Analiza

BRUKSELI / “Fushëbeteja” e lobeve

BrukseliNjë ushtri me 30 mijë vetë. Një biznes prej një miliardë euro në vit. Kështu lobistët kushtëzojnë europarlamentarët. Duke menduar për zgjedhjet

Shtete që duhet të rregullojnë imazhin, ose që ndjekin interesa privatë në vend të atyre publikë. Kompani shumëkombëshe që luftojnë për të ndryshuar një direktivë ose për të dobësuar një rregullore. Funksionarë të lartë që nërrojnë xhaketë, dalin nga Komisioni dhe betohen për besnikëri ndaj kompanisë. Zyra avoketërish që driblojnë edhe rregullat më elementare të transparencës. Think tank-e që botojnë raporte të “pavarur” edhe pse jetojnë falë sponsorëve shumë bujarë. Sindikata, shoqata konsumatorësh dhe OJF që hyjnë në zonën e vendim-marrjes europiane, agresivë por me më pak municione se sa rivalët e tyre…

Nuk është Far West, është Brukseli, që pas Uashingtonit është qyteti i dytë me më shumë veprimtari lobizmi në botë. “Lobingjet këtu janë si shtypi falas, nëse të japin informacione falas, kjo do të thotë që produkti je ti. Je ti, deputeti, funksionari, diplomati, komisioneri, ai që duhet bindur”, shpjegon duke buzëqeshur lobisti i një kabineti të madh në Bruksel që, ashtu si të gjithë kolegët, përgatitet sipas mënyrës së tij për zgjedhjet e majit, atëherë kur do të vijnë eurodeputetë të rinj. Tek të cilët duhet të afrohet, t’i marrë me të mirë, t’i bindë që do të kenë detyrën e emërimit të Presidentit të Komisionit. Arti i ndikimit në procesin vendim-marrës, në kryeqytetin e Komunitetit, është një biznes prej më shumë se një miliardë eurosh në vit, pasqyrë besnike e një pushteti, atij europian, që është në rritje konstante dhe që ndikon mbi 80 përqind të politikave kombëtare dhe një treg prej 500 milionë konsumatorësh. Impakti për atë që vendoset në trekëndëshin e formuar prej Komisionit, Parlamentit dhe Këshillit të BE i kapërcen kufijtë e 28 shteteve anëtarë. Në vitin 2012 Hilari Klinton, atëherë Sekretare Shteti e SHBA, angazhohej personalisht në një lobim aktiv për të favorizuar nxjerrjen e naftës nga shtresat argjilore në Europë dhe pati sukses, duke parë që Komisioni i BE, në 22 janar i la të lirë shtetet që të hidhen në këtë lloj tregu, me avantazhe të mëdhenj për kompanitë amerikano-veriore. Disa vite më parë ishte Kolin Pauell që u përpoq të bëjë gjithcka që mundej (atëherë jo me sukses) për të bllokuar rregulloren komunitare mbi armët kimike.

Sipërmarrje dhe kompani shumëkombëshe nga e gjithë bota, dhe qeveri të shfrenuara, mbi të gjitha Rusia dhe Kina, janë si të shtëpisë në Bruksel. “Mund të numërojmë mes 15 dhe 30 mijë lobistëve. Një veprimtari shumë fitimprurëse që është rritur në mënyrë konstante prej viteve nëntëdhjetë”, shpjegon Martin Pigeon i Corporate Europe, një OJF, në fakt një lob kundër lobeve – që vetëshpallet si injektuese e transparencës në mekanikën komunitare. “Dy të tretat e lobistëve”, thotë Pigeon, “punojnë për interesa tregtarë privatë, 20 përqind mbrojnë interesat publikë, si shtete, rajone apo komuna, dhe 10 përqind shoqërinë civile të organizuar. Mjafton të dish këto shifra për të vënë re që ka një problem shpërpjestimi sa u përket mjeteve”.

Peshorja mund të përmbyset nëse debati mbi një direktivë apo një politikë bëhet publik: “Sa herë që një tematikë mbetet teknike dhe e brendshme, shoqëria civile humbet, por nëse del në media, atëherë edhe qytetarët mund të ndikojnë, t’u shkruajnë eurodeputetëve, shndërrohen në masë kritike. Raporti i forcës përmbyset”.

