të kuptueshëm. Në 20 vitet e fundit, Rusia ka treguar se sa e prirur është që të përdor eksportin e energjisë si armë, duke e ndërprerë më shumë se 40 herë furnizimin me gaz. Fqinjët e Rusisë, si Bjellorusia, Lituania, Moldavia dhe Azerbajxhani janë përballur të gjithë me kërcënime të Rusisë për ndërprerje të energjisë, në momentet kur kanë flirtuar me politika proeuropiane gjatë viteve të fundit. Kryeministri i Lituanisë akuzoi Rusinë se po zhvillonte “luftë ekonomike” në shtator të vitit që kaloi, pasi Moska kërcënoi me ndërprerje të furnizimit me gaz dhe ndërhyri në tregtinë ndërkufitare, me sa duket për të ndëshkuar shtetin balltik, pasi ky po kërkonte marrëdhënie më të ngushta me shtete të tjerë europianë.

Edhe vetë Ukraina ka vuajtur disa ndërprerje të dhimbshme të furnizimit me gaz në 2006 dhe 2009, për shkak të mosmarrëveshjeve kontraktuale me Rusinë, dhe në të dy rastet pati ndikim tek konsumatorët europianë. Ukraina e ka rritur dramatikisht sasinë e gazit që blen nga Rusia ditët e fundit, por kjo duket e motivuar më shumë nga frika se mos Moska e con deri në fund kërcënimin për të rritur cmimin e gazit për Ukrainën në tremujorin e dytë të këtij viti, se sa nga dëshira për të mbushur depozitat e saj me gaz. Moska i uli cmimet e gazit për Ukrainën në dhjetor të këtij viti, si pjesë e përpjekjes për të larguart presidentin e atëhershëm ukrainas, Viktor Janukovic, nga bisedimet me Europën.

Gjithësesi, Rusia do të kishte shumë më tepër për të humbur, se sa për të fituar. në rast të një lufte energjetike me Europën. Po aq sa politikëbërësit europianë i tremben varësisë nga gazi rus, edhe Gazpromi i trembet varësisë nga tregu europian, që zë plot tre të katërtat e eksporteve të tij. Në një panoramë më të gjerë, për Moskën, të ardhurat nga eksporti i gazit dhe naftës zënë gjysmën e buxhetit federal. Kjo gjë e bën ndërprerjen e gjatë të furnizimit me gaz për Ukrainën dhe Europën, një propozim të rrezikshëm për presidentin rus, Vladimir Putin.

“Ka gjithmonë kosto për Rusinë nëse luan kartën e energjisë, por mendoj se tani këto kosto janë më të larta, se sa ishin disa vite më parë”, tha për Foreign Policy, Jeffrey Mankoff, i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Arsyeja tjetër përse Rusia mund të mendohet dy herë përpara se të përdorë energjinë si armë këtë herë, është se Europa e ka përmirësuar mbrojtjen e vet, dhe nuk është aq e dobët para një shantazhi të rusëve, sa ishte disa vite, apo edhe disa muaj më parë.

Së pari, po afron pranvera. Në vitin 2006 dhe në vitin 2009, Rusia ndërpreu furnizimin me gaz për Ukrainën, e si pasojë edhe për pjesën tjetër të Europës, në janar, muajin më të ftohtë të dimrit. Kriza aktuale po ndodh në pranverë, kohë kur furnizimi me gaz natyror bie dramatikisht për shkak të uljes së konsumit për ngrohje të banesave. Ekspertët që merren me parashikime parashikojnë temperatura të larta, të pazakonta, që do të vazhdojnë në Europë të paktën deri në verë.

Së dyti, pranvera e ngrohtë po vjen pas një dimri të butë në Europë, ndonëse nuk ka ndodhur kështu në Amerikën e Veriut. Depozitat e gazit natyror në kontinent janë në nivelet më të lartë, ato mund të furnizojnë shtete si Gjermania, Austria, Hungaria dhe Polonia për dy deri në tre muaj, bëri të ditur të hënën agjencia Reuters. E ndërkohë që nuk ofron garanci për ndonjë ndërprerje afatgjatë të furnizimit me gaz nga Rusia, ky fakt, gjithësesi u jep shteteve europianë mundësinë që të qëndrojnë përballë kërcënimeve për ndërprerje afatshkurtër.

Në të njëjtën kohë, Europa ka më shumë burime alternativë furnizimi, se sa kishte në 2006 dhe 2009, ndonëse nuk janë më pak të kushtueshëm. Tregtia globale e gazit natyror të lëngët ka pësuar rritje në vitet e fundit, për shkak të furnizimit më të madh nga Katari dhe Australia. Bumi energjetik në SHBA, që e ka shndërruar Amerikën nga një importues të mundshëm në një vend që shpreson të bëhet eksportues gazi, ka rritur gjithashtu vëllimin e gazit natyror të lëngët që vjen në Europë. Disa kongresmenë në SHBA kanë shkuar më tej madje, duke i kërkuar presidentit Obama që tëshfrytëzojë sasinë e madhe të gazit që nxjerr Amerika, për të fuqizuar aleatët e vet në Europë.

Republikani Michael Turner, përsëriti të hënën thirrjet e tij që Kongresi të miratojë ligje që do të përshpejtonin miratimet e qeverisë amerikane për ekportet e gazit drejt vendeve që janë anëtarë të NATO-s. “Sic e kemi parë edhe më herët, veprimet e Rusisë në Ukrainë demonstrojnë gatishmërinë e saj për të përdorur forcën ushtarake dhe dominimin energjetik, si armë politike për të zgjeruar sferën e saj të influencës”, tha Turner për FP. “Rritja e eksporteve të gazit natyror do u sigurojë aleatëve tanë një burim alternativ dhe të qëndrueshëm për furnizimin me gaz natyror”.

Duke parë sasinë e gazit të depozituar dhe motin e ngrohtë që pritet, ekspertë që merren me cështje të energjisë thonë se në fakt, në pozicion të dobët është Gazpromi. “Ndryshe nga Ukraina dhe importuesit europianë, gjigandi shtetëror rus nuk mund të humbasë një të tretën e të ardhurave mujore nga eksportet, brenda vetëm një muaji”, thotë Mikhail Korchemkin, kreu i kompanisë së konsulencës East European Gas Analysis. Ndërkohë që tregjet janë të mbërthyer nga nervozizmi për cmimin e gazit, ata gjithashtu goditën aksionet e Gazpromit të hënën, duke ua ulur me 13 përqind vlerën, në Moskë dhe në Londër.

Si për ironi, përpjekjet e Rusisë për të luajtur të fortin me Europën apo Ukrainën, do ia rrisin asaj vetë vështirësinë për të gjetur klientë të rinj, që që do të ulte rëndësinë e tregut europian. Për më shumë se një dekadë, Moska dhe Pekini janë përpjekur që të arrijnë atë që në fakt tingëllon si një marrëveshje e natyrshme: Rusia, e pasur me energji mund të eksportojë më shumë naftë dhe gaz në drejtim të Kinës, e cila është “e etur” për energji.

Megjithatë, të dy palët ende nuk kanë rënë dakord për cmimin e gazit rus. Marrëveshja, që pritej të arrihej në fillim të vitit, u shty për në shkurt, dhe tani u shty për një tjetër takim dypalësh që do të zhvillohet në maj. Sa më shumë kalon koha, sidomos nëse do të ketë probleme në tregun kryesor të Gazpromit, aq më pozicion të favorshëm negociues do të ketë Pekini.

“FP”

Leave a Reply

Back to top button