Sport

SPORT / Barça zgjedh rinovimin në vend të revolucionit

Rob Hughes

Barcelona është ndëshkuar rëndë nga dimri i pakënaqësisë. Nuk mund ta pranojë vendin e dytë.

Por lajmet se stili i saj pritet që të ndryshojë janë një ekzagjerim i madh. Falë Zotit!
barcelona 1Për pjesën më të madhe të dekadës që kaloi, Barcelona luajti një futboll që pjesa më e madhe e botës vetëm e admironte.

Futbollistët dhe kredoja e saj ishin në zemër të ekipit kombëtar të Spanjës, që pushtoi botën. Por, ka disa kohë që kritikët e Barçës po thonë se tiki-taka, stili i pasimeve dhe zotërimit të topit është zbuluar, shfuqizuar. Shkurt, ka mbaruar.

Në të vërtetë, Barcelona është kaq e varfër tani, saqë përfundoi e dyta në La Liga, pas Atletikos së Madridit.

Presidenti i klubit dha dorëheqjen në fillim të këtij viti. Yjet e sulmit të skuadrës, Lionel Mesi dhe Neimar ishin në qendër të hetimeve ligjorë për financat e tyre.

Qendërmbrojtësi tashmë legjendë i skuadrës, Pujol nuk mundi as të vërë këmbë në fushë për pjesën më të madhe të sezonit, kaq të lodhur i kishte gjunjët prej vitesh të tërë tendosjeje konstante. Portieri Viktor Valdez, edhe ai i dëmtuar, ka deklaruar tashmë se do të largohet për një përvojë të re, ndoshta tek Monako.

Tito Vilanova, ish traineri që së bashku me Pep Guardiolën sollën filozofinë e klubit, nga akademia në ekipin e parë, vdiq nga kanceri përpara se të mbaronte sezoni. Zëvendësuesi i tij, argjentinasi Tata Martino nuk u pranua nga shumëkush në media për arsye se rrënjët e tij nuk ishin katalanase. Dhe FIFA e ndaloi ekipin që të firmosë me lojtarë të rinj, për arsye se Barça akuzohet se ka shkelur rregullat në blerjen e lojtarëve të rinj.

Kush do t’u kundërvihej sfidave të tilla, rreziqeve të tillë ndaj gjithçkaje që përfaqëson Barcelona?

Nëse Barcelona do të duhej të zbatonte ndonjëherë moton e saj “Mes que un club” (Më shumë se një klub), atëherë momenti është pikërisht tani.

Josep Bartomeu, presidenti aktual i klubit, ka vepruar me qartësi, diplomaci dhe vendosmëri. Pas disa takimeve që pata me të muajin që kaloi, mu bë e qartë se Barcelona as nuk ishte thyer në shpirt, as nuk i mungonin dijet për atë që do të bëjë.

Dhe këtë javë, ai u mor me thashethemet që Mesi po largohej, si dhe me të tjera fjalë, sipas të cilave Barcelona nuk po dinte ku të shihte për një trainer.

Të hënën, 48 orë pasi Atletiko i mori Barcelonës titullin e la Ligas, klubi katalan bëri dy lajmërime.

Njëri ishte që Mesi po firmoste një kontratë të re që e mban lidhur me klubin deri në vitin 2018. Tjetri ishte që Luis Enrike, ish futbollist i Barçës dhe ish trainer i ekipit Barcelona B, do të bëhet traineri i ri i skuadrës.

Koha për këta dy lajmërime nuk ishte një koinçidencë. Një muaj më parë, ishte e qartë se çfarë do të bënte klubi. Kur u bëra pyetje Bartomeut dhe të tjerëve në bordin e Barcelonës, ata të gjithë u përgjigjën të sigurtë.

A do të mendonte ndonjëherë klubi për të shitur Mesin, për të financuar planin e rinovimit dhe zgjerimit të stadiumit “Camp Nou”, me kapacitet 99 mijë vende?

“Jo, jo, jo”, u përgjigj Bartomeu. “Mesi është më shumë se një lojtar. Pep Guardiola organizoi gjithçka përreth Mesit. Ai është një ikonë për ne. Barça është e lidhur me Ksavin, me Iniestën dhe gjithë të tjerët. Ai do të luajë me ne deri kur të na thotë se dëshiron të largohet. Do të jetë vendimi i tij. E ka fituar këtë të drejtë, por në javët e ardhshme ne do i ofrojmë një kontratë të re që do ta shpërblejë për atë që është, futbollisti më i mirë në botë. Ai është e ardhmja jonë, lideri ynë”.

Thuhet se kontrata e re e Mesit ka vlerë 27 milionë dollarë në sezon, dhe mund të shkojë deri në 34 milion dollarë me stimujt që lidhen me marrëveshjet e tij të reklamave përmes klubit. Disa thonë se paketa kalon edhe atë çfarë fiton Kristiano Ronaldo tek Reali i Madridit, ndonëse askush nuk e di me siguri.

Edhe mbërritja e Enrikes nuk ishte surprizë për ata që janë brenda “Camp Nou”-t.

Bartomeu më tha në prill se nuk do të ishte e arsyeshme të diskutohej traineri i ri ndërkohë që Martino kishte ende shansin të fitonte Ligën Spanjolle. Por nëse Martino do të largohet, e pyeta, a ka kandidatë në mendje Barcelona?

Bartomeu buzëqeshi. Ishte detyra e bordit që të kishte një plan. Cdo trainer i ri do i kishte rrënjët tek Barça, në tiparet e lojës së saj, në gjithçka që përfaqëson klubi. Dhe për të hedhur poshtë zërat se mund të rikthehej Guardiola, presidenti më tha që njeriu që kishin në mendje, ishte në Spanjë tashmë. Pershtatur ne shqip nga bota.al

Enrike, një bashkëkohës i Guardiolës si lojtar tek Barça dhe një trainer i ekipit B, ishte emri i vetëm. Dhe deri të hënën, mbeti një emër që nuk thuhej.

Por Enrike, një luftëtar në mesfushë në kohën kur luante, kishte deklaruar tashmë se do të largohej nga Selta Vigo, të cilën e drejtoi me një stil si atë të Barcelonës, ndonëse pa cilësitë fantastike të Mesit, Neimarit, Andres Iniestës apo Ksavit.

Ka shumë ngjashmëri mes Guardiolës dhe Enrikes, i cili është i lidhur ngushtë me stilin tiki-taka. Të dyve iu desh të largoheshin nga “Camp Nou” për një stazh. U rikthyen kur u erdhi radha.

Tiki-taka nuk ka marrë fund, siç besojnë kritikët. Ajo që bie në sy më shumë është se si futbollistët kryesorë të Barcelonës e kanë ruajtur entuziasmin dhe shëndetin aq gjatë, sa për të vendosur rekorde që mund të mos arrihen asnjëherë, teksa në të njëjtën kohë ngrinin Spanjën në majën e botës. Të gjithë këto, pa patur asnjë ditë për të marrë frymë. Pershtatur ne shqip nga bota.al

Por tani, Barça ka nevojë për rinovim.

Pujolit i kanë shteruar fuqitë dhe është larguar. Valdezi po ndërron skuadër. Dani Alvesh mendohet të shkojë tek Paris Sen Zhermen.

Ndalimi i FIFA-s për blerjen e lojtarëve kur të hapet merkato në qershor është pezulluar, në pritje të apelit. Drejtori sportiv i Barcelonës, Andoni Zubizareta ka firmosur një marrëveshje për pasardhësin e Valdezit: Mark Andre Ter Shtegen, portieri 22-vjeçar i Borusia Mynqengladbahut.

Barça ka rikthyer dy prej lojtarëve të saj të rinj, Rafinjan dhe Deulogeun, që ishin huazuar tek Selta Vigo dhe Evertoni.

Do të duhet të zgjidhë problemin e humbjes së liderit Pujol. Havi Martinez, mbrojtësi spanjoll që luan tek Bajerni i Mynihut është një mundësi. Pritet edhe një përpjekje tjetër për të blerë brazilianin Tiago Silva.

Barcelona është ndëshkuar rëndë nga dimri i pakënaqësisë. Nuk mund ta pranojë vendin e dytë.

Por lajmet se stili i saj pritet që të ndryshojë janë një ekzagjerim i madh. Falë Zotit!

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button