Home»Histori»Po jetojmë ende në botën që krijoi Stalini

Po jetojmë ende në botën që krijoi Stalini

Nga Diana Preston

Nëse do të pyesni sot ekspertët e sigurisë globale mbi ato pjesë të botës që i mbajnë natën zgjuar, 3 të parat do të ishin ndoshta Ukraina dhe Krimea, Gadishulli Korean dhe Evropa Perëndimore pas Brexit.

Rastësisht, problemet me të cilat po përballen që të treja këto rajone, mund të gjurmohen tek një konferencë e shkurtër e ndodhur 75 vjet më parë. Takimi, në resortin turistik të Jaltës në Krime, bëri bashkë 3 udhëheqësit kryesorë të forcave aleate, Frenklin Ruzvelt, Uinston Çërçill dhe Josif Stalini.

Lufta po mbaronte, dhe ata ishin aty për të përcaktuar se çfarë do të ndodhte më pas. Ndër çështjet më të ngutshme, ishin kufijtë dhe liritë e ardhshme demokratike të Polonisë, të cilat Ruzvelit dhe Çërçilli ishin zotuar që t’i mbronin.

Por në shkurtin e vitit 1945, Ushtria e Kuqe kishte nën kontroll pjesën më të madhe të Evropës Lindore. Stalini thoshte shpesh se “ai që pushton një territor, i imponon atij sistemin e tij shoqëror”, dhe Bashkimi Sovjetik ishte thjesht shumë i fuqishëm për t’i rezistuar.

Ruzvelti dhe Çërçilli, kërkuan me ngulm në të drejtën e vetëvendosjes për Poloninë dhe vendet e tjera të Evropës Lindore. Por në fund, ata morën vetëm premtime në letër, të cilat Perëndimi nuk kishte asnjë mënyrë për t’i zbatuar, dhe që Stalini do t’i shkelte brenda disa javësh.

Polonia ishte arsyeja së përse Britania hyri fillimisht në luftë kundër Gjermanisë, një fakt që Çërçilli nuk e harroi as atë muaj. Madje sapo u kthye nga Jalta, ai u kërkoi komandantëve të tij ushtarakë të vlerësonin koston e përdorimit të forcës, për ta detyruar Stalinin t’i jepte Polonisë një marrëveshje të drejtë.

Përgjigja ishte 45 divizione anglo-amerikane, disa divizione polake, dhe 100.000 trupa gjermane të riarmatosura. Komandantët i vunë nofkën “Operacioni i Pamendueshëm” idesë së një lufte kundër Bashkimit Sovjetik, dhe natyrisht ajo ishte një ide e tillë. Një vit më vonë, Çërçilli deklaroi se një “perde e hekurt” kishte zbritur në mes të Evropës.

Ndonëse Bashkimi Sovjetik u shemb rreth 30 vjet më parë, ndarja dhe vatrat e konflikti mbeten. Nuk është rastësi që aksi i ndarjes midis Rusisë dhe Perëndimit, është mbi Krimenë dhe pjesë të Ukrainës, të aneksuara së fundi nga Vladimir Putini. Ashtu si në vitin 1945, udhëheqësit perëndimorë e dinë se kanë disa mundësi të vlefshme presioni, përtej atij moral, mbi rusët pushtues.

Stalini thoshte dikur:”Nëse keni frikë nga ujqërit, mos hyni në pyll!”. Dhe hyrja në “pyllin” e Putinit, duket të jetë jo më pak problematike. Konferenca e Jaltës, la trashëgimi të tjera shqetësuese. Një nga objektivat kryesore të Ruzveltit në atë takim, ishte të siguronte hyrjen e Bashkimit Sovjetik në luftën kundër Japonisë, për t’i kursyer jetën miliona ushtrarëve amerikanë, që besohej se do të sakrifikoheshin gjatë pushtimit të ishujve japonezë.

