Analiza

Koronavirusi po teston kohezionin, aleancat, por edhe demokracinë e Evropës

BRUKSEL – Përhapja e shpejtë e koronavirusit të ri paraqet një provë të rëndë për demokracitë, për Bashkimin Evropian si institucion dhe për aleancën trans-Atlantike.

Dhe deri më tani, qasja ka qenë çdo komb për vete.

Ndërsa Italia lypte ndihmë, Bashkimi Evropian u shfaq i vonuar dhe lëkundur, me vendet anëtare që injoruan thirrjet për solidaritet. Shtetet e Bashkuara, nga ana e vet, zgjodhën të përpiqen të shkëputen plotësisht nga Evropa.

Vendimi i presidentit Trump për të ndarë Shtetet e Bashkuara nga aleatët e vet evropianë përmes një ndalimi udhëtimi dhe fajësimi i tyre për mosveprim, në vend se të marrë një rol udhëheqës në bashkëpunim dhe koordinim, u konsiderua nga shumë analistë si veçanërisht i politizuar dhe i dëmshëm, veçanërisht pasi qeveritë evropiane thonë se ndalimi u vendos në mënyrë të njëanshme, pa u këshilluar me ta.

Por kërkimi i dashëve të kurbanit – së pari Kina, më pas Evropa – shihet si pjesë e politizimit të pashmangshëm të një krize, që disa po e krahasojnë me kohën e luftës.

Reagimet e demokracive – veçanërisht kur shtetet ndërmarrin hapa gjithnjë e më të ashpër, si në Itali, për të kontrolluar lëvizjen e qytetarëve të tyre, e lëre më të huajt – mund të jenë një ndihmë domethënëse për populistët e ekstremit të djathtë të Evropës, të cilët favorizojnë një shtet-komb të fortë dhe i kundërvihen imigrimit dhe globalizimit.

“Pas 11 shtatorit dhe krizës globale financiare të vitit 2008, ky është testi i tretë i madh i dinjitetit dhe aftësisë sonë për të bashkëpunuar, sepse virusi nuk respekton kufijtë”, tha Constanze Stelzenmüller, një studiues gjerman në Institutin Brookings. “Ne duhet të bashkëpunojmë të gjithë, në menaxhimin e shëndetit dhe stimulimin fiskal”.

Për Bashkimin Evropian dhe ekipin e ri në krahun ekzekutiv, Komisionin Evropian, i udhëhequr nga Ursula von der Leyen, kjo pandemi është një sfidë për qëllimin e saj për të pasur një “komision gjeopolitik”, tha Znj Stelzenmüller – “nëse shtetet anëtare e lejojnë atë”.

Ky është një provë e madhe për Bashkimin Evropian, me virusin e vendosur në krye të krizave ekzistuese të migracionit dhe sundimit të ligjit, tha Paul Adamson, themelues i Encompass, një revistë mbi Evropën. “Vlerat evropiane, solidariteti, reagimi së bashku tingëllojnë si fraza të urryera, dhe ne nuk kemi arritur ende në kulmin e përhapjes së virusit”, tha i.

Me kalimin e kohës, virusi në vetvete mund të imponojë llojin e vet të disiplinës për udhëheqësit e pamatur politikë. Virusi nuk respekton retorikën, mosveprimin, mungesën e koordinimit ose kufizimet me gropat e krijuara – të gjitha që tashmë po dalin zbuluar.

“Eshtë shumë e qartë se sa pak bashkëpunim ka pasur midis vendeve anëtare dhe sa të avashta kanë qenë qeveritë në mbështetjen e ekonomisë,” tha Rosa Balfour, nga Fondi Gjerman Marshall në Bruksel.

“Bashkimi Evropian ka zgjedhur të presë dhe të shohë”, shtoi ajo. “Virusi mund të jetë një moment transformues dhe nuk jam i sigurt se BE do të ngrihet në lartësinë e tij”.

Solidariteti ka qenë i mangët. Gjermania dhe Franca kufizuan eksportin e furnizimeve mjekësore, në kundërshtim me tregun e përbashkët evropian, dhe Austria e Republika Çeke kanë ndaluar udhëtarët nga Italia, në kundërshtim me parimin e lirisë së udhëtimit.

Edhe kancelarja Angela Merkel e Gjermanisë, e cila u vlerësua për të folurit në terma racionalë të mërkurën, kur tha që më shumë se 70 përqind e gjermanëve mund të preken nga virusi, u kritikua për mos njoftimin e masave të forta, proporcionale me atë diagnozë.

“Unë gjithashtu do të doja të shihja kancelaren gjermane të thoshte se “ne jemi të gjithë së bashku në këtë luftë”, dhe se italianët do të marrin mbështetje më të madhe nga ne”, tha Znj Stelzenmüller.

Në vend të kësaj, kjo iu la kinezëve, të cilët dërguan menjëherë ekspertë mjekësorë në Itali dhe premtuan të sigurojnë lirë 2 milion maska për fytyrën, 20,000 kostume mbrojtëse dhe 1.000 respiratorë.

“Dhe kjo thjesht ushqen retorikën e Salvinit,” tha Charles Grant, drejtor i Qendrës për Reformën Evropiane, duke iu referuar Matteo Salvinit, populisti i të djathtës ekstreme italiane, që është një kritik i fortë i imigracionit, globalizmit dhe vetë Bashkimit Evropian.

Gjërat do të përkeqësohen me ndikimin ekonomik të krizës, tha z. Grant. “Kriza e euros mund të kthehet, sepse ka shumë borxhe të këqija në banka,” veçanërisht në Itali “dhe ende nuk ka një regjim të duhur zgjidhjeje për bankat, dhe asnjë sigurim të depozitave të eurozonës”.

Populistët, tha ai, “do ta shfrytëzojnë në maksimum”.

Nëse virusi vazhdon me këtë ritëm dhe qeveritë reagojnë më pak efektivisht, sesa në Korenë e Jugut ose Singapor, kritika “do të ndezë edhe më shumë një klimë politike tashmë të trazuar, me zhgënjim të përgjithshëm dhe pakënaqësi ndaj qeverisë”, tha Simon Tilford, drejtori i Forumit të Ekonomisë së Re, një institucion kërkimor në Berlin.

Këto zhgënjime do të përkeqësohen nga tronditja e rëndë ekonomike që virusi ka të ngjarë të shkaktojë, në një Evropë që edhe kështu është pothuaj pa rritje ekonomike, tha ai.

“Nëse qeveritë menaxhojnë keq reagimin e politikës ndaj rënies ekonomike, reagimi politik mund të jetë toksik brenda vetë shteteve anëtare, dhe për Bashkimin Evropian,” tha Z. Tilford. Italia është veçanërisht shpërthyese, sipas tij.

“Tashmë ka një reagim kundër globalizmit dhe hapjes atje, një ndjenjë e fortë se vendi ka qenë në anën humbëse të globalizmit dhe euros, që elita nuk e ka mbrojtur interesin kombëtar, dhe se Italia tashmë është lënë në baltë nga BE-ja sa i përket migracionit”, tha zoti Tilford.

Virusi, tha ai, “është qartësisht një dhuratë për të djathtën populiste në Evropë”.

Marrë me shkurtime nga New York Times – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button