Analiza

Sarkozy, pikëpyetje për rikthimin në politikë

sarkozyFrancezët e vënë në pikëpyetje mundësinë e rikthimit politik të Nicolas Sarkozy-it pas intervistës që dha dje ish-presidenti francez  për një stacion televiziv, në një përpjekje për të mbrojtur veten nga akuzat se ai ishte përpjekur të pengonte një hetim kundër tij. Në intervistën e parë televizive, që nga largimi i tij nga posti i presidentit në vitin 2012,  Nicolas Sarkozy,  tha se sistemi ligjor po përdoret për qëllime politike. Ish presidenti dyshohet se ka përdorur ndikimin e tij për të penguar një hetimi për korrupsion që lidhet me fushatën e tij elektorale në vitin 2007.  Në rrugët e Parisit, disa besojnë se hetimi i fundit ligjor ndaj partisë kryesore të opozitës në Francë, Lëvizja Unioni Popullor (UMP), nën dyshimet për mashtrime financiare tashmë ka ndikuar shumë mbi partinë e zotit Sarkozi duke mos i lënë atij asnjë shans për rikthim në politikë. “Unë mendoj se elektorati francez nuk dëshiron më histori të tilla. Në dy vitet e fundit ka patur shumë histori të lidhura me shpërdorime financiare nga e djathta. Mendoj se francezët janë ngopur me këto”,  thotë eksperti i medias, Stanislas Motte.

Por një qyetar tjetër, Charles-Henri Brilland, mbështet rikthimin e ish-presidentit 59-vjeçar, duke thënë se zoti Sarkozi ka qenë shumë bindës për të. “Ai ishte shumë bindës. Mendoj se ai është në gjendje të jetë i pranishëm në një debat politik dhe mund të kthehet për zgjedhjet e vitit 2017. Unë besoj tek ai dhe shpresoj që ai do të kthehet në skenën politike”, thotë zoti Brilland.

Disa qytetarë të tjerë mendojnë se zoti Sarkozi nuk është as më i mirë e as më i keq se politikanët e tjerë, duke shtuar se hetimet ndaj zotit Sarkozi janë një tjetër shenjë e politikës së sëmurë franceze. “Është normale. Pse ai nuk do të duhej të trajtohej nga drejtësia si çdo qytetar tjetër? Nëse ai ka bërë diçka të gabuar, ai duhet të paguajë për të. Në qoftë se ai është i pafajshëm ai duhet të lirohet nga akuzat”, thotë Katia. “Nuk do të më shokonte, sepse të gjithë politikanët janë të përlyer. Ai nuk është i vetëm në këtë situatë”, thotë zonja Chantal.

Ish-presidenti, i cili ka humbur imunitetin për shkak të ndjekjes penale një muaj pasi ai la postin në qershor të vitit 2012, është përballur me disa probleme ligjore dhe ishte objekt i një hetimi gjyqësor në vitin 2013 që më vonë u pezullua. Gjashtë raste ligjore, duke përfshirë rastin e tanishëm, rëndojnë mbi Nicolas Sarkozy-in dhe partinë e tij të përçarë duke e vënë në pikëpyejte aftësinë e tij për një rikthim politik në vitin 2017. /VOA/

Leave a Reply

Back to top button