Analiza

KOMENT / Epërsia politike e Europës

EU Parliament Session in StrasbourgKemal Dervish*

Këtë muaj, qytetarët europianë do të shkojnë të votojnë për të zgjedhur 751 anëtarët e Parlamentit Europian, që do të përfaqësojnë 507 milionë vetë. Mënyra si është shpalosur fushata politike shënon një hap të vogël, por domethënës, në drejtim të krijimit të të parës hapësirë politike transnacionale europiane. Zgjedhjet për parlamentin europian kanë patur pjesëmarrje gjithmonë e më të ulët: 43% në 2009, krahasuar me afro 60% në 1978-1994. Megjithëkëtë, përqindja e pjesëmarrjes gjatë dekadës së fundit është e krahasueshme me pjesëmarrjen në zgjedhjet për Kongresin në Amerikë. Duke parë perceptimin që kanë europianët për largësinë nga Parlamenti Europian, si dhe pakënaqësinë e përhapur ndaj burokracisë së BE-së, niveli i përfaqësimit dhe zhvendosja drejt politikës transnacionale është diçka e jashtëzakonshme.

Natyra transnacionale e zgjedhjeve është më e fortë këtë herë, sepse partitë kryesore politike paneuropiane, për herë të parë kanë paraqitur kandidatë për presidencën e Komisionit Europian, dhe kandidatët po bëjnë fushatë, duke përfshirë edhe debate televizivë. Këshilli Europian, siç e mandaton edhe Traktati i Lisbonës, do të duhet të marrë parasysh rezultatet zgjedhorë kur të përzgjedhë kandidatin që do i paraqesë parlamentit për votim.

Fushata për presidencën e Komisionit mund të rezultojë po aq e rëndësishme sa edhe përzgjedhja përfundimtare. Debati i parë, që u mbajt muajin që kaloi, përfshinte Jean-Claude Junckerin e Partisë Popullore Europiane të qendrës së djathtë, Ska Kellerin e Partisë së Gjelbër, Martin Schulzin e Aleancës Progresiste të Socialistëve të qendrës së majtë, dhe Guy Verhofstadtin e Aleancës centriste të Liberalëve dhe Demokratëve. Alexis Tsipras, që përfaqëson Partinë e të Majtës Europiane, pritet të marrë pjesë në debatin final këtë muaj.

Të gjithë kandidatët flisnin rrjedhshëm anglisht – ndonëse debati u përkthye në 16 gjuhë. Duke parë rezervat e Mbretërisë së Bashkuar për integrimin europian, është disi ironike që anglishtja po luan një rol kaq të rëndësishëm në krijimin e një hapësire politike transnacionale.

Debati tërhoqi një vëmendje të madhe të medias, me dhjetëra mijëra tweet-e që reflektonin pasionin që europianët – sidomos brezi i ri – ndiejnë për evolucionin politik të Europës. Ndërkohë që interesi publik për fushatën mbetet shumë më i ulët se sa ai që shohim në garat politike kombëtare, ai është bërë më i fortë se sa në zgjedhjet e fundit paneuropiane, pavarësisht rritjes së nacionalizmit dhe euroskepticizmit.

Në këtë kontekst, do të ishte e çuditshme nëse Këshilli Europian do të përpiqej të emëronte presidentin e Komisionit pa përfillur reagimin e publikut ndaj fushatës. E megjithatë, ekziston rreziku që procesi i përzgjedhjes të mos jetë aspak më shumë se sa një “shkëmbim kuajt” politikisht, me anëtarët e Këshillit që do të ofrojnë poste në formë shpërblimi, duke përfshirë edhe vende komisionerësh, thjeshtë bazuar mbi konsideratat politike kombëtare. Një qasje e tillë do t’i jepte një goditje të fuqishme qytetarëve që e marrin seriozisht votimin europian – por edhe besueshmërisë së BE në tërësi.

A mund të ndodhë vërtetë? Apo mos vallë hapësira transnacionale europiane është bërë tashmë kaq e madhe, saqë nuk mund të injorohet?

Shumë gjëra do të varen nga rezultati i zgjedhjeve. Pikësëpari, përqindja e pjesëmarrjes do të jetë shumë e rëndësishme. Nëse do të bjerë poshtë 43%-shit që ishte në vitin 2009, Këshilli mund të argumentojë se preferencat e një publiku të painteresuar mund të injorohen. Megjithatë, një rritje e pjesëmarrjes – le të themi diku tek 45 apo 47% – do ta bënte shumë më të vështirë injorimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Edhe performanca relative e partive paneuropiane do të ketë rëndësi. Nëse, për shembull, socialistët do të finonin 215 vende, krahasuar me 185 për popullorët, atëherë diferenca e madhe do të bënte udhëheqësin e tyre, Martin Schulz, një pretendent shumë të fortë, edhe nëse asnjë parti nuk do i afrohej dot shumicës absolute të 376 vendeve.

Nëse rezultati do të jetë më i ngushtë, me një diferencë prej vetëm pesë apo dhjetë vendesh mes dy partive kryesore, atëherë mund të argumentohet që asnjëri prej kandidatëve kryesorë “nuk ka fituar”. Kjo gjë do i jepte Këshillit më shumë hapësirë për të konsideruar një kandidat “të jashtëm” (përshembull Pascal Lamy, që është më pranë të majtës apo Christine Lagarde, që është më pranë të djathtës. Të dy janë politikëbërës europianë me shumë përvojë, emrat e të cilëve janë përmendur tashmë nga media).

Për të rritur legjitimitetin e një lëvizjeje të tillë, Këshilli do të duhet të përzgjedhë kandidatin që është më afër partisë që ka fituar më shumë vota, sado i ngushtë avantazhi. Veç kësaj, një kandidat i jashtëm ka më shumë gjasa të sigurojë mbështetje nga njëkoalicion i madh në parlament. Në të kundërt, nëse asnjë prej dy partive kryesore nuk do të jetë në gjendje të shpallë fitoren, ato mund të bien në një kompromis për një prej udhëheqësve që ka bërë fushatë, për shembull Verhofstadti i liberalëve të qendrës.

Siç ka shpjeguar Jean Pisani-Ferry, pavarësisht kompetencave të mëdha dhe në rritje që ka Parlamenti Europian, në terma afatshkurtër ai nuk mund të jetë aktori qendror i debatit europian për politikat ekonomike. Vendim-marrja e vërtetë do të mbetet kryesisht në dorë të shteteve.

Por, duke parë pozicionin e parlamentit në qendër të një hapësirë politike transnacinoale në Europë, me kalimin e kohës ai mund të transformojë politikën e Europës dhe të ndihmojë kontinentin që të kapërcejë shovinizmin e rrezikshëm që po rishfaqet. Për këtë arsye, zgjedhjet europiane me një shije transnacionale nuk duhen injoruar. Kur të takohen në 28 maj, udhëheqësit europianë do të bënin mirë të nxisnin forcimin e institucioneve europianë, duke zgjedhur edhe kompetencën, edhe legjitimitetin.

* Ish Ministër i Cështjeve Ekonomike i Turqisë dhe ish Administrator i UNDP. Aktualisht Zëvendëspresident i Institutit Brookings

 

Leave a Reply

Back to top button