Analiza

Kush e pati më të lehtë, Reagani apo Obama?

Thomas L. Friedman

Reagan Obama

Gjatë javëve të fundit kam lexuar librin magjepsës të Ken Adelman “Reagani në Rejkjavik: 48 orë që i dhanë fund Luftës së Ftohtë”. Adelman, i cili drejtonte agjencinë e kontrollit të armëve në atë kohë, ishte këshilltar në Samitin e Islandës në vitin 1986, ku Reagani u takua me Presidentin sovjetik, Mikhail Gorbaçov. Duke përdorur disa dokumenta të deklasifikuar së fundmi, Adelmani ekspozon dialogun e jashtëzakonshëm mes dy udhëheqësve, i cili vuri në lëvizje një shkurtim dramatik të armëve bërthamore.
Në libër mëson shumë për lidershipin e Reaganit. Për mua, gjëja më mbresëlënëse nuk ishte dëshira e Reaganit për nismën e mbrojtjes strategjike “Luftërat e Yjeve”, e cila është mbivlerësuar si elementi që i dha fund luftës së ftohtë. Më mbresëlënës në lidhje me Reaganin është fakti që ai e kuptoi që Gorbaçoi ishte një tjetër lloj udhëheqësi sovjetik – një me të cilin mund të bënte histori – shumë më herët se sa komuniteti i tij i shërbimeve të fshehtë. Kjo bëri dallimin e madh.
Sot, mes konservatorëve, dëgjojmë shumë argumenta të tipit: “Sikur dhe Obama të udhëhiqte si Reagani”. Unë do ua lija historianëve ta thoshin shumë vite më vonë se cili ishte presidenti më i mirë. Por argumenti që doja të thoja është ky: Në shumë fusha të rëndësishme, Reagani kishte një botë shumë më të lehtë për të udhëhequr, se sa Obama sot.
“Botë më e lehtë, mos po tallesh?” thonë konservatorët. Reagani ishte kundër një superfuqie komuniste, e cila kishte mijëra raketa bërthamore të drejtuara nga ne! Si mund ta thuash këtë?”
Ja si mund ta them: Beteja përcaktuese në kohën e Reaganit ishte Lufta e Ftohtë, dhe tipari përcaktues i Luftës së Ftohtë ishte se ajo qe një luftë mes dy sistemeve të ndryshëm të rendit botëror: Komunizmi përballë kapitalizmit demokratik. Të dy sistemet konkuronin për të ndërtuar rend – për të forcuar shtetet e dobët përreth botës, me ndihmë ekonomike dhe ushtarake, e kështu të fitonin mbështetjen e tyre në Luftën e Ftohtë. Dhe sa herë që Moska apo Uashingtoni i telefononin një shteti tjetër kudo në botë, ishte pothuajse gjithmonë dikush që përgjigjej. Ata bënë kujdes madje që edhe luftërat mes shteteve që ata mbështesnin – si Vietnami dhe Afganistani – të ishin relativisht të përmbajtura.
Bota e Obamës është ndryshe. Ajo është gjithnjë e më shumë e ndarë në rajone të rendit dhe në rajone të kaosit, ku nuk është askush që përgjigjet në telefon, dhe gara kryesore është jo mes dy superfuqive të organizuara, por mes një superfuqie dhe disa njerëzve të zemëruar e të superfuqizuar. Në 11 shtator ne u sulmuam dhe u lënduam keq nga një person: Osama bin Laden si dhe banda e tij e superfuqizuar. Kur njerëzit e zemëruar e të superfuqizuar kanë më shumë hapësirë brenda të cilës munden të veprojnë, dhe më shumë armë të fuqishme dhe mjete komunikimi, edhe një gjilpërë në kashtë mund të na dëmtojë.
Më e rëndësishmja, rivali kryesor i Reaganit, Gorbaçovi e fitoi Cmimin “Nobel” për Paqen në vitin 1990, për faktin që bëri diçka që nuk kish dashur asnjëherë ta bënte: të lëshonte paqësisht Europën Lindore. Armiqtë e Obamës, si për shembull Shteti Islamik, nuk do ta fitojnë asnjëherë Cmimin “Nobel”. Reagani mundej ta sfidonte kollaj Gorbaçovin në Berlin, duke thirrur “Shembe këtë mur!”, sepse në anën tjetër të atij muri ishte një sistem i keq – Komunizmi – që po shtypte një qytetërim në Europën Lindore dhe Qendrore, dhe një pjesë të Rusisë, e cila ishte natyrshëm dhe historikisht e prirur drejt kapitalizmit demokratik. Dhe atje kishte udhëheqës – si Lech Valesa, një tjetër fitues i Cmimit “Nobel” – për të udhëhequr tranzicionin. Na mjaftonte të rrëzonim sistemin e keq dhe pastaj të hiqeshim mënjanë.
“Vendet e Europës Lindore dhe Qendrore ishin bërë me forcë pjesë e një perandoria komuniste, por nga pikëpamja kulturore ishin pothuajse pjesë e qytetërimit perëndimor”, ka shkruajtur Michael Mandelbaum, ekspert i politikës së jashtme në John Hopkins University dhe autor i librit “Rruga drejt mirëqenies globale”. “Ata nuk e panë kurrë veten si komunistë, por si perëndimorë që ishin rrëmbyer”.
Pasi Gorbaçovi, i gjendur nën trysninë e Reaganit dhe Perëndimit vendosi t’i lëshojë, “ata rendën sa më shpejt që të mundeshin drejt institucioneve perëndimorë”.
Në Lindjen e Mesme, e cila ka konsumuar pjesën më të madhe të energjive të Obamës, njerëzit i shembën muret e tyre – sistemet e tyre – por nën ta nuk kishte një qytetërim me përvojën e të shtypurve, me zakonet dhe aspiratat për demokraci dhe tregje të lirë. Nën ta kishte një përzierje toksike Islamizmi, tribalizmi, sektarizmi dhe një aspiratë e porsalindur për demokraci.
Sfida e lidershipit të Reaganit ishte që të shembte një mur dhe më pas të priste përfitimet e paqes, thjeshtë duke lënë natyrën të ndiqte rrugën e saj. Sfida e Obamës është që, në anën tjetër të murit që arabët shembën qëndron projekti më i madh shtetndërtues në botë, me një qytetërim i cili është i traumatizuar, i ndarë dhe shpesh herë kulturalisht armiqësor ndaj vlerave dhe institucioneve perëndimore. Eshtë një punë shumë e madhe që vetëm vendasit mund ta udhëheqin.
E vetmja herë kur Reagani u përball me një miniversion të sfidës së Obamës ishte në Liban. Pasi Izraeli rrëzoi minishtetin palestinez atje, Reagani shpresoi se do të lëshonte një rend të natyrshëm demokratik, me vetëm pakëz ndihmë nga marinsat amerikanë. Por pasi ushtarët amerikanë u hodhën në erë në Beirut në vitin 1983, Reagani kuptoi se qytetërimi atje ishte një përzierje islamistësh, kristianësh sektarë, sirianësh, shiitësh, refugjatësh palestinezë dhe demokratësh. Kërkonte shumë më tepër se sa thjeshtë të bëje rojë. Kërkonte shtetndërtim. Dhe çfarë bëri Reagani? U largua.
Unë isha atje dhe i përshëndeta marinsat e fundit që largoheshin nga Beiruti.
Sigurisht, është i pashmangshëm krahasimi i Reaganit me Obamën në politikën e jashtme. Por kur bëhet, duhet që të krahasohen edhe kontekstet respektivë. Dallimi është domethëns. /NYT/
PERSHTATUR NE SHQIP nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button