Histori

AVENTURA SPIUNAZHI / Operacioni Manastir. Gjoja kundërshtarët e Moskës

nkvdOperacioni Manastir i ideuar nga Moska në gusht 1941 – disa muaj pas sulmit befasues të Hitlerit – u krye në bashkëpunim me NKVD, policia politike dhe kundërspiunazhi, si dhe GRU, spiunazhi ushtarak me qëllim penetrimin e rrjetit të agjentëve progjermanë që vepronin në Bashkimin Sovjetik. Truri përgjegjës për nismën është Pavel Sudoplatov, një super spiun i famshëm, që në kujtimet e tij të botuar në fundin e viteve nëntëdhjetë do të tregonte edhe faktet e operacionit.

Objektivi i Operacionit Manastiri është që të krijojë një strukturë me gjoja kundërshtarë të regjimit sovjetik, kryesisht mes të mbijetuarve të fisnikërisë së dikurshme ruse e shtypur prej Revolucionit të Tetorit. Pavarësisht spastrimeve të tmerrshëm të njëzetë viteve të mëparshëm, shumë familje të aristokracisë cariste, në fakt kanë arritur që në një farë mënyre të integrohen në shoqërinë e re socialiste. Dhe është pikërisht në ambiente të tillë që Sudoplatov e drejton vëmendjen e tij. Kërkimi nuk do të jetë i gjatë. Pikaset një farë Glebov, banor në ish manastir (prej ku vjen ndoshta emri i operacionit) në qytetin e Novodevichy. Glebov deklarohet i disponueshëm, duke bërë gjithësesi të ditur që, duke marrë parasysh moshën e tij të thyer, mund të luajë vetëm një rol ndikimi duke ndezur një farë atmosfere të kundërshtimit ndaj regjimit. Më shumë se kaq nuk mund të bëjë. Atëherë, roli operativ i misionit i ngarkohet një tjetër pasardhësi të një familjeje të vjetër fisnike, i ri në moshë dhe anëtar i NKVD: Alexander Demyanov, me emrin e koduar “Max”. Glebov, politikani dhe Max, operativi, do të punojnë shumë mirë së bashku.

Detyra parësore e Demyanov është që të infiltrohet në radhët gjermane dhe t’i propozojë armikut bashkëpunimin e një gjoja organizata filo gjermane, Prestol, në pritje të një qeverie provizore për të krijuar sapo territoret e pushtuar nga Vermahti të jenë të shtrirë mjaftueshëm.

Kështu, në dhjetor të atij viti, Demyanov/Max hidhen në veprim. Pas një marshimi shumë të gjatë me ski, gjendet në anën tjetër të kufirit i maskuar si një dezertor i ushtrisë së kuqe, përfaqësues i një grupi që mbështet nazistët.

Natyrisht që Max i bëhen të gjithë kontrollet e rastit. Pasi u nënshtrohet seancave të gjata të marrjes në pyetje, i infiltruari ia del shumë mirë, duke u përgjigjur gjithmonë me ton, me argumenta solidë dhe siguri bindëse. Megjithatë, kupton menjëherë se nazistëve nuk u interesojnë shumë motivacinet e tij ideologjikë dhe as planet e tij për një bashkëpunim të ardhshëm politik. Si prioritet, spiunazhit nazist i intereson të gjejë elementë të përshtatshëm për të “përgatitur” terrenin në Moskë, në pritje të ardhjes së trupave gjermane. Max vetëofrohet. NKVD nuk mund të priste më mirë. Një njeriu i saj ngarkohet që të organizojë një rrjet spiunësh në favor të pushtimit nazistë! Ç’rast më të mirë mund të ketë për t’i eleminuar të gjithë, teksa pikasen dhe rekrutohen. Kështu Demyanov, sipas planeve të shërbimit të fshehtë gjerman, hidhet në fshehtësi me parashutë pranë Moskës në vitin 1942. Rivendos kontaktet me qendrën operative dhe të gjithë agjentët progjermanë që ai zbulon më pas burgosen, vriten ose kooptohen. Në të njëjtën kohë angazhohet për disinformimin aktiv, duke u ofruar nazistëve lajme falsë. Gjermanët janë absolutisht të bindur se e kanë në anën ë tyre: aq të bindur sa në vitin 1971 (pra shumë kohë para zbulimeve të Sudoplatov) Reinhard Gehlen, një tjetër përgjegjës i shërbimeve të fshehtë nazistë, në librin e tij “Shërbimi. Kujtime” i thur lavde kontributit të vyer të dhënë nga Max!

Demyanov do të jetë tejet produktiv përgjatë të gjithë kohëzgjatjes së konfliktit dhe do u shkaktojë dëme të dukshëm forcave të armatosura gjermane. Në vitin 1944, për shembull, nis një tjetër operacion intoksikimi informativ. Lë të kuptohet që një brigadë gjermane po sulmohet në rajonin e Beresinas, në Bjellorusi. Në fakt, brigada gjermane është kapur tashmë dhe oficerët e saj janë detyruar me forcë që të bashkëpunojnë për vënien në skenë të mashtrimit. Përforcimet ajrore dhe tokësore nisen menjëherë në ndihmë të ushtarëve të rrethuar dhe bien pa rrugëdalje në kurthin e ngritur nga Armata e Kuqe. Demyanov është kaq produktiv saqë vetë shërbimi i fshehtë anglez (në atë kohë Londra dhe Moska ishin aleate) ndjen detyrën që të lajmërojë kolegët sovjetikë për ekzistencën e një “urithi” që furnizon me informacione të çmuar nazistët në lidhje me operacionet ushtarakë të Bashkimit Sovjetik.

Sigurisht, nuk dyshojnë që bëhet fjalë për një urith të fabrikuar nga vetë Sudoplatov, një realizues i përsosur i lojës së dyfishtë, një prej spiunëve më të zotë sovjetikë, protagonist absolut i Operacionit Manastiri.

Leave a Reply

Back to top button