Analiza

Fundi i xhihadit si politikë e Shtetit? 


pakistan army

Mbërritja e Shtetit Islamik dhe sulmet kundra ushtrisë do ta detyrojnë  Islamabadin të ndalojë mbështetjen e ekstremistëve. Ky do të jetë fundi i një marrëveshje të fshetë ideologjike dhe strategjike, e vjetër qysh prej tridhjetë vitesh

Kunwar Khuldune Shahid
Sipas Ispar [departamenti i komunikimit i ushtrisë pakistaneze], ushtria arriti një sukses të madh në rajonin më shpërthyes të veriut të Waziristanit gjatë operacionit ushtarak i pagëzuar Zarb- e-Azb. Ndërkohë që qysh nga fundi i muajit tetor trakte, postera, flamuj dhe grafitë të Shtetit Islamik  filluan të lulëzonin në tre nga katër kryeqytetet provinciale të vendit. Që suksesi i këtij operacioni ushtarak koincidon me hyrjen në Pakistan të një prej organizatave më të dhunshme islamiste dëshmon për përplasjen e madhe që po ravijëzohet.
Një luftë midis islamizmit dhe të gjithë ideologjive të tjera, meqënëse ushtria pakistaneze bashkon të gjitha versionet e islamit. Një luftë, fitimtari i së cilës do të mund të diktojë versionin e tij të islamit.
Jamaat-ul-Ahrar, degë e ndarë e Tehrik-e-Taliban Pakistan [TTP, lëvizje e talibanëve të Pakistanit] i është bashkuar tashmë radhëve të shtetit islamik. Eshtë Jamaat- ul-Ahrar e cila më 2 nëntor organizoi atentatin vetëvrasës  në Wagah [postë kufitare me Indinë] që shkaktoi 60 të vdekur dhe 110 të plagosur. Ky atentat ishte një akt raprezaljesh në hakmarrje për “viktimat e  pafajshme të vrara nga ushtria pakistaneze në Waziristanin verior”, sipas zëdhënësit të Jamaat-ul- Ahrar, Ehsanullah Ehsan. Në një e-mail drejtuar në faqen e internetit të revistës amerikane Long War Journal, Ehsanullah, që është ish zëdhënësi i  TTP, i  bëri elozhe varrimit të Hanifullah, kamikaz i Wagah, dhe “operacionit të tij të suksesshëm kundër një ushtrie të coroditur në Wagah”.
Ky reagim në kundërshtim të ushtrisë ishte i parashikueshëm. Do të duhej të pritej që strategjia e ushtrisë në Afganistan dhe në Kashmir të kthehej  kundër saj. Xhihadi është tashmë faktori kryesor i dështimit ekonomik të Pakistanit. Të zëvëndësosh ideologjinë islamiste me një zgjidhje më të moderuar është bërë një nevojë për Pakistanin dhe madje një detyrë në shkallë rajonale. Të heqësh dorë nga xhihadi [i mbështetur për një kohë të gjatë nga shteti] sot është një urgjencë.
Ne kemi nevojë për një operacion ideologjik dhe kjo është parë qysh në fillim të vitit. Vendit tonë i janë dashur trembëdhjetë vjet, më shumë se 50 000 të vdekur si dhe copëzimi i ekonomisë për të pranuar më në fund kërcënimin e një islami militant. Kjo flet shumë mbi inercinë tonë ideologjike. Eshtë e vështirë të heqësh dorë nga idealet kur ato ju theksohen gjatë gjithë ditës nga programe shkollore fanatike, të cilave i shtohen çdo javë faljet e ditës së premte.
Objektivat e shtetit islamik për të masakruar apo nënshtruar të gjithë të pabesët e këtij planeti janë përsëritur shpesh në xhamitë dhe medresetë. Dhe është dashur që Pakistani si dhe ushtria e tij të tregohen me gisht nga Shteti islamik që më në fund populli të hapë sytë.
Me dënimin e xhihadit dhe me barazinë universale, pa të cilën cdo pretendim për demokraci është vecse farsë, sigurimi i harmonisë së komuniteteve do të jetë pasoja e saj natyrore. Sepse përse të shpallim të padenjë një person apo një komunitet, nëqoftëse të dy palët përfitojnë të njëjtat të drejta? Avantazhet dhe privilegjet e arritura nga qytetaria dhe statusi social, sipas përkatësisë në një komunitet fetar të përcaktuar – mysliman në rastin e Pakistanit – duhen luftuar për t’u sigurar që besimi fetar të mos bëhet pronë e një klubi shumë të mbyllur ekstremistësh.
Kur ngritja sociale, juridike dhe politike është në lojë, cdo klub në mënyrë natyrore dëshiron të kufizojë numrin e anëtarëve të tij dhe kriteret e tij të zgjedhjes. Kjo kthesë ideologjike duhet t’i sulmojë të gjitha institucionet, të cilët i japin shumë vend besimit fetar, medreseve, shkollave duke kaluar në xhamitë, universitetet, mexhliset [asambletë legjislative], emisionet e televizionit  apo cdo grumbullimi fetar. Dhe cdo urrejtje e shfaqur kundrejt jo myslimanëve – një urrejtje aktualisht e kudondodhur – duhet luftuar pa afat, sepse madje është kjo urrejtje që nxit orekset e entiteteve si shteti islamik, talibanët dhe Jamaat-ul-Ahrari.
Dhe tek Shteti Islamik në veçanti dëshira për të vrarë të pafetë është me sa duket e pangopur. Xhihadi, domethënë veprimi për të marrë armët kundra  të pafeve, merr si postulat bazë që i pafeu është një qënie inferiore. Nëqoftëse një shtet bën diskriminim kundrejt qytetarëve të tij për arsye fetare, ai kultivon ekstremizmin dhe ushqen xhihadin.
Ushtria pakistaneze e cila ka ushqyer në gjirin e saj islamizmin qysh prej tridhjetë vitesh, njeh më mirë se çdokush natyrën e xhihadistëve. Ushtria është gjithashtu i vetmi institucion e cila mundet ende të luftojë islamistët në terrenin e popullaritetit. Apeli për xhihad kundra ushtrisë pakistaneze lehtëson gjithashtu këtë përmbysje të vlerave. “Zarb-e-Azb ideologjik”  sigurisht do të kundërshtonte shumicën e ideve të predikuara në këtë vend  nëpërmjet Islamit. Por bota moderne është e bazuar mbi idealet e kundërta me integrizimin fetar. Historikisht, përhapja apo mbytja e ideologjive  gjithmonë janë varur nga një dëshirë e mirë e ushtrisë. Dhe pas dekadave  gabimesh gjykimi, a mundet ushtria pakistaneze të vrasë islamizmin në embrion. /The Friday Times (Lahore)/
s.m./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button