Analiza

“G8”, “G20”, “OBT” / Ku janë “sallat e fshehta” të pushtetit

G20Grupi Bilderberg. Komisioni Tripalësh. Komiteti 133. Prapa organizmave më të njohur ndërkombëtarë që zyrtarisht përcaktojnë fatet e botës, ka të tjerë më pak të njohur, por që përfaqësojnë zemrën e vërtetë të vendim-marrjes globale. Sepse, prapa kuintave, lëvizin fijet e ekonomisë dhe të politikës

Qeveri, parlamente, banka qendrore, institucione transnacionalë të cdo lloji dhe përmase, si Bashkimi Europian, Organizata Botërore e Tregtisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, si dhe një sërë organizmash të tjerë, më shumë apo më pak të njohur. Zyrtarisht janë ata që i marrin vendimet me peshë, duke rregulluar deri në detaje jetën e gjithësecilit prej ne me dekrete, ligje, rregullore, direktiva, dokumenta programorë me përmbajtje pak a shumë të panjohur.

Por qendrat e vërteta të pushtetit janë të tjera, dhe shumëkush nuk i di. Nuk flasim për lobistët, për të cilët mund të themi se e kanë për profesion atë të “sugjeruesit”. Bëhet fjalë për mendjet më të mprehta të marrëdhënieve publike, të paguar nga kompani të vecanta, nga shoqata apo grupe të tjerë interesi që kanë në dispozicion buxhete me shumë zero dhe një objektiv të saktë: të mundësojnë miratimin e masave “të drejta” (për ata që i paguajnë, sigurisht!) nga ata që e kanë për detyrë.

Këta janë të shumtë. Me mijëra e mijëra “bubrrojnë” në Bruksel. Në Uashington janë mbi 40 mijë, apo ndoshta edhe më shumë. Dhe pushteti i tyre është më i madh se ai i politikanëve të vecantë.

Ata që kanë me të vërtetë rëndësi janë pjesë e elitës që popullojnë dhomat tradicionale të pushtetit, por në kontekste të tjerë. Mes tyre, financierë, industrialistë, politikanë, profesionistë apo intelektualë me interesa shpesh herë të përbashkëta. Mblidhen jashtë pallateve të konstituuar të pushtetit, për më tepër me tituj privatë në think tanke (“serbatorët e mendimit”) apo në klube nga më të shumëllojshmit. Janë me qindra në të gjithë botën. Por disa kanë më shumë peshë se të tjerë. Ja tre prej tyre.

 

Grupi Bilderberg

Lindi në 29 maj 1954 dhe e mori emrin nga hoteli homonim i Oosterbeekut, në lindje të Holandës. Mes frymëzuesve kryesorë dhe sekretar i parë ishte Jozef Retinger, themelues edhe i Lëvizjes Europiane që në vitin 1949 coi në krijimin e Këshillit të Europës me qendër në Strasburg. Objektivi i shpallur: nxitja e dialogut mes elitave të Shteteve të Bashkuara dhe Europës Perëndimore.

Grupi mblidhej një herë në vit për tre ditë me radhë dhe pjesëmarrësit në debate ishin mesatarisht 130, mbi të gjitha personalitete me ndikim në fushën ekonomike dhe politike, të zgjedhur nga presidenti sipas sinjalizimit të 33 anëtarëve të komitetit drejtues. Sekreti i mbledhjeve ishte një totem. Asgjë nuk dilte jashtë mureve. Grupi nuk merrte vendime. Jo zyrtarisht. Në takimet e tij flitej lirshëm, jashtë kornizave, pa diktatet e diplomacive ndërkombëtare. Qendrën e kishte në Leida, në Holandë. Në krye të gjithckave është drejtori, post që sot e mban francezi Henri de la Krua, kont i Kastrisë, numri një i grupit Aksa. Në drejtim është edhe italiani Franko Bernabe, i cili në 6 tetor të vitit që kaloi la presidencën e Telekom Italias, me një pasuri prej 6.6 milionë eurosh. Një tjetër organ i grupit, me detyra vetëm këshilluese, është Grupi Këshillimor, anëtari më i moshuar i të cilit është amerikani Dejvid Rokerfeler, një lloj trait d’union-i, zemra e zemrave të pushtetit global. Eshtë një prej themeluesve të Trilaterales (shih më poshtë). Dhe ka qenë kreu i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë nga viti 1970 deri në 1985. Revista Forbes e vlerëson afro 2 miliardë dollarë pasurinë e tij personale. Në takimin e fundit të Grupit Bilderberg, në qershor 2013, ishin të pranishëm gjashtë italianë. Përvec Bernabe, ishte ish kryeministri Mario Monti, administratori i Mediobanca, Alberto Nagel, ish numri një i Banka Inteza, Enriko Tomazo Kuciani, presidenti i Asolombardia Xhanfelice Roka dhe gazetarja Lili Guber. Një vit më parë kishte marrë pjesë edhe Enriko Leta.