Ndonjëherë ndodh. Në 22 janar Komisioneri i BE për Tregtinë e Jashtme, Karel de Guht vendosi të pezullojë negociatat mbi disa kapituj të TTIP, Marrëveshja e Partneritetit Tregtar mes BE dhe SHBA, në fakt marrëveshja ekonomike më e rëndësishme e planetit që synon të bashkojë dy botë me standarte të ndryshëm ligjorë dhe tregtarë, e që premton fitime prej më shumë se 500 miliardë euro. De Guht tha stop për të nisur një konsultim publik tre mujor, sepse negociatat, që zhvilloheshin në fshehtësi absolute, rrezikonin të shkaktonin një valë indinjate popullore të ngjashme me atë që shkaktoi fundosjen e ACTA-s, marrëveshja ndërkombëtare kundër falsifikimit dhe piraterisë. “OJF-të ankohen gjithmonë kundër lobeve, por edhe ato janë të fuqishme në Bruksel”, thotë një funksionar i Komisionit që po merret me negociatat.

Në shumë raste të tjerë gjërat shkojnë ndryshe. Në 13 dhjetor të vitit që kaloi, Komisioni i BE duhej të paraqiste kriteret e identifikimit të stimuluesve hormonalë, të akuzuar se shkaktojnë dëme ndaj shëndetit dhe ambientit, por nën presionin e ACC, American Chemistry Council, të CEFIC, Federata e Kimisë e BE, të Croplife, që mbron interesat e prodhuesve të pesticideve dhe që numëron mes të tjerave Basf, Bayer, Monsanto, Syngenta, vendimi u shty. E njëjta gjë ndodhi edhe me rregulloret e CO2, i zbehur në objektivat e tij dhe subjekt i një lobi agresiv nga ana e industrisë së automjeteve, me shumë letra të fshehta të dërguara nga ndërtuesit gjermanë në drejtim të Komisionerit të atëhershëm të BE për Industrinë, teutonin Gynther Verhojgen. Jo vetëm kaq: 95 përqind e amendamenteve të mbërritur në Parlamentin Europian mbi rregullimin e gazrave që përdoren në frigoriferë dhe kondicionerë, shumë të dëmshëm për efektin serrë, ishin diktuar prej lobistëve.

Si bëhet lobim në Bruksel? “Lobisti duhet të jetë si Makiaveli”, shpjegon politologu Rinus van Shendelen, profesor në Roterdam, konsulent për sipërmarrjet dhe qeveritë dhe autor i “Arti i lobimit në BE: më shumë Makiavelë në Bruksel”. “Duhet të ketë ambicien e nevojshme për të fituar, studiuar dhe për t’u përgatitur sa më mirë, dhe në betejë, duhet të jetë i matur”. Një lob që duhet të jetë i ndryshëm nga të tjerët. “Në BE cdo luftim është shumë më i ashpër, konkurues, në lojë janë më shumë interesa, në Bruksel janë 180-200 grupe pushteti.

Niveli, dimensioni dhe cilësia e betejës është shumë më e lartë”. Dhe ngahera, në front shkojnë të rinjtë.

