Home»Analiza»Mbijetesa e BE pas Brexit, varet shumë nga bashkëpunimi Paris-Berlin

Mbijetesa e BE pas Brexit, varet shumë nga bashkëpunimi Paris-Berlin

Nga Charles Grant

Largimi i Britanisë nga Bashkimi Evropian i dha fund 2 viteve e 10 muajve të vështirë nga 29 marsi i 2017-ës, kur qeveria e Tereza Mejit evokoi Nenin 50 për të njoftuar daljen nga unioni. Gjatë asaj periudhe Brexit ka konsumuar kohë, energji dhe kapital politik në Bruksel dhe qytete të tjera të mëdha evropiane.

Bisedimet e mëtejshme me Londrën do të zgjaten në vitet në vazhdim. Por me Britaninë e ikur, evropianët do t’i kthehen sfidave të tjera me të cilat përballet unioni. Brenda Evropës, krizat e refugjatëve dhe euros, edhe pse më pak të mprehta në vitin 2019 sesa në vitet e mëparshme, janë ende të acaruara, dhe kanë potencialin të helmojë marrëdhëniet midis shteteve anëtare.

Ekonomia e kontinentit, duhet t’i përshtatet ndryshimeve të shpejta teknologjike, dhe të gjëjë rrugët për të frenuar në mënyrë drastike emetimet e karbonit në atmosferë, dhe të kapërcejë pabarazitë rajonale në thellim të vazhdueshëm.

Disa nga qeveritë e vendeve të BE-së, po abuzojnë me shtetin e së drejtës, sidomos Viktor Orban në Hungari. Bota po bëhet gjithashtu më problematike. BE është e rrethuar nga udhëheqës të dorës së fortë, që sfidojnë vlerat e saj liberale internacionaliste, dhe që e refuzojnë preferencën e saj për një rend botëror të bazuar në rregulla:Donald Trump, Vladimir Putin dhe Rexhep Taip Erdogan.

Dy të parët do të fërkonin duart, nëse BE-ja nis të shpërbëhet. Brukseli duhet gjithashtu të përballet me fuqinë në rritje gjeopolitike dhe ekonomike të Kinës, udhëheqësi autokrat i së cilës, Xi Jinping, propagandon respektimin e rregullave në tregtinë ndërkombëtare, por ndan pak nga vlerat evropiane.

Gjatë gjithë historisë së BE-së, Franca dhe Gjermania kanë garantuar “shtyllën kurrizore” të unionit dhe stabilitetin e tij. Ka pasur periudha të një bashkëpunimi të shkëlqyer mes Sharld De Golit dhe Konrad Adenauer, mes Zhorzh Pompidusë dhe Vili Brandit, mes Valeri Zhiskar d’Estenjit dhe Helmut Shmidit, Fransua Miteranit dhe Helmut Kolit, dhe midis Zhak Shirakut dhe Gerhard Shrëderit.

Kur dyshja Paris-Berlin ka sukses, formula ka prirjen të jetë e njëjtë. Për shkak se Franca dhe Gjermania kanë interesa të tilla të ndryshme, qeverisen aq ndryshe, dhe nuk bie dakord mbi kaq shumë çështje, ata e kanë ditur që nëse mund të gjejnë një qasje të përbashkët, ajo ka të ngjarë të funksionojë jo vetëm për ta, por edhe për BE-në.

Tradicionalisht, të dyja vendet vijojnë bisedimet derisa të arrijnë një kompromis. Traktati i Mastrihtit i negociuar në vitin 1991,ishte në disa aspekte fryt i kësaj formule. Një element i këtij kompromisi delikat, ishte pranimi nga Franca e ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990.

Por gjatë 15 viteve të fundit, dyshja franko-gjermane është bërë më pak e qëndrueshme, dhe në një farë mënyre ka më pak me ndikim pas zgjerimit të BE në vitet 2004-2013, që solli në union vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore dhe shtetet e Balltikut.

Kishte ndërkohë probleme me prishjen e ekuilibrave. Me ribashkimin e saj, Gjermania u bë partnerja më e madhe. Për sa kohë që ekonomia franceze eci relativisht mirë, pabarazia midis 2 vendeve nuk ishte shumë serioze. Por që nga viti 2005, dhe veçanërisht që nga kriza e euros në vitin 2010 e këtej, ekonomia gjermane ka përparuar më shumë.

Në atë kohë Angela Merkel u bë udhëheqësja kryeore e Evropës, ndërsa homologët e saj francezë ose e kundërshtonin hapur si Nikolas Sarkozi, ose qëndruan relativisht pasivë si Fransua Holond. Në një marrëdhënie gjithnjë e më të dobët, liderët gjermanë nisën ta humbin respektin për francezët.

Zgjedhja e Makron si president në vitin 2017, premtoi të korrigjojë këto pabarazi. Por strategjia e tij për të fituar mbi gjermanët duke e reformuar ekonominë franceze, ka pasur rezultate të përziera. Ekonomia franceze, po ecën realisht më mirë falë reformave të Makron, por edhe falë ngadalësimit të ekonomisë gjermane.

Dallimet në formë dhe përmbajtje, kanë kontribuar në luhatjet që ka pasur ky raport, ndërsa BE-ja hyn në një epokë post-Brexit. Në thelb, Gjermania është e kënaqur me mënyrën e funksionimit të BE-së dhe të eurozonës, dhe sheh më shumë rreziqe sesa mundësi të reja tek një reforme thelbësore e saj.

Ndërkohë francezët mendojnë se BE-ja nuk është përballur kurrë me sfida të mëdha, dhe rrezikon ajo të “shtrydhet” në rivalitetin midis SHBA-së dhe Kinës. Për sa i përket stilit, Makron është një president relativisht i ri, ndërsa Merkel po i afrohet fundit të qeverisjes së saj të gjatë.

Ndërkohë Franca dhe Gjermania, bashkëpunojnë mirë në shumë fusha.

Dy vendet kanë rënë pak a shumë dakord mbi reagimin e BE-së ndaj krizës së emigracionit dhe refugjatëve, mbi klimën dhe Marrëveshjen e Re të Gjelbër në Evropë, për emërimet në postet kyçe të BE, mbi trajtimin e krizës së Ukrainës dhe mbi Brexit. Kjo e fundit, e bën bashkëpunimin franko-gjerman edhe më të domosdoshëm.

Por gjithashtu në disa aspekte, edhe më të vështirë. Britania ka shërbyer si një lloj “valvul sigurie” në marrëdhëniet franko-gjermane. Kur Franca grindej me Gjermaninë për çështjet e sigurisë, ajo mund të flirtonte me Mbretërinë e Bashkuar. Kur Gjermania nuk binte dakord me Francën mbi tregtinë e lirë dhe zgjerimin e BE-së, ajo mund të fliste me britanikët.

Tani secila ka pak alternativa në dispozicion. Komisioni Evropian, do të luajë një rol kryesor në negocimin e marrëdhënieve të ardhshme tregtare midis Britanisë dhe BE-së. Roli i Merkelit dhe Makronit, do të jetë parësor. Ata e kuptojnë se si Putin ashtu edhe Trump, janë shumë të kënaqur nga prishja e unitetit evropian, të shkaktuar nga Brexit.

Makron dhe Merkel, kanë folur të dy për një Këshill të Sigurimit Evropian (ESC). Nga këndvështrimi i Francës, një avantazh nga një institucion i tillë mund të jetë përfshirja e Britanisë në diskutime mbi çështjet e mëdha me të cilat përballet Evropa, të tilla si Rusia, Kina ose Lindja e Mesme, dhe parandalimi i një afrimi më të madh të Londrës me Uashingtonin.

Debati më i madh mes Parisit dhe Berlinit, mbetet qeverisja e eurozonës. Makron beson se në planin afatgjatë, nevojitet një buxhet i madh i eurozonës, për të siguruar mbështetje për anëtarët që përballen me vështirësi ekonomike, siç ishte rasti i Greqisë dhe të tjerëve që nga viti 2010. Por Merkel ka rezerva të mëdha mbi këtë propozim.

Tensione midis 2 vendeve, ekzistojnë mbi luftën tregtare BE-SHBA, taksimin e kompanive të mëdha amerikane të teknologjisë. Por jo më pak më të rëndësishme janë divergjencat mbi zgjerimin e BE-së. Në nëntorin e vitit të shkuar, Franca vendosi veton kundër fillimit të bisedimeve të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Për Berlinin, që e konsideron Ballkanin shumë të rëndësishëm, kjo qasje ka të bëjë me frikën e Makron se Marin Lë Pen, do të shfrytëzojë mungesën e popullaritetin të zgjerimit të BE-së, gjatë zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Por francezët, mendojnë se që zgjerimi i tepërt, e dobëson kohezionin dhe institucionet e BE-së.

Ata do të bien dakord të nisin bisedimet e pranimit, vetëm nëse BE e reformon procesin e saj të zgjerimit. Edhe politika e re e Francës ndaj Rusisë, po e irriton Gjermaninë. Në një fjalim para diplomatëve francezë në gusht 2019, Makron tha se dëshironte të përmirësonte marrëdhëniet me Rusinë, për të ndihmuar në trajtimin e problemeve ndërkombëtare si Siria dhe terrorizmi islamik, dhe për të parandaluar rënien e pakthyeshme të saj në orbitën e Kinës.

Gjermania u mërzit pse Makron po vepronte pa u konsultuar me të. Për Berlinin, një afrim

me Moskën mund të ndodhë vetëm pas arritjes së paqes në Ukrainë, dhe nëse Kremlini tregon respekt ndaj ligjeve ndërkombëtare. Ndërsa hyn në një fazë të re të historisë së saj, BE-ja mund të arrijë shumë pak në rast se Franca dhe Gjermania nuk punojnë bashkë. Pavarësisht nga ankthi që e ka përndjekur këtë marrëdhënie, çdo brez udhëheqësish në Paris dhe Berlin, e mëson këtë të vërtetë. / “New Statesman” – Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *