Analiza

Ujërat e turbullta mes SHBA dhe Kubës, një histori e gjatë

Nga Michael Martinez

Cuba USE ndodhur vetëm 90 milje detare larg, Kuba pashmangshmërisht ndan një histori të gjatë me SHBA, që nga konkuistadorët dhe deri tek lufta spanjollo-amerikane dhe së fundmi Lufta e Ftohtë. Ja disa nga momentet kyçe në marrëdhëniet mes dy vendeve, edhe para se këto të formoheshin si shtete.
Bota e vjetër takon të renë
Kristofor Kolombi zbarkoi në Kubë në vitin 1492 dhe shpalli sovranitetin e Spanjës mbi ishullin, duke i hapur rrugë konkuistadorëve spanjollë të eksploronin Karaibet dhe pjesë aktuale të SHBA-ve. Juglindja, ku tani ndodhet Florida ishte mes pjesëve të tjera të Amerikës.
Lufta spanjollo-amerikane
Shtetet e Bashkuara ndihmuan Kubën të fitojë pavarësinë nga Spanja, në një luftë mes vendit europian dhe amerikanëve në vitin 1898. Në një nga momentet më epike, Teodor Ruzvelt dhe regjimenti i tij pushtoi një pikë strategjike në ishull gjatë betejës së Santiagos, dhe fitimtarët u nderuan si heronj. Me përfundimin e luftës, sipas Traktatit të Paqes në Paris, SHBA marrin kontrollin e përkohshëm të Kubës, ndërsa Ruzvelti më vonë zgjidhet president.
Gjiri i Guantanamos
Pushtimi amerikan i Kubës zgjati deri në vitin 1902, kohë gjatë së cilës ushtria e SHBA modernizoi infrastrukturën e kryeqytetit. Nga viti 1903, Republika e Re e Kubës lejoi instalimin e një baze detare amerikane në Gjirin e Guantanamos që përfundoi së ndërtuari brenda atij viti, ndërsa në zhargonin ushtarak baza filloi të quhej thjesht “Gitmo.”
Revolucioni kubanez
Në vitin 1959, Fidel Kastro, vëllai i tij Raul dhe banda e tyre e guerrilasve kreu me sukses një revolucion komunist, duke rrëzuar presidentin Fulgencio Batista, një aleat i ngushtë i SHBA-së. Kastro u shndërrua në udhëheqësin më jetëgjatë që historia botërore ka njohur. Për më shumë se 50 vjet ai u bë një ndër zërat më kritikë kundër kapitalizmit dhe politikës amerikane.
Embargoja amerikane
Pasi revolucioni kuban çoi në shtetëzimin e së paku 1 miliardë dollarëve kapitale të kompanive amerikane në ishull, qeveria e Shteteve të Bashkuara vendosi nje embargo të fortë tregtare ndaj Kubës në vitin 1960 që synonte të destabilizonte rregjimin komunist. Kastro e cilësoi këtë sanksion një “bllokadë “ që i shkaktoi në shumë dekada mjaft dëme vendit.
Gjiri i Derrave dhe kriza e raketave
Shtetet e Bashkuara dhe Kuba ishin pranë shpërthimit një lufte bërthamore, si pasojë e një morie ngjarjesh që filluan me tentativën e dështuar të SHBA për të desantuar në vendin e quajtur “Gjiri i Derrave” qindra emigrantë kubanë, që ishin kundër dhë kërkonin rrëzimin e rregjimit komunist. Ky operacion u demaskua para se të fillonte mirë dhe tentativa për një grusht shteti dështoi me turp në vitin 1961, duke vënë jo pak në siklet qeverinë amerikane. Vitin që pasoi, Kuba lejoi Bashkimin Sovjetik të ndërtonte në territorin e saj disa instalime për lëshimin e raketave, akt që shënoi edhe fillimin e krizës më të rëndë gjatë Luftës së Ftohtë. Kriza u zgjidh kur Bashkimi Sovjetik tërhoqi raketat e saj nga Kuba dhe kur amerikanët premtuan se nuk do të pushtonin Kubën. Në mënyrë të fshehtë, Uashingtoni gjithashtu ra dakord që të tërheqë raketat e tij balistike të vendosura në Turqi kundër sovjetikëve.
Eksodi i Marielit
Dhjetëra anije të flotës detare dhe varka të thjeshta u mbushën me mijëra emigrantë kubanë që udhëtuan drejt Floridës në vitin 1980. Në total ishin 124 mijë persona që përballuan udhëtimin e vështirë në det për të mbërritur në SHBA. Çuditërisht ishte vetë Kastro që e toleroi këtë eksod masiv, duke i lejuar njerëzit e tij të largoheshin nga Kuba në mënyrë të lirë përmes portit të Marielit.
Elian Gonzalez
Vetëm 5 vjeç, Elian Gonzalez ishte i vetmi i mbijetuar, prej një grupi refugjatësh që gjetën vdekjen në det, gjatë arratisjes nga Kuba drejt Floridës në vitin 1999. Një incident i vërtetë diplomatik u konsumua për disa muaj më rradhe, mbi të drejtën e kujdestarisë së djalit, mes të atit që jetonte në Kubë dhe të afërmve të tij në Shtetet e Bashkuara. Në një pikë kritike të zhvillimeve, autoritetet amerikane vendosën që të largojnë djalin e vogël nga shtëpia e xhaxhait të tij të madh në SHBA. Elian do të rikthehej në Kubë në vitin 2000.
“Gitmo” II
Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 ndaj SHBA-ve, presidenti Xhorxh W. Bush përdori bazën detare të Gjirit të Guantanamos si një qendër paraburgimi për të dyshuarit si terroristë. Në këtë bazë u akomoduan më shumë se 750 të dënuar, ndërsa shpejt ky vend u bë objekt i debateve të ashpra, përsa i përket ligjshmërisë së tij si burg si dhe mbi dyshimet për keqtrajtimin e të dënuarve. Sipas marrëveshjes fillestare,  qeveria amerikane i dërgonte Kubës vetëm 4.085 dollarë në vit për qeranë e tokës që zë baza. Fidel Kastro, e ka cilësuar shpeshherë bazën amerikane në Guantanamo si një “rrezik të madh që ri ngulur në truallin kuban”. Hera e fundit që Kuba ka marrë pagesat e rregullta vjetore nga SHBA për bazën ka qenë viti 1959, kur edhe vëllezërit Kastro erdhën në pushtet. /cnn/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button