Enciklopedike

Koha konfirmoi profecitë e Aizek Asimovit

asimovGjatë zhvillimit të Panairit Botëror të vitit 1964 në Nju Jork shkrimtari i lëmit fantastiko-shkencor Aizek Asimov ka parathënë se si do të jetë bota pas 50 vjetësh. Parashikimi i tij u botua atëhere në gazetën “New York Times”.

Duke e lexuar atë sot, ti kupton se shkrimtari arriti të parashikojë praktikisht të gjitha përparimet, arritjet teknologjike.Sipas mendimit të Aizek Asimov, gjysma e energjisë elektrike në vitin 2014 do të përftohet nga centralet bërthamore, ndërsa në shkretëtirat e mëdha të Arizonës dhe Kazakistanit do të fillojnë të punojnë centralet e energjisë diellore. Komunikimi do të jetë satelitor, kurse anijet kozmike në atë kohë do të fluturojnë me sukses deri në Mars. (E si mund të mos kujtojmë këtu Mars Rover “Curiosity”!)

U bënë realitet fantazitë e Aizek Asimov, i cili që në vitin 1964 konfirmonte me bindje të plotë se telefonat do të mund të mbahen në xhep, kurse ekranet e tyre do të japin mundësi për të lexuar libra dhe për të parë foto. Pajisjet teknike do të punojnë pa kabllo – me bateri të rikarikueshme ose akumulatorë. Filmat në kinema do të shfaqen në formatin tredimensional (3D), ndërsa koha për gatim dhe punët e mërzitshme të shtëpisë do të reduktohet ndjeshëm – në kuzhinë do të dominojnë pajisjet shtëpiake automatike me timer të tilla si tenxhere me presion, thekëse bukësh (toasters), furra me mikrovalë, kafebërëse (coffeemakers).

Sipas parashikimit të Asimov, pamja e qytetit do të ndryshojë në vitin 2014: godinat e banimit dhe pjesa më e madhe e zonës urbane do të zhvendosen nën tokë: në këtë mënyrë do të mund të kursehet për ngrohjen e banesës në dimër dhe për freskimin e saj në verë. (Tashmë janë ndërtuar parkime dhe janë ngritur qendra të tëra tregtare nëntokësore!). Kurse në sipërfaqe do të krijohen parqe, kopshte për mbjellje perimesh dhe madje do të kullosin bagëtinë (ja një parashikim i tillë tani për tani duket pak i besueshëm). Transporti, parashikon shkrimtari, nuk do të ketë më kontakt me rrugën, ai do të fluturojë lart mbi tokë në një lartësi prej rreth një metër. Anijet lumore dhe detare do të rrëshqasin mbi ujë dhe shpejtësia e lëvizjes së tyre do të rritet ndjeshëm.

Asimov ka parashikuar se deri në vitin 2014 popullsia e botës do të arrijë deri në 6.5 miliardë njerëz, kurse në SHBA do të jetojnë rreth 350 milionë (më 1 qershor të vitit 2013 në Shtetet e Bashkuara janë regjistruar 316.000.000 banorë). Për rritjen e popullsisë duhet të kontribuonte zhvillimi i Arktikut, zonës së shkretëtirave dhe kërkimi i produkteve të reja ushqimore. Kështu, për shembull, do të fillojë përdorimi i mikroorganizmave, të cilat, sipas fjalëve të Azimov, do të shfrytëzohen për përpunimin e tharmeve dhe algave në produkte të ushqyeshme.

Sipas parashikimit të shkrimtarit, problemi kryesor i njerëzimit në vitin 2014 do të jetë, sado e çuditshme që të duket kjo, mërzia! Kjo është arsyeja përse profesioni i psikologut do të marrë një zhvillim të pabesueshëm, kurse psikiatria do të bëhet një specialitet mjaft prestigjioz.
Tani të gjitha gjërat e lartpërmendura na duken të njohura dhe krejtësisht të zakonshme, por në vitin 1964 ato ishin konfirmime tepër të guximshme, origjinale dhe absolutisht fantastike. Ndërsa fakti, se jo të gjitha idetë e Aizek Asimov kanë gjetur sot mishërim në jetë, do të thotë se shpikësit duhet t’i vënë ato në fokusin e studimeve të tyre!

Leave a Reply

Back to top button