Analiza

HISTORIANI / Paul Johnson: A është Vladimir Putini një tjetër Adolf Hitler?

Nga Paul Johnson

paul johnsonTek “Mein Kampf” del shumë qartë që Hitleri u përpoq të bashkojë të gjithë popujt e gjuhës dhe kulturës gjermane në një shtet të vetëm, ose ndryshe Rajhun, mundësisht përmes negociatave paqësore, ose përndryshe me luftë dhe pushtime.

Për të bërë këtë, Hitlerit i duhej të zhvlerësonte kushtet e Traktatit të Versajës, që Gjermania e kishte firmosur pas humbjes së saj në Luftën e Madhe (1914-1918). Fillimisht ai marshoi në Rhineland, që ishte demilitarizuar në bazë të Traktatit, duke vendosur atje divizione të rregullt të ushtrisë dhe tanke. Aleatët – Britania dhe Franca – nuk bënë asgjë.

Më tej, Hitleri marshoi në Austrinë gjermanisht-folëse – një aneksim që njihet si Anschluss. Pasi ishin zhveshur prej perandorisë së tyre, austriakët ishin të kënaqur të bëheshin pjesë e një Rajhu të fuqishëm. Sërish, aleatët nuk bënë asgjë.

Radha i erdhi Sudetenlandit. Ky ishte një territor në kufirin e Cekosllovakisë, i banuar nga gjermanisht-folës që ishin absorbuar në shtetin e ri, kundër vullnetit të tyre. Aleatët e lejuan këtë rrëmbim territori, me një marrëveshje që u arrit në vitin 1938 në Mynih. Kryeministri britanik, Neville Chamberlain, i cili negocioi marrëveshjen, argumentoi se Hitleri thjeshtë po mbronte të drejtat e gjermanëve të Sudetenland, të cilët dëshironin t’i përkisnin Rajhut të tij.

Falsiteti i pozicionit të Chamberlainit dhe mashtrimi i Hitlerit u vërtetuan brenda pak muajsh. Aneksimi i Sudetenlandit e kishte bërë të pambrojtshëm kufirin e Cekosllovakisë, dhe në mars 1939 Hitleri e pushtoi. Cekët nuk bënë rezistencë, dhe pjesa tjetër e vendit ra në duart e Hitlerit, pa as edhe një të shtënë.

Të alarmuar, Aleatët firmosën një pakt mbrojtës me Poloninë. Por Hitleri kishte pretendime edhe ndaj polakëve, sidomos per portin gjermanisht-folës te Gdanskut. Kur ai e pushtoi në shtator 1939, Aleatët luftuan, por me ngurrim.

Nëse Aleatët do ta kishin ndalur Hitlerin që në fillim, kur ai po rimilitarizonte Rhinelandin, atëherë ai do të ishte përmbysur dhe Lufta e Dytë Botërore do të ishte shmangur. Por i vetmi që e tha këtë gjë atëherë ishte Winston Churchilli – dhe ai ishte një zë i vetmuar.

Rrjedha e sotme e ngjarjeve, drejt luftës me Rusinë, duket si një “replay” i të kaluarës. Putini është një nacionalist rus, qëllimi i të cilit është të zhbëjë ngjarjet e 1989-ës – fundin e shtetit sovjetik dhe shpërbërjen e perandorisë së madhe. Ai përpiqet ta bëjë këtë, me atë çfarë ka mbetur nga trashëgimia staliniste e Rusisë: ushtrinë, një stok të madh armësh bërthamore dhe burime shumë të mëdhenj gazi natyror, si dhe forma të tjera energjie – mjete shumë të fuqishëm këta për t’i përdorur kundër shteteve të dobët që dikur ishin pjesë e BRSS. Asnjëri nuk ka armë bërthamore, dhe shumica janë të varur nga energjia relativisht e lirë e Rusisë. Të gjithë kanë minoritete etnikë rusë, që flasin rusisht, mburren për kulturën e tyre superiore ruse dhe ankohen se i kanë katandisur në qytetarë të dorës së dytë. Putini mund të mbështetet tek këta minoritete, për të justifikuar ndërhyrjen ruse sa herë që dëshiron – sidomos në shtetet balltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë. Aneksimi i suksesshëm i Krimesë është shumë inkurajues për planet e tij të ardhshëm, dhe është e qartë që do të përdorë gjithçka që ka në dorë, përfshirë edhe forcën ushtarake, për të rindërtuar perandorinë e tij.

Hijet e Mynihut

Cfarë mund ta ndalë Putinin? Perëndimi udhëhiqet prej ekuivalentëve modernë të Chamberlainit: Presidenti Francois Hollande i Francës është një joentitet që nuk e duan as bashkatdhetarët. Kryeministri i Britanisë, Cameron dhe Kancelarja gjermane, Merkel kanë përjashtuar të dy përdorimin e forcës për të mos lejuar Putinin që të aneksojë Ukrainën. Dhe më e keqja, presidenti i SHBA, Barak Obama – i vetmi që ka fuqinë ta ndalë Putinin – nuk bën asgjë. Para tij, Neville Chamberlaini të duket si një aktivist luftëdashës.

SHBA, falë revolucionit të nxjerrjes së gazit (fracking) i ka mjetet për të plotësuar nevojat për energji të të gjithë ish shteteve sovjetikë. Mundet të dërgojë trupa dhe avionë në Ukrainë brenda 24 orëve, dhe flota e saj mund t’i ofrojë mbrojtje shteteve balltike në një mënyrë të tillë, që Putini nuk do të mundej të reagonte. Megjithatë, Obama nuk bën lëvizje decizive. Cfarë e pengon? Ka frikë? Eshtë i pavendosur? Një lloj paralize ekzekutive? Eshtë e qartë që diçka nuk shkon me presidentin e SHBA. Ndërkohë Putini, që udhëheq një shtet të dorës së dytë, sillet sikur të jetë sundimtar i Tokës.

Fatkeqësisht, nuk ka një zë Churchillian që t’u bjerë këmbanave të alarmit, dhe t’i bëjë thirrje botës demokratike që të veprojë.

Leave a Reply

Back to top button