Uncategorized

Koronavirusi kërcënon të ardhmen e Eurozonës

Komisioni Evropian paralajmëroi se pandemia e koronavirusit kërcënon të ardhmen e eurozonës, duke krijuar hendek të madh ekonomik midis 19 shteteve anëtare, gjatë atij që pritet të jetë recesioni më i thellë, që nga Depresioni i Madh.

Komisioneri ekonomik i BE-së, Paolo Gentiloni, tha se ekziston një nevojë urgjente për të lehtësuar përkeqësimin e pashmangshëm të ndarjeve ekzistuese sociale dhe ekonomike, pasi vendet do të dalin me shpejtësi të ndryshme nga rënia ekonomike. Prodhimi ekonomik i Eurozonës ka të ngjarë të zvogëlohet me një rekord prej 7.75% në vitin 2020 dhe të rritet me vetëm 6.25% në 2021, me papunësinë në rritje nga 7.5% në 2019, në 9.5%.

Gentiloni tha se aktiviteti ekonomik në BE kishte “rënë me rreth një të tretën brenda natës”, për shkak të bllokimeve të vendosura nga qeveritë evropiane. Më shumë se 1.1 milion njerëz janë infektuar nga virusi në të gjithë Evropën dhe më shumë se 137,000 kanë vdekur, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC). Gentiloni tha se ritmi i rimëkëmbjes së qeverive evropiane do të varet nga shpejtësia me të cilën mund të hiqen bllokimet, rëndësia e shërbimeve siç është turizmi në secilën ekonomi, dhe nga burimet financiare të secilit vend.

Produkti i brendshëm bruto i Greqisë parashikohet të zvogëlohet më së shumti, me 9.7%, për shkak të mbylljes së industrisë së saj turistike. Në Itali dhe Spanjë pritet të ketë rënie përkatësisht me 9.5% dhe 9.4%.

Gjermania pritet të ketë një tkurrje shumë më pak dramatike sesa shumica, dhe të shërohet më shpejt edhe pse rënia ekonomike (6.5%) pritet të jetë më e thella e vendit, që nga lufta e dytë botërore. “Kjo divergjencë paraqet një kërcënim për tregun e përbashkët dhe eurozonën – megjithatë mund të lehtësohet përmes një veprimi të përbashkët evropian,” tha Gentiloni.

Komisioni Evropian po planifikon një paketë rimëkëmbje prej 1.5 trilion Euro, e përbërë nga kredi dhe grante, por ka debate për nivelin e ndarjes së barrës.

Komisioni tha se ekonomia në Mbretërinë e Bashkuar pritet të tkurret me 8.3% deri në fund të vitit, si rezultat i masave të bllokimit, investimet janë ulur me 14% dhe papunësia do të dyfishohet. Vetëm ekonomia e Greqisë, Italisë, Spanjës dhe Kroacisë pritet të bjerë më shumë sesa e Mbretërisë së Bashkuar.

Ekonomia franceze parashikohet të tkurret me 8.2%, një shifër e ngjashme me Mbretërinë e Bashkuar, por rimëkëmbja e ekonomisë britanike ka të ngjarë të pengohet nga pengesat shtesë për tregtinë kur të përfundojë periudha e tranzicionit të Brexit. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po negocion me Brukselin mbi kushtet e tregtisë, pasi Britania të largohet nga tregu i përbashkët dhe bashkimi doganor.

Ekonomia e 27 vendeve anëtare si bllok parashikohet të bjerë me 7.5% në vitin 2020 dhe të rritet me 6.1% në vitin 2021, por “jo aq sa të kompensojë plotësisht humbjen e këtij viti”, tha Gentiloni, ish-kryeministëri i Italisë. / BBC – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button