Një hyrje në luftë në kohë e sovjetikëve, mund ta detyronte Japoninë të dorëzohej. Prandaj ai pranoi me lehtësi kërkesat e Stalinit për lëshime territoriale dhe të llojeve të tjera, në kurriz të aleates së Amerikës, Kinës. Stalini kërkoi gjithashtu lëshime të ardhshme nga një Japoni e mposhtur.

Pastaj, vetëm 5 muaj më vonë, 3 udhëheqësit aleatë mësuan se Shtetet e Bashkuara kishin testuar një bombë bërthamore, dhe pak javë më vonë dy prej tyre u hodhën mbi Japoni. Pasja e një arme të re të fuqishme më herët sesa dyshonin shumë njerëz, përfshirë Ruzveltin dhe Çërçillin, e bëri të panevojshme ndërhyrjen sovjetike në frontin e Paqësorit.

Duke e kuptuar menjëherë këtë, Stalini përshpejtoi planet e tij për të sulmuar Japoninë. Më 9 gusht 1945, 3 ditë pas hedhjes së bombës atomike në Hiroshima, dhe ditën kur një tjetër bombë u hodh në Nagasaki, Ushtria e Kuqe mësyu në Mançurinë e pushtuar nga japonezët dhe në Korenë e Veriut, të pushtuar nga Japonia që nga viti 1910, duke përparuar me shpejtësi drejt paralelit 38-të.

Udhëheqësi komunist korean Kim Il-Sung, mbërriti në Piongiang me uniformën e një majori të Ushtrisë së Kuqe, dhe me mbështetjen e Moskës mori pushtetin në veri. Ishte krijuar terreni për krijimin e Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut, për shpërthimin e Luftës Koreane, dhe për ndarjen dhe për destabilitetin e vazhdueshëm që vjen ende sot nga dinastia Kim.

Një trashëgimi tjetër ndoshta më pak e dukshme e Konferencës së Jaltës, është marrëdhënia shpesh problematike mes Britanisë dhe Francës, dhe mes Britanisë dhe Bashkimit Evropian. Gjenerali Sharls De Gol, udhëheqësi i forcës Francezët e Lirë, këmbënguli të kishte një ftesë në atë konferencë, por Ruzvelti, Çërçilli dhe Stalini refuzuan.

Aq i madh ishte zëmërimi i De Golit, sa që gjatë konferencës ai u drejtoi një mesazh francezëve, duke u thënë se nuk do t’i bindej asnjërit prej vendimeve të konferencës, por se do të ndiqte një linjë të pavarur. Përjashtimi i De Golit nga Jalta, ushqeu mosbesimin e tij në rritje, ndaj asaj që ai shihte si një hegjemoni anglo-amerikane pas luftës.

Në vitet 1963 dhe 1967, ai vuri veton ndaj anëtarësimit të Britanisë në Komunitetin Evropian. Në vitin 1966, ai e tërhoqi Francën nga struktura aktive e komandës së NATO-s. Britania iu bashkua BE-së vetëm në vitin 1973. Po ta kishte bërë këtë më herët, mund të ishte integruar më mirë në bllok.

Edhe pse është e pamundur të dihet me siguri, referendumi i Brexit 43 vjet më vonë, mund të mos kishte ndodhur kurrë. Shumë historianë e konsiderojnë Jaltën si një konferencë pazaresh,  madje edhe tradhëtish. Në vitin 2005, presidenti amerikan Xhorxh W.Bush, i krahasoi rezultatet e Jaltës me ato të Marrëveshjes famekeqe të Mynihut të vitit 1938:një pazar skandaloz me një diktaturë.

Jalta i la padyshim popujt e Evropës Lindore nën kthetrat e Bashkimin Sovjetik për gati gjysmë shekulli. Por udhëheqësit perëndimorë, kishin shumë pak ndikim ndaj Stalinit, sidomos për shkak se Bashkimi Sovjetik kