Bota

Coronavirusi si thirrje për zgjim

Koronavirusi na tregon sa të papërgatitur jemi për të përballuar rreziqet biologjike

Margaret Hamburg*

Mark Smolinski*

Në vitin 2011 një virus i ri, MEV-1, doli nga Kina dhe u përhap shpejt në të gjithë botën, duke vrarë 2.5 milion njerëz në SHBA dhe 26 milion në mbarë botën.

Ky shpërthim nuk ishte real – ishte historia e filmit Contagion, duke ofruar një pamje të stilit Hollivudian, të panikut që shoqëron një pandemi globale. Për momentin, ne jemi në mes të një shpërthimi shumë të vërtetë, që përhapet në të gjithë botën nga Kina. Shpërthimi i vërtetë dhe ai imagjinar janë të lidhur në një mënyrë të rëndësishme: një virus bëri “kërcimin” në një botë të papërgatitur.

Ky shpërthim i ri është edhe i frikshëm, edhe i njohur. Duke hedhur sytë pas gjatë shumë dekadave, shpërthimet virale të kohëve të fundit janë pjesë e një modeli që tani njihet mirë. Ndodh kështu: Një virus që jeton tek kafshët, bën kërcimin te njerëzit. Ndoshta ndodh në një treg të kafshëve të gjalla, siç është ai në Vuhan, Kinë, që fillimisht autoritetet e konsideruan si burimin e shpërthimit aktual, ose mbase ai vinte nga ndonjë burim tjetër kafshësh. Njerëzit fillojnë të sëmuren dhe përhapin infeksionin rreth e rrotull. Askush nuk i kushton vëmendje me ditë, javë ose madje edhe muaj të tërë, nëse shumica e rasteve janë të butë dhe kalojnë pa u vënë re, ose supozohet se bëhet fjalë për sëmundje të tjera të njohura, që qarkullojnë në rajon.

Ndonjëherë publiku nuk është i vetëdijshëm për një kërcënim të ri potencial, sepse autoritetet heshtin për të mos shkaktuar panik ose zemërim, nëse gabojnë për detajet e hershme. Pastaj, papritmas, zbulohet një shpërthim, bie alarmi, publiku kthen sytë dhe bota mbështillet në një krizë globale.

Kriza aktuale është shkaktuar nga një koronavirus – një klasë patogjenësh që përfshin të ftohtin e zakonshëm, që do të thotë se është një version i ri i një armiku të vjetër. Ky virus i veçantë, i quajtur 2019-nCoV, duket se përhapet nga njeriu tek njeriu mjaft shpejt, dhe tashmë ka pasoja të rënda për shëndetin publik. Ndërsa shumë prej rasteve të konfirmuara janë raportuar si të buta, ky koronavirus i ri po shkakton vdekje dhe sëmundje të rënda, veçanërisht për grupet e prekura si të moshuarit dhe ata me imunitet të dobësuar. Dhe ka shkaktuar ndërprerje në udhëtime, tregti, aktivitet ekonomik dhe produktivitet.


Gripi zakonisht vret 1/10 e një përqind të njerëzve që infektohen, por shkakton vdekjen e 30 mijë njerëzve në vit


Ne duhet ta marrim shumë seriozisht, tani. Ende nuk dimë shumë rreth virusit dhe konturet e shpërthimit që ai po shkakton – dhe as çfarë mund të bëhet nëse pëson mutacion, gjë që është një tipar i natyrshëm i koronavirusëve. Përtej shqetësimeve të shumta për këtë shpërthim të veçantë, është meraku për modelin e alarmit dhe të vetëkënaqësisë, që duket se karakterizojnë reagimin e botës në ngjarje të tilla. Eshtë i njëjti model që kemi parë gjatë shpërthimit të SARS në 2002–3, H1N1 në 2009, MERS në 2012 dhe Ebola në 2014. Çdo herë, shpërthimi tërhoqi vëmendjen e publikut dhe politikanëve. Dhe çdo herë, ndërsa frika davaritej, i linte vend vetëkënaqësisë.

Sa më gjatë të vazhdojmë ta përsërisim këtë model, aq më shumë do të duhet të përballemi me shpërthime të tilla, dhe aq më shumë njerëz do të sëmuren dhe do të vdesin si pasojë. Sa më gjatë të vazhdojë ky cikël, aq më të mëdha janë gjasat që natyra të na ofrojë një gjë shumë të keqe – një patogjen që zotëron një kombinim katastrofik të vdekshmërisë dhe transmetueshmërisë.

Ky është një rrezik që nuk mund ta përballojmë.

Të panjohjurat e njohura

Në ditën e fundit të vitit 2019, 27 raste të pneumonisë nga një shkak i panjohur u raportuan nga Kina në Organizatën Botërore të Shëndetit. Shumica e të prekurve, thuhet se kishin vizituar kohët e fundit një treg të gjësë së gjallë, në qytetin Vuhan, i cili e mbylli me shpejtësi në 1 janar. Fatkeqësisht, “gjëja” e gjallë që shitej në treg nuk raportohet të jetë testuar, kur tregu u zbraz dhe kafshët u eleminuan. Në kohën kur virusi u identifikua një javë më vonë, numri i rasteve ishte rritur në 41 persona; vdekja e parë ndodhi dy ditë më vonë. Një muaj më vonë, më shumë se 17,000 njerëz dihej se ishin të infektuar dhe mbi 300 kishin vdekur. Meqenëse epiqendra ishte në Vuhan, shumica dërrmuese e rasteve ndodhen në Kinë, por raste sporadike janë konfirmuar në mbi 24 vende të tjera. Organizata Botërore e Shëndetit e shpalli atë një “emergjencë të shëndetit publik të shqetësimit ndërkombëtar”, më 30 janar.

Mjetet e gjenomikës moderne bëjnë të mundur identifikimin e një patogjeni të ri dhe deshifrimin e sekuencës së tij gjenetike, brenda disa ditësh. Për momentin, megjithatë, mbeten shumë pyetje pa përgjigje. Nga lindi ky virus i ri? Si përhapet? Sa vdekjeprurës është? A mund të përhapet nga njerëzit pa simptoma, dhe për sa kohë? Nga pikëpamja e shëndetit publik, ne ende nuk mund të identifikojmë me shpejtësi rastet e mundshme në të gjitha vendet ku njerëzit kërkojnë kujdes shëndetësor, për t’i menaxhuar ato, për të monitoruar kontaktet e tyre të ngushta dhe për të kufizuar përhapjen e vazhdueshme. Dhe ne nuk kemi një vaksinë që mund ta parandalojë. Ndërsa Kina dhe bashkësia globale mobilizohen për t’iu përgjigjur këtij kërcënimi që po shpaloset me shpejtësi, kemi ende shumë pyetje pa përgjigje – dhe shumë nevoja – në lidhje me këtë koronavirus të ri.

Ky shpërthim është një alarm zgjimi. Ai na kujton dobësinë tonë ndaj kërcënimeve të sëmundjeve infektive, në zhvillim dhe të papritura. Këto përfshijnë organizma të panjohur më parë, siç është HIV; versione të reja të patogjenëve të vjetër, si ky koronavirus; dhe patogjenë të vjetër që rindërtohen në forma të reja, siç janë ato që zhvillojnë rezistencë ndaj antibiotikëve. Ato mund të jenë mikrobe që shfaqen në vendndodhje të reja për shkak të ndryshimit të klimës, ndryshimit të praktikave bujqësore, popullsisë shumë të lëvizshme, urbanizimit dhe mbipopullimit njerëzor. Në botën moderne, një mikrob mund të udhëtojë shumë larg, shumë shpejt. Një sëmundje në një pjesë të largët të botës mund të vijë që nesër, në oborrin tuaj të shtëpisë. Të gjitha këto na bëjnë gjithnjë e më të prekshëm.


“Një sëmundje në një qoshe të largët të botës, mund të vijë në oborrin tënd që nesër”


Ky koronavirus i ri është një shembull klasik i shfaqjes së kërcënimeve të reja mikrobike dhe përhapjes së tyre. Shumica dërrmuese e sëmundjeve të reja infektive që janë shfaqur në dekadat e fundit, kanë ardhur nga kafshë që mbajnë mikrobet dhe thuhet se janë “rezervuarë”. Ngjarja që sjell kalimin tek njerëzit, ndonjëherë mund të përfshijë një grup rezervuarësh kafshërorë dhe potencialisht një grup insektesh “vektorë”, si mushkonjat, apo pleshtat. Por e thënë më thjesht, këto të ashtuquajtur patogjenë zoonotikë jetojnë në kafshë ose barten nga insekte dhe më pas “kërcejnë” te njerëzit. Kur kërcejnë, ato mund të shkaktojnë sëmundje të reja me të cilat nuk na është dashur të përballemi më parë, siç është rasti i 2019-nCoV. Fatkeqësisht, po shohim shfaqjen e disa sëmundjeve të reja zoonotike çdo vit – ndonjë prej të cilave mund të bëhet pandemia e radhës.

Edhe pse këto shpërthime janë në një kuptim të parashikueshëm, secili paraqet një enigmë më vete, për zyrtarët e shëndetit publik. Koronavirusi i parë serioz ishte SARS në vitet 2002–3, i cili, ashtu si ai aktual, e kishte origjinën në Kinë dhe mendohej se ishte përhapur te njerëzit, nga macet “civet” që mund të jenë infektuar nga lakuriqët e natës. Kur SARS goditi për herë të parë, ne patëm gjithashtu shumë boshllëqe në të kuptuarit e tij. Në fund të fundit, SARS rezultoi në mbi 8,000 raste në 29 vende, me një numër vdekjesh prej afro 800. Toronto pati një shpërthim të konsiderueshëm, dhe po kështu Hong Kongu. Por për arsye që janë ende misterioze, ne nuk patëm as edhe një rast të vetëm në SHBA. Shpërthimi i MERS në vitin 2012, i cili filloi në Arabinë Saudite dhe u përhap nga devetë (sërish me ndihmën e lakuriqëve), tejkaloi numrin e vdekjeve të SARS dhe u zbulua në 27 vende.

Që nga koha e MERS, ekspertët e shëndetit publik kanë pyetur veten, se kur dhe ku do të dilte coronavirusi i radhës. Dhe tani e kemi: 2019-nCoV.

Tani për tani, njerëzit duket se ngushëllohen nga krahasimi i koronavirusit të ri me gripin. Gripi është një sëmundje tjetër që shkon nga kafshët te njerëzit. Gripi sezonal zakonisht vret 1/10-ën e një përqind e njerëzve që infektohen, dhe më shumë ata me rrezik të shtuar. Megjithatë, kemi ende dhjetëra-mijëra njerëz që vdesin çdo vit nga gripi, sepse është kaq i përhapur – shkalla e vdekjes është e ulët, por meqë kaq shumë njerëz infektohen, numri i të vdekurve që rezulton është i lartë. Diçka si SARS ose MERS mund të vrasë, mund të themi, 2, 3 ose edhe 10 përqind të atyre që janë të infektuar, por, për fatin tonë, ato viruse nuk ishin aq të transmetueshme sa gripi. Nëse do të ishin, rezultatet mund të ishin shkatërrimtare. Nuk mund të themi ende asgjë me siguri, në lidhje me këtë koronavirus të ri.

Ne ende nuk e dimë se sa lehtë mund të transmetohet 2019-nCoV nga një person tek tjetri. Ne nuk jemi as plotësisht të sigurt, për mënyrat e transmetimit. Nëse ky virus i ri ndryshon dhe shndërrohet në diçka që përhapet më lehtë në të gjithë botën ose është më virulent, do të shohim edhe më shumë shkatërrim dhe izolim e ndërprerje. Ose mund të ndryshojë për t’u bërë më pak patogjen dhe më pak infektiv. Mund të “digjet”, siç kemi parë me SARS. Ne thjesht nuk e dimë. Të paturit e kaq shumë të panjohurave i bën të gjithë nervozë, siç duhet në fakt. Që tani mund të shohim pasojat e mëdha të shpërthimi në zhvillim e sipër – në jetën dhe shëndetin e njeriut, por edhe në udhëtimet, tregtinë, ekonomitë dhe ndjenjën tonë të besimit dhe sigurisë, tek qeveritë dhe institucione të tjera. Kërcënimi i një pandemie të vërtetë është një rrezik ekzistencial.

Shenja progresi

Nuk ka asnjë dyshim që po shkojmë drejt një progresi. Kina u zgjua nga ky shpërthim me një vëmendje më të madhe si komb, pasi e kishte kaluar këtë situatë më parë me SARS. Zyrtarët kinezë ishin më transparentë në ndarjen e lajmeve për 2019-CoV, duke i dhënë informacionet më herët në shpërthim sesa ndodhi me SARS. Progresi është gjithashtu i dukshëm në atë se si shkencëtarët kinezë, ndajnë sekuencën gjenetike të këtij virusi të ri. Kjo ka krijuar njohuri të reja mbi natyrën e këtij organizmi në zhvillim e sipër, dhe informacion kritik për të mbështetur përpjekjet për zhvillimin e shpejtë të diagnostikës dhe kundërmasave mjekësore. Si rezultat, disa diagnostikime të shpejta janë tashmë në dispozicion për të ndihmuar me testimin dhe ekzaminimin.


Kriza aktuale është shkaktuar nga Koronavirusi, një klasë patogjenësh që përfshin edhe gripin a të ftohtin e zakonshëm. Domethënë, një version i ri i një armiku të vjetër


Por në këtë moment nuk ka ilaçe, vaksina ose ndërhyrje të tjera mjekësore në dispozicion, për të trajtuar infeksionet e koronavirusit të ri (përveç lehtësimit të simptomave). Përpjekjet kërkimore janë inicuar tashmë, në përpjekjen për të zhvilluar dhe testuar terapi eksperimentale, duke u mbështetur në njohuritë tona për SARS dhe MERS. Përpjekjet për zhvillimin e vaksinave janë gjithashtu në proces, përfshirë njoftimin e fundit nga Koalicioni për Risi në Gatishmërindë ndaj Epidemive (CEPI), një partneritet inovativ midis organizatave publike, private, filantropike dhe civile, i nisur në Davos pas Ebolas, për të zhvilluar vaksinat për parandalimin e epidemive të ardhshme.

Autoritetet kineze kanë ndërmarrë masa ekstreme për të kontrolluar shpërthimin, përfshirë ndalimet e udhëtimit, kufizimet në tubime të mëdha publike, mbylljen e shkollave etj. Kanë futur gjithashtu në karantinë qytete të tëra, duke përfshirë dhjetëra-miliona njerëz. Pasojat e panikut të mundshëm, trazirave sociale dhe ndërprerjes së furnizimeve të nevojshme kur një qytet është i izoluar, do të duhet të vlerësohen kundrejt përpjekjes për të frenuar rritjen e përhapjes.

Kina nuk është vetëm, në masat e saj agresive. Ekzaminimi i udhëtarëve dhe ndalesat e udhëtimit janë tashmë të zakonshme në vendet e tjera, dhe linjat ajrore po kufizojnë rrugët që bëjnë. Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të ndalojnë hyrjen e personave që kanë udhëtuar kohët e fundit në Kinë, nëse nuk janë shtetas të SHBA ose familjarë të afërt. Masat e tilla drastike duhet të ndërmerren me kujdes. Në kushte të pasigurisë dhe frikës, politikat nuk bazohen gjithmonë në shkencën më të mirë të mundshme – megjithatë janë mundësi për të kuptuar më mirë rrezikun dhe për të eksploruar risitë, nëse marrim kohën për të qenë reflektues dhe sistematikë.

