Analiza

FUNDI I PUSHTETIT / Rendi i ri botëror sipas Moises Naimit

“The End of power” – Moises Naimpower 1

Pushteti ka marrë fund, shkruan në librin e tij më të fundit Moises Naim (“Fundi i pushtetit”). Ish drejtori i Foreign Policy shpjegon në librin e tij se si, dhe përse, pushteti që në të kaluarën mbahej nga politikanë dhe qeveri, nga organizata shumëkombëshe, shtete dhe qendra ekonomike, nuk është më i tillë. Sot nuk dihet mirë se kush komandon vërtetë.

Pushteti, të paktën ai i ndalimit apo i kontrastit, duket se po shkon gjithnjë e më shumë tek grupet e vegjël, qofshin këta terroristë, ndërkombëtarë apo qendra presioni. Pasi ka perënduar epoka e mazhorancave, shpjegon Naim, është radha e minorancave, e aksioneve të grupeve të vegjël, që vihen në lëvizje falë internetit dhe shënjestrojnë objektiva të ndërmjetëm, në shkallë lokale, e megjithatë në gjendje të influencojnë në nivel global, falë teoremës së Eduard Lorenzit, sipas të cilit rrahja e krahëve të një fluture në Australi është në gjendje të shkaktojë një tornado në Europë.

Havier Solana, ministër i Jashtëm i Spanjës, më pas Sekretar i NATO-s, përfaqësues i lartë i politikës së jashtme të BE, i ka rrëfyer autorit se në 25 vitet e fundit, drejtuesit e institucioneve në të cilët kishte punuar “e kishin shumë të vështirë të bënin atë që donin”: një sërë forcash të reja pengonin fuqitë më të pasura dhe më të përparuara teknologjikisht.

Rebelë, krahë të partive politike, kompani të reja inovative, hacker-a, të rinj pa udhëheqës në sheshe, mediat e reja, personazhe karizmatikë, që duket se shfaqen nga asgjëja, janë duke shkundur rendin e vjetër. Shembuj të përsosur janë rasti i Beppe Grillos dhe lëvizjes së tij 5 Yje në Itali, apo rasti i i Uikileaksit dhe i Eduard Snoudenit në SHBA. Dhe në fakt shembujt janë të shumtë. Naim flet për mikrofuqi: figura të vogla, të panjohura, dikur të papërfillshme, që kanë gjetur mënyrën të dobësojnë, kundërshtojnë, bllokojnë protagonistët e mëdhenj dhe tradicionalë të pushtetit global, organizatat e mëdha burokratike që kanë drejtuar botën në 100 vitet e fundit. Argumentimet e autorit të “Fundi i pushtetit” janë të bazuar mbi tre ndryshime të mëdhenj që kanë ndodhur, dhe mbi të cilët libri ndalet gjatë: Revolucioni i “Më shumë”. Revolucioni i “Lëvizjes”. Dhe Revolucioni i “Mentalitetit”.

Faktori i parë është ai i rritjes ekonomike të përgjithësuar: jetojmë në një epokë bollëku në krahasim me të kaluarën. I dyti ka të bëjë me lëvizjen e popullsisë në glob: 214 milionë migrantë, me një rritje prej 37% gjatë njëzetë viteve të fundit, pasojë e urbanizimit në rritje. I treti ka të bëjë me “revolucionin e pritshmërive”: tashmë asgjë nuk merret e mirëqenë.

Libri i politologut amerikan është shumë interesant për shkak të shembujve të shumtë që përmend, frut edhe i përvojës së tij të drejtpërdrejtë, në kontakt me qendrat e pushtetit politik në shumë skakiera ndërkombëtare. Megjithatë, nëse diagnoza është e duhura – makrofuqitë janë në krizë, dhe këtu askush nuk duket më në gjendje të vendosë për asgjë, edhe kur është në krye të një qeverie të fortë – Naim nuk na thotë se ku ka filluar. Sipas historianëve, data që duhet mbajtur mend është ajo e 16 tetorit 1973, kur trupat izraelite u afruan në brigjet perëndimorë të Kanalit të Suezit dhe në 23 dhjetor, OPEC, i dominuar nga vendet arabë, vendosi të dyfishojë cmimin e naftës. Sipas disa ekonomistëve, ky konflikt përshpejtoi kalimin nga ekonomia keinesiane, tek shteti social, statlist, sipas modelit të neoliberizmit. Në të njëjtën periudhë, prodhimi industrial filloi migrimin drejt sektorëve jomaterialë, dhe teknologjia analoge u transformua pak nga pak në atë dixhitale, duke prodhuar modelin e rrjeteve fleksibël dhe dinamikë.

