Analiza

Strategjia e dyfishtë e prestigjatorit të Kremlinit

234813-vladimir-putinBernardo Valli*

Gjithcka që Moska ka vënë në skenë këto ditë të ngjan me një teatër. Gjuha e paparashikueshme ruse, që luhatet mes kanosjes dhe relaksimit, bën thirrje për maturi. Nga njëra anë, qeveria në Kiev denoncon futjen në Krime të trupave ruse, dy mijë vetë me helikopterë, faktikisht një pushtim, thonë përfaqësuesit ukrainas në këtë provincë me shumicë ruse.

Nga ana tjtër, regjia e Vladimir Putinit në orët e fundit shfaqet si një kthesë e ngadaltë, graduale e krizës. Në të vërtetë, i zënë në befasi prej revolucionit nacionalist apo anirus në Kiev, Putini po sillet si një prestigjator.

Përdor dinakërinë. Kalon nga karrota, tek shkopi. Në Krime, vë në veprim njerëzit e tij në bazën e Sevastopolit, duke abuzuar me të drejtat e ushtarakëve rusë në atë provincë, dhe duke përdorur taktikën e praktikuar tashmë në Gjeorgji në vitin 2008. Ndërkohë, në planin ndërkombëtar, u garanton interlokutorëve perëndimorë integritetin e Ukrainës. Për të Krimea, një provincë ruse që iu bashkua Ukrainës vetëm në vitin 1954 prej pushtetit sovjetik, mbetet ndoshta një tokë për t’u rifituar. Ose të paktën ku duhet të demonstrohet fuqia ushtarake. Kjo gjë i jep popullaritet në atdhe, por edhe mes afro dhjetë milionë rusëve që kanë pasaportë ukrainase (ose dy pasaporta), që jetojnë kryesisht në provincat lindore. Një popullsi që i dëgjon thirrjet e të afërmve në vendin e origjinës. Putini shfaqet si mbrojtësi, si ai që mund të frenojë mospërmbajtjen e nacionalistëve, shpesh herë ekstremistëve në Kiev, aty ku barrikadat në sheshin Majdan janë ende në këmbë.

Loja e dyfishtë e Putinit ushqen një tjetër dramë, e cila zhvillohet në dy skena dhe ka të tjerë objektivë. Skena e parë është në Moskë, dhe protagonisti lakonik është ai vetë, Vladimir Putini. Sipari i dytë hapet në Roston mbi Don, dhe aktori është Viktor Janukovic, i arratisur nga Kievi ku Parlamenti e shkarkoi dhe i denoncuar për vrasje në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, por që në Rusi e thërrasin ende “presidenti”, sikur ai të përfaqësonte autoritetin e vetëm ukrainas.

Në Moskë, gjatë natës, presidenti shpërndan një deklaratë në të cilën e fton qeverinë që “të vazhdojë kontaktet me partnerët në Kiev për të biseduar për problemet ekonomikë më urgjentë”. Nga ato pak fjalë të shkruara, që janë diktuar prej vetë Putinit, shfaqet një njeri me zemër në dorë, i shqetësuar për problemet humanitarë që po përjeton motra rebele Ukrainë. Do të ishte e pavend të flitej për njëqindepesëdhjetë mijë ushtarët në gjendje gatishmëria, me avionë dhe tanke, përgjatë kufirit perëndimor. Do të ishte po aq e pavend të hidheshin hapur mbi tryezë nyjet e shumta politike. Përshembull, legjitimiteti i mohuar i qeverisë së re në Kiev dhe Parlamentit që e ka zgjedhur, pasi i kish shërbyer për vite të tërë Janukovicit, presidentit që më pas e rrëzoi.

Do të ishte cinizëm i pastër, dhe Vladimir Putini këtë e shmang, dhe e zhvendos krizën në terrenin ekonomik, që është njëkohësisht edhe ai humanitar. Urdhëron qeverinë e tij që të vazhdojë kontaktet (pra, të nisur tashmë) me partnerët në Kiev, që janë quajtur banditë, fashistë apo edhe nazistë nga propaganda ruse. Putini i paraqet ata si interlokutorë të vlefshëm. Të tillë janë tashmë dhe të tillë do të mbeten. Dhe për identitetin e tyre nuk ka dyshime: nuk mund të jenë përvecse përfaqësuesit politikë, ata që duhet të menaxhojnë cështjet ekonomike. Pra, njerëz jo shumë larg qeverisë së paligjshme që sapo është zgjedhur nga parlamenti, edhe ai i konsideruar i paligjshëm nga Moska. Ndoshta bëhet fjalë për vetë pjesëtarët e qeverisë.