Ndërsa rastet përhapen në vendet e tjera, ne po shohim mobilizim të reagimit, në një nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Sidoqoftë, gjërat nuk janë pothuajse aty ku duhet të jenë. Së pari, shumë vende që janë potencialisht të prekshme, nuk kanë sistem shëndetësor publik të përshtatshëm. Edhe ato që janë më të sofistikuara, nuk janë aq të forta sa duhet të jenë, sa i përket zbulimit të hershëm dhe aftësive të reagimit të shpejtë.

Një nga arsyet pse është shpallur një emergjencë globale e shëndetit publik, është që të rritet vetëdija dhe të ndihmohen vendet më pak të përgatitura, që të përballojnë. Nëse ky koronavirus i ri do të përhapet në një vend që ka mungesë të infrastrukturës për të zbuluar raste dhe për të ndjekur kontakte, siç po bëhet në vende me burime më të mëdha, do të vinte në provë të vështirë jo vetëm atë komb, por sigurinë shëndetësore të të gjithëve ne. Në fakt, analiza më e fundit e Indeksit të Sigurisë Shëndetësore Globale zbuloi se asnjë shtet, askund, nuk është plotësisht i përgatitur për një pandemi.

Premtimi i gatishmërisë

Kur godet një krizë, ne zgjohemi – për pak kohë. Pastaj shtypim butonin “snooze” në zilen e alarmit. Për shembull, pas shpërthimit të SARS, OBSH përditësoi një sistem të rregullave ndërkombëtare shëndetësore, për të siguruar një seri minimal aftësish të shteteve në mbarë botën, për zbulimin e shpejtë, reagimin dhe përgatitjen për rreziqet e sëmundjeve infektive, që mund të jenë shqetësim global. Shumë vende kanë marrë masa, duke përfshirë një person të identifikuar, përgjegjës për koordinimin e këtyre përpjekjeve në secilin shtet. Megjithatë, kur ndodhi shpërthimi i Ebolësshumica e sistemeve të shëndetit publik ishin ende keqas të papërgatitura.

Tani që jemi në mes të një krize – ndërsa jemi zgjuar – është koha e duhur për të rishikuar se si mendojmë për reagimin tonë, ndaj shpërthimeve të sëmundjeve. Gjëja e parë që duhet të bëjmë është ta trajtojmë këtë çështje, jo si një reagim të izoluar emergjence, por si një përpjekje të vazhdueshme për të parandaluar që shpërthimet të ndodhin, që në krye të herës.

Kur bëhet fjalë për një shpërthim të një sëmundje infektive, shpejtësia është thelbësore. Shpejtësia e zbulimit, raportimit dhe reagimit janë të gjitha thelbësore, në mënyrë që bashkësia globale të jetë aq e përgatitur për të adresuar kërcënimin, si dhe të kufizojë ose parandalojë përhapjen. Çdo vonesë në zbulimin e një kërcënimi të ri përkthehet në përhapje më të madhe, sëmundje, telashe sociale dhe jetë të humbura.

Suksesi do të kërkojë një vazhdimësi të lidershipit, aftësive, bashkëpunimit dhe llogaridhënies — nga niveli lokal, në atë global. Transparenca fillon me raportimin e sëmundjeve të pazakonta ose grupeve të sëmundjeve, kryesisht dhe në radhë të parë nga punonjësit e kujdesit shëndetësor, vullnetarët e shëndetit në fshatra, ose nga një publik i informuar. Pasi të zbulohet një grup i pazakontë sëmundjesh ose një shpërthim i dyshuar, shkaku i sëmundjes duhet të përcaktohet shpejt, për t’i prirë një reagimi të shpejtë dhe efektiv. Autoritetet shëndetësore në nivelin lokal, rajonal dhe kombëtar kanë të gjitha përgjegjësi të ndajnë informacionin.