 

Komisioni Tripalësh

U themelua në 23 qershor 1973 nga presidenti i Chase Manhattan Bank, Dejvid Rokerfeller. Në bërthamën e parë ishin pjesë edhe disa prej njerëzve më me influencë të kohës. Si Henri Kisinger, fitues i Cmimit Nobel për atë vit dhe Sekretar i Shtetit në presidencat e Ricard Niksonit dhe Xherald Fordit; Zbigniev Brzezinski, këshilltar për sigurinë kombëtare në SHBA në kohën e Xhimi Karterit dhe një prej ekspertëve më të mëdhenj të politikës ndërkombëtare të të gjithë kohërave. Tripalëshja është një shoqatë joqeveritare dhe jopartiake me orientim neoliberist, e përbërë nga më shumë se 300 vetë, biznesmenë, politikanë dhe intelektualë që vijnë nga Europa, Japonia dhe Amerika e Veriut, me objektivin për të nxitur një bashkëpunim më të ngushtë mes këtyre tre zonave (prej këtu buron edhe emri). Selinë e ka në Nju Jork. Për kritikët, objektivi i pa shpallur i Komisionit është realizimi i një “rendi të ri global” përmes ushtrimit të një presioni të fortë politik mbi qeveritë e vendeve të industrializuar. Për të tjerë është vetëm një cerdhe teknokratësh.

Në 2010-2011 numri një nga Europa ishte Mario Monti. Aktualisht është francezi Zhan Klod Trishe, ish president i Bankës Qendrore Europiane. Në krahasim me Grupin Bilderberg, ku mund të hyjnë edhe politikanë në detyrë, këtu si rregull janë vetëm “ish”-ët: kush merr një detyrë qeveritare, është i detyruar të largohet. Monti e ka bërë. E ka bërë edhe Enriko Leta, në momentin që mori postin e kryeministrit. Emrat e të gjithë anëtarëve në shkallë botërore gjenden në faqen e internetit trilateral.org.

 

Komiteti 133

Përfaqëson qendrën e vërtetë të pushtetit të Bashkimit Europian sa i përket cështjeve të politikës ekonomike. Emrin e merr nga neni 133 i Traktatit të Amsterdamit, firmosur në 2 tetor 1997 prej 15 shteteve të atëhershëm anëtarë të BE, si përpjekje e parë për reformimin e institucioneve të BE-së për t’i paraprirë zgjerimit. Neni 133 parashikon krijimin e një komiteti të projektuar nga Këshilli për t’i asistuar Komisionit Europian. Në praktikë, komiteti lind si organ që shërben për të bërë bashkërendimin mes Komisionit Europian dhe Këshillit Europian. Cdo cështje tregtare ndërkombëtare që ka peshë kalon nga Komiteti 133: që nga lufta e bananeve, deri tek disponueshmëria e ilaceve për vendet e varfër, e deri tek detyrat e cdo lloji dhe cdo shkalle. Këshilli europian zakonisht zgjidh nyjat politike dhe ratifikon vendimet e Komitetit, por shpesh herë miraton në bllok atë që vendosin këta ekspertë pa futur hundët. Pikërisht për këtë aspekt shumëkush shpreh dyshime: si mundet që vetëm një grusht teknokratësh të kenë dritë jeshile për të marrë vendime për politikën tregtare europiane? Një shembull e bën të qartë këtë temë: është Komiteti 133 që punon për llogari të Bashkimit Europian për hartimin e Marrëveshjeve të Organizatës Botërore të Tregtisë. Bëhet fjalë për një punë shumë të madhe, me më shumë se 2 mijë mbledhje në vit. Dhe është kaq komplekse sa, sipas kritikëve, është e kollajtë t’i shpëtojë edhe kontrollit të cdokujt. Duke përfshirë Ministrave të Tregtisë. Dhe mbi të gjitha, pa qenë në dijeni as edhe qeveritë e vendeve anëtarë. Si të thuash: marrëveshjet e firmosura nga shtetet nuk janë vendosur nga ata që i përfaqësojnë. Ekonomia ka një zemër të fshehur që i shtyn burimet dhe vendimet përgjatë arterieve të pushtetit që shpesh herë janë të panjohura.

Zornica Kratshmarova

Leave a Reply

Back to top button