Që transformimi teknologjik është faktori i vërtetë i transformimit, të shkatërrimit të punës dhe të ardhurave që lidhen me të, këtë e thonë shumë libra dhe studime të botuar në SHBA gjatë dy viteve të fundit: shpërndarja e pushtetit ndjek linjat e prodhuara nga ndryshimi i modelit të punës si dhe shkatërrimin e formave tradicionale. Por ky është një diskutim i mëtejshëm, që në librin e Naim gjen jo shumë hapësirë. Përgjigja e pyetjes se ku ka nisur e gjithë kjo, është e fshehur në një artikull të vjetër të Italo Calvinos, i botuar në gusht 1974 tek Corriere della Sera, me titull: “Pushteti i ndërkëmbyeshëm”.

 

 

 

 

Cështja që diskuton shkrimtari italian është rënia e Niksonit, pas skandalit Uotërgejt. Ndonjëherë, shkrimtarët janë në gjendje të perceptojnë shenja të vogla të ndryshimit, ndoshta për shkak të fuqisë së tyre të imagjinatës. Calvino ishte i tronditur prej cështjes së mikrofonëve të futur në selinë e komitetit elektoral të Partisë Demokratike, nga spiunë që paguheshin prej presidentit amerikan, si dhe nga shiritat e rregjistruesve të përdorur. I dukej si një cështje pajisjesh teknike që, ose funksionojnë shumë, ose funksionojnë keq.

Në bazë të kësaj të dhëne teknologjike, Calvino vëren se modeli mbi të cilin mbahet pushteti në Amerikë ka karakter mekanik dhe jo biologjik. “Qeverisësi duhet të garantojë funksionimin e impiantit të madh, rrjedhjen e heshtur pa telashe që të tërheqin vëmendjen tek defektet, apo tek intrigat e improvizuara që duhet të mbeten të fshehta”. Zgjedhja e Niksonit, më pas rënia e tij, dhe pastaj kalimi i pushtetit tek zëvendës presidenti, demonstroi se si në Amerikë dominon një papërcaktueshmëri në pushtetin e radhës. “Shoqëria amerikane i kërkon presidentit që të mishërojë zëvendësueshmërinë e shpejtë të pjesëve të këmbimit, që të garantojë funksionimin e përhershëm të mekanizmit global, humbjen dhe më pas rinovimin e shpejtë të tij”.

Megjithatë, sapo formulon këtë hipotezë, Calvino kish një farë pendimi: ndoshta nuk u duhet besuar pamjeve shumë thjeshtësuese. Dhe arrin menjëherë në një konkluzion për t’u theksuar: “Shoqëria moderne është e prirur drejt një konfigurimi shumë të ndërlikuar, që rëndon mbi një qendër pushteti boshe, dhe pikërisht në këtë boshllëk vijnë e ngatërrohen e trashen pushteti dhe vlerat”. Nikson, presidenti që donte të personifikonte qytetarin mesatar, është si gjithmonë një personazh, sic kanë qenë Clinton dhe tani Obama. Boshllëku, shkruante Calvino, bashkëjeton me këtë personifikim. Calvino e lexonte rënien e Niksonit si emblemë e këtij boshllëku, që është bërë pushteti bashkëkohor. Madje e identifikon me një model, që është ai i vetë Italisë. Fjalë të shkruajtura tridhjetenëntë vjet më parë, por që duket se vlejnë dhe sot.

Qendra e boshllëkut është ajo që Moises Naim e përshkruan në librin e tij, edhe pse nuk përdor këtë metaforë. Sigurisht që “froni është bosh” prej pak kohësh. Megjithatë, kemi pritur shumë për të nxjerrë konkluzioni dhe për të bërë parashikime. Jo se pushteti është zhdukur por, qendra boshe është ende aty, në pritje të mbushet. “Fundi i pushtetit” na mëson se nuk do të jetë më dikush, apo dicka, në gjendje që ta mbushë gjatë dekadave të ardhshme. I madh do të jetë kaosi poshtë qiellit? Vështirë ta themi.

Corriere della sera

 

Leave a Reply

Back to top button