Në vendet me burime të mangëta, përpjekjet e hershme duhet të përfshijnë vënien e theksit në komunikimin e riskut, zbulimin e hershëm, qasjen në kujdesin shëndetësor, infrastrukturën e izolimit dhe gjurmimin e kontaktit. Pjesa më e madhe e asaj që duhet të bëhet përfshin aplikimin e parimeve të kahershme themelore të shëndetit publik, ndërsa përparimet në shkencë dhe teknologji na mundësojnë të përdorim mjete të reja dhe më të fuqishme në këto përpjekje. Kjo lejon që shkencëtarët dhe teknikët të zhvillojnë diagnostikime për të gjurmuar shpërthimin, ndërsa prodhuesit e ilaçeve dhe vaksinave të fillojnë përpjekje më të targetuara për të zhvilluar kundërmasa mjekësore.

Ne gjithashtu kemi mundësinë për të zbatuar qasje më të sofistikuara për zbulimin dhe mbikëqyrjen e sëmundjeve. Përhapjet në të cilat njerëzit nuk tregojnë simptoma të sëmundjes, por janë gjithësesi në gjendje që ta transmetojnë atë, janë më të vështirat për t’u kontrolluar. Kjo e bën edhe më të rëndësishme kapjen e atyre rasteve sa më herët. Në disa vende, fermerët dhe punëtorët në tregjet e kafshëve të gjalla, që kanë kontakte më të shumtë me patogjenë të rinj potencialë, duhet të lidhen me sisteme inovative të survejancës të udhëhequra nga komuniteti, për të raportuar simptoma të sëmundjes ose për të raportuar një kafshë të sëmurë ose të ngordhur.

Në SHBA, ne kemi një sistem të quajtur Flu Near You (Gripi Pranë Teje), ku njerëzit raportojnë simptoma të gripit çdo të hënë, për të na dhënë një ide më të mirë se sa sëmundja është duke qarkulluar në një komunitet. Gripi Pranë Teje aktualisht është duke u përshtatur për të shtuar pyetje në lidhje me koronaviruset, për të paralajmëruar popullatën, dhe për t’i bërë të fillojnë të raportojnë gjithçka që shohin. Risi të tjera në vetë-raportimin, median sociale, mësimin e makinerive dhe inteligjencën artificiale ofrojnë mundësi për të gjurmuar më shpejtë shpërthimet, në mënyrë që të ndalojmë që një rrezik diku, të shndërrohet në një rrezik kudo.

Fundi i pandemive është në të ardhmen tonë. Ne jemi larg nga realizimi i fuqisë së plotë të bashkëpunimit për të parandaluar përhapjen globale të një virusi të ri. Sidoqoftë, kemi bërë një përparim të jashtëzakonshëm në identifikimin e faktorëve kritikë për shfaqjen e sëmundjeve të reja, dhe në ndihmën për ndërtimin e aftësive për identifikimin dhe reagimin më shpejt ndaj sëmundjeve në pikat e nxehta. Nëse nuk fillojmë të transmetojmë tek njerëzit një aftësi më të madhe të të kuptuarit, se ku ka të ngjarë të shfaqen sëmundjet dhe pse ato ndodhin, do të vazhdojmë të kemi shpërthime, do të vazhdojmë t’u përgjigjemi krizave. Dhe do të pyesim veten pse publiku befasohet çdo herë që ndodhin. / NEWSWEEK – Bota.al

Margaret Hamburg, MD, ish Komisionere e Administratës së Shëndetit dhe Ilaçeve në SHBA, është Kryetare e Bordit të Shoqatës Amerikane për Përparimin e Shkencës dhe autore “Mikrobet bëhen globale: Përse sëmundjet infektive në zhvillim janë rrezik për Amerikën”.

Mark Smolinski, MD, MPH është President i EndingPandemics.org, këshilltar shkencor për “Contagion” dhe një ish Zyrtar i Inteligjencës Epidemike për Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Leave a Reply

Back to top button