Analiza

INTERVISTA/Ian Bremmer: Demokratët paguajnë mungesën e lidershipit

Politologu amerikan: “Obama është një njeri që e kupton botën. Por pastaj refuzon të hyjë në skenë. Dhe demokratët paguajnë mungesën e lidershipit nga ana e tij”

ObaPërveç disa çështjeve lokale specifike, këto ishin zgjedhje që janë ndikuar gjerësisht prej mungesës së popullaritetit të Barak Obamës. Demokratët paguajnë për mungesën e lidershipit të tij. George Bushi nuk ishte një “mendimtar”, nuk i pëlqente të reflektonte shumë mbi gjërat, por kishte shijen e komandës. Obama reflekton shumë, kupton gjithçka, por nuk vendos. Ian Bremmer, politologu amerikan themelues i Eurasia, e fotografon në këtë mënyrë fushatën elektorale në të cilën presidenti mbeti pothuajse gjithë kohës i mënjanuar.
I gjithi faji i tij? Ju jeni teoricieni i G-zero, një botë shumëpolare pa një udhëheqës të vërtetë.
E vërtetë, kjo është një botë e ndryshme. Askush nuk e kupton më mirë se sa Obama. Ai analizon gjithçka me saktësi, por sillet si një vëzhgues i jashtëm, jo si dikush që mund të vendosë. E kupton më mirë se sa kushdo tjetër teatrin e botës, por refuzon të jetë një aktor në atë skenë. Shikoni Sirinë, një çështje vërtetë shumë e rëndësishme. Atëherë kur i takonte atij të vendoste për ndërhyrjen ushtarake, tërhoqi në valle gjithë të tjerët, nga Kongresi tek shtetet e tjerë.
Pra, një Obamë pasiv, i ka duart edhe më shumë të lidhura pas votimit: një perspektivë jo shumë inkurajuese për Amerikën.
Eshtë më pak negative nga sa duket. Sigurisht, hapësirat e manovrimit si president do i ketë pothuajse vetëm në nivel ndërkombëtar. Nuk mendoj që në skenën e brendshme mund të presim reformën e taksave, imigrimit, shkollave apo planin e madh të investimeve publikë, gjatë dy viteve të fundit të mandatit të tij. Nëse do të ketë një krizë akute, nëse vendi do të zhytet në recesion, ky do të ishte një problem vërtetë i rëndë. Por me ekonominë e cila rritet me 3.5%, nuk besoj se operatorët do të shqetësohen shumë për një qeveri pasive. Administrata të forta dhe shumë aktive në të kaluarën kanë bërë gabime të rëndë. Reforma të forta, një qeveri me iniciativë, këto janë të domosdoshme në vendet në zhvillim që shtyhen drejt rrugës së rritjes ekonomike. Por nuk besoj se sipërmarrjet dhe investitorët do të alarmohen për lëvizshmërinë e mangët qeverisëse të një vendi të zhvilluar, që gjithësesi ka rritje të mirë, në një kohë kur Europa është në recesion dhe madje edhe Kina po ngadalëson, duke rrëshkitur drejt një situate pasigurie.
Nuk do të ndryshojë asgjë për Amerikën pas këtyre zgjedhjeve?
Me dobësimin, Uashingtoni do të përpiqet të bëhet një vend gjithnjë e më federal, i decentralizuar.
Nuk ka asnjë mundësi për një “armëpushim” të vogël në kohën mes këtyre zgjedhjeve dhe atyre presidenciale të 2016-ës, për të arritur të paktën ndonjë kompromis mes demokratëve dhe republikanëve, që nga imigracioni tek tregtia ndërkombëtare?
Për imigracionin nuk shoh shumë hapësirë. Për tregtinë është e mundur. Natyrisht, republikanët do të përpiqen të shtyjnë përpara marrëveshjen e partneritetit tregtar mes SHBA dhe aleatëve të Azisë dhe Paqësorit. Edhe programi i Obamës, që dëshiron të firmoset marrëveshja e tregtisë së lirë me Europën. Por këtu do të hasë mbi të gjitha në rezistencën e demokratëve. Sidoqoftë “tregtia e lirë”, e rëndësishme në nivel ndërkombëtar, nuk mundet që të jetë testamenti i presidencës së Obamës: trashëgiminë e tij duhet ta gjejmë në mandatin e parë presidencial. Reforma shëndetësore dhe mënyra si reagoi ndaj krizës më të rëndë ekonomike të 80 viteve të fundit, duke ndihmuar vendin të dalë nga Recesioni i Madh./corriere.it/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button