As edhe një fjalë nga Putini për Viktor Janukovicin, presidentin e rrëzuar në Kiev por që konsiderohet ende president nga Moska. Në fund të fundit, kështu e quan prezantuesja që lajmëron konferencën e tij për shtyp, në një kanal të televizionit publik. Kjo është skena e dytë, pak orë pas shpërndarjes së deklaratës së Putinit. Janukovici ndodhet në Rostov mbi Don, aty ku përfundoi pas një arratie rokamboleske, nga Kievi përmes Krimesë, i ndihmuar me shumë gjasë prej shërbimeve të fshehtë rusë. Jo nga të tijtë, që duhej t’i kish nën zotërim, si kreu i shtetit që ishte. Nuk u besonte atyre. U largua përvjedhurazi gjatë natës, nga rezidenca e tij private në periferi të kryeqytetit ukrainas, pa menduar as edhe për ushtrinë, e cila e kishte komandant të përgjithshëm. Pritja e ftohtë, por protokollare që gjeti në Rusi ishte edhe një herë shprehje e konsideratës së ulët që kanë atje për udhëheqësin që u largua “me këmbët e lidhura”, pa bërë as rezistencën më të vogël, dhe që kërkoi strehim tek fuqia e madhe mbrojtëse, si një mërgimtar dosido.

 

 

 

 

 

Përcmimin e tij, Putini e demonstroi duke mos e përmendur fare në deklaratën e parë, pas fitores së revolucionit nacionalist në Kiev. Në dokumentin e shkurtër, ai i bën thirrje qeverisë që “të vazhdojë kontaktet me partnerët në Kiev”. Janukovici është tashmë vetëm për dukje. Paraqitet si presidenti legjitim, në pritje për vendosjen e marrëdhënieve me pushtetin e ri në Kiev, por as nuk meriton që të pritet në Kremlin.  Putini as e ka ftuar, as nuk i ka telefonuar. Dhe ai, Janukovici, ankohet në televizion. Thotë se ka mbetur “i habitur nga heshtja e Putinit”. Eshtë pritur si një mysafir i respektuar, i është vënë në dispozicion një orë në televizion, por dyert e Kremlinit mbetën të mbyllura. Eshtë shumë patetik ish presidenti, kur vazhdon të thotë se mbetet ai presidenti legjitim i shtetit të Republikës së Ukrainës. Nuk kërkon ndërhyrje ushtarake, por përsërit se Rusia “duhet, dhe është e obliguar të veprojë” për të rikthyer ligjshmërinë në Kiev. Paraqitet mirë, duket i relaksuar Viktor Janukovici, por situata e bën patetik. Ai shpreson në një telefonatë të Putinit, dhe ndoshta do ta ketë.

Regjia e Putinit, i cili vë në skenë “partnerët e Kievit” dhe që përjashton presidentin-kukull, duke iu ofruar vetëm një shfryrje televizive, nuk lë të kuptohet vetëm qëllimin për t’u lidhur, me kujdes, vetëm për cështje ekonomike me pushtetin e ri në Kiev. Atje, në kryeqytetin ukrainas, është Timoshenko, një grua me karakter me të cilën ka patur mosmarrëveshje të mëdha politike, por që e ka vlerësuar.  Dhe për të cilën ka patur xheste miqësie kur ndodhej në burg. Kryeministri i ri, Arseni Jatseniuk është besnik i saji. Eshtë një europeist, por i moderuar, me të cilin mund të dialogohet. Nuk është një nga ata të Sheshit. Dhe Putini nuk u kufizua vetëm me këshillën për qeverinë e tij që të vazhdojë kontaktet me atë të Kievit. I ka kërkuar të konsultohet dhe me partnerët e huaj dhe të punojë me institucionet e mëdhenj ndërkombëtarë, G8 dhe FMN, për një aksion ekonomik në favor të Ukrainës. Të njëjtat ide i ka shprehur ndoshta Angela Merkelit dhe Dejvid Kameronit në telefonatat që ka patur me Berlinin dhe me Londrën, si dhe më pas presidentit të BE në Bruksel. Zhvendosja e krizës ukrainase në një territor ekonomik është një manovër e zgjuar e Putinit, i cili nga një agresor potencial, shndërrohet kështu në një shpëtimtar (duke qenë se ka një prani të fortë ekonomike në vend). Por, kredibiliteti i tij pëson një goditje të fortë, kur vijnë lajmet nga Krimea.

La repubblica

Leave a Reply

Back to top button