Karen Masin është 38 vjec dhe është drejtor i Burson Marsteller, me një xhiro më shumë se 7 milionë euro dhe 60 të punësuar, kabineti kryesor i lobeve në Bruksel. Përvec disa këshilltarëve të lartë, të tjerët janë të gjithë të moshës 25-40 vjec”, shpjegon në një prej sallave të konferencave në selinë e kompanisë, që ka tre kate në Sheshin e Meeus, disa qindra metra larg nga Parlamenti i BE. Tryezat janë të mbushura me kana me ujë dhe gota. “Flasim me orë të tëra, mbledhjet janë të gjata, puna është e detajuar, lobisi duhet të punojë mes kompanive, grupeve të interesit dhe institucioneve të BE. Legjislacioni komunitar është shpesh kështu: një paragraf i vetëm  ka një impakt shumë të madh mbi industrinë”. Interesa që justifikojnë investime të mëdhenj: një lobist mund të kushtojë deri një mijë euro në orë. Në këtë art të hollësirave ka nga ata që shkëlqejnë. “Lobi modern e ka origjinën në SHBA dhe amerikanët me anglezët janë më të mirët”, nis klasifikimin e tij van Shendulen, “të ndjekur nga kompanitë holandeze, më tej vendet skandinavë, dh në vitet e fundit, gjermanët”. Dhe më tej të sapoardhurit, ata që mësojnë më shpesh, si italianët. “Po vijnë në Bruksel shumë të rinj nga Europa Lindore: Lituania, Estonia, Letonia, Polonia, Republika Ceke, Sllovakia. Janë profesionistë të shkëlqyer, kanë studiuar në universitete perëndimorë dhe janë shumë ambiciozë”. Në fund të klasifikimit vendet e jugut. “Ka shumë fabrika në Shuman (ndërtesa rrumbullake ku ndodhen Komisioni dhe Këshilli i BE) por nuk mjafton të shkosh të drekosh për të bërë lobim”.

 

Secilit fitimin e tij

 

“Në vitet e fundit konkurrenca në Bruksel është ashpërsuar, me një luftë të vërtetë të cmimeve”, siguron një lobist. “Duket në kontratat e mëdha. Coca-cola ndërron zyrë cdo tre vite dhe këtë vit kanë bërë kërkesë 12 kabinete, nuk ish parë asnjëherë kaq shumë konkurrencë”. Në fund fitoi Interel. “Kriza solli bashkimin e zyrave të vogla”, mendon Masin, “dhe në fund kanë ardhur këtu shumë grupe nga SHBA tek të cilët duan të shkojnë kompanitë amerikane”. Në Uashington e kanë kuptuar që Brukseli ekziston, të paktën ekonomikisht.

Nëse amerikanët shkojnë tek bashkatdhetarët e tyre, kinezët preferojnë lobistët lokalë. “Grupet kinezë të presionit përdorin ekspertë europianë si ushtarë modernë me pagesë”, shpejgon van Shendulen. Një tjetër shtet shumë aktiv në Bruksel është Rusia. Edhe ata u besojnë ekspertëve vendas. “Moska, në vitin 2006, me rastin e Presidencës së G8, filloi të kuptojë se nuk e dinin si funksiononin mediat perëndimorë. Që atëherë janë vetëdijësuar për rëndësinë e imazhit dhe janë drejtuar tek ne”, rrëfen Benoit Roussel, lobist për Gplus, një prej dy grupeve të lobimit që ndjek interesat e Moskës në Bruksel. Gplus-in e ka krijuar Peter Guilford, ish zëdhënës i Komisionit Europian, që mori me vete të tjerë ish kolegë e gazetarë, dy kategoritë më të kërkuara. Gplus është kujdesur për imazhin e Moskës gjatë luftës me Gjeorgjinë në vitin 2008, ndërkohë që konkurrentët e Aspecting Consulting bënin të njëjtën gjë për Tbilisin. Grupi tjetër që ndjek interesat e Putinit në Bruksel është Hill & Knoulton, një prej të mëdhenjve të sektorit, por në rrjetin e Kremlinit në Perëndim figuron edhe zyra amerikane Ketchum dhe britanikja Portland, themeluar nga Tim Allen, ish zëdhënës i Tony Blairit.

 

Rregulla të qarta, por jo për të gjithë

 

Në vitin 2008, nën presionin e shumë OJF-ve, lindi rregjistri i parë i lobistëve aktivë në Bruksel. “U rregjistruan 15-20 mijë lobistë individualë dhe 600 kompani”, thotë Federica Patalano, studiuese në sektorin e lobimeve dhe pjesëtare e grupit që menaxhon rregjistrin, “dhe ata duhet të respektojnë standarte të etikës dhe transparencës, përndryshe dënohen me pezullim apo humbje të të drejtës për të hyrë në Parlament. Por kontrollet nuk janë shumë striktë, mungojnë burimet për monitorim. Edhe për këtë arsye shifrat nuk janë të sakta”. Mbi të gjitha janë përjashtuar dy kategori me ndikim: fetarët dhe avoketërit. Mes 6 mijë kompanive figurojnë vetëm 45 studio avokatie, shumë pak për një qytet si Brukseli. Nuk është rastësi. “Nëse një kompani do që t’i bëjë gjërat fshehurazi, shkon në një kompani avoketërish”, ankohet Robert Mak, edhe ai i Burson Marsteller.

Jashtë rregjistrit luajnë zyrat e mëdha amerikano veriore, disa prej tyre prej vitesh në Bruksel, si për shembull Covington, si dhe të tjerët – Baker Botts, Hogan Lovells – që kanë zbarkuar së fundmi për të përfituar në tregun e hapur nga negociatat e TTIP. Asnjë prej tyre nuk është rregjistruar dhe asnjë nuk ka preferuar të japë shpjegime përse nuk e bëjnë. Asnjë koment edhe për një tjetër praktikë në modë, ajo e “revolving door” – dera rrotulluese: kalimi nga sferat e larta të Komisionit, tek grupet e lobimit. “Tek Covington”, akuzon një lobist i një kompanie konkurruese, “ka ish ambasadorë, ish drejtorë të përgjithshëm apo krerë sektorësh të Komisionit”.

Rastet janë të shumtë dhe fenomeni preke deri Komisionerët europianë: nga 12 që u larguan nga Komisioni i parë Barroso, gjysma kaluan në anën e lobistëve. Rast emblematik është ai i gjermanit Gynther Verhojgen që, pasi dha dorëheqjen si Komisioner për Industrinë, hapi zyrën e tij të lobimit. Kufizimi i vetëm për ta: nuk mund të kontraktojnë për 24 muaj ish vartësit e tyre. Një tjetër rast është ai i Serge Abou, një francez që për 30 vite ka qenë në postet kyce të makinerisë komunitare, nga drejtor i përgjithshëm tek marrëdhëniet me jashtë e deri ambasador i Komisionit në Kinë, që sapo doli në pension në vitin 2011 firmosi për gjigandin kinez të telefonisë Huauei, e cila ka një hetim të hapur në Bruksel për sjellje antikonkurruese. Huauei, ashtu si të gjithë kompanitë e mëdha, nuk i kursen burimet, duke shpenzuar cdo vit 3 milionë euro për lobim në Bruksel, me kontrata të shpërndara mirë mes Apcos, Aspectit, Fleishman Hillardit, Isc-së dhe The Skill Set-it.

Edhe më i vonë është rasti i Filip Loui, deri në 31 dhjetor 2013 Drejtor i Përgjithshëm për Energjinë, që dy muaj para se të dilte në pension firmosi për autoritetin britanik të konkurrencës. Mishel Peti, përgjegjës për shërbimin ligjor të komisionit si dhe anëtar i Komitetit të Etikës i ngarkuar të ndjekë pikërisht rastet e “evolving door”, sapo doli në pension u punësua tek Clifford Chance, që ka mes klientëve edhe Filip Morrisin. E gjithë kjo ndërkohë që diskutohej Direktiva e re për Duhanin. “Institucionet nuk e përballin problemin në mënyrë serioze, Komisioni, thjeshtë mohon”, akuzon Corporate Europe.

Në 133 rastet e konflikteve të mundshëm të interesit të ekzaminuar në 2013, Komisioni nuk është frenuar asnjëherë në mbështetjen për ish funksionarin e vet për të vazhduar një karrierë të re dhe vetëm në tridhjetë raste ka imponuar kufizime. Vitin që kaloi, Barroso kish thënë Jo një herë në 108. “Eshtë demonstrimi që sistemi funksionon”, thotë Antonio Gravili, zëdhënës i Komisionerit për Administratën Publike, Marosh Sefcovic. “Kush braktis Komisionin, pranon poste për të cilët e di që nuk do ketë probleme. Dhe të punosh është një e drejtë, edhe për atë që del në pension, nuk mund ta ndalojmë”. Për ta ndaluar ndoshta jo, por që duhet kontrolluar më shumë, për këtë nuk ka asnjë dyshim.

Alberto D’Argenzio

L’Espresso

Leave a Reply

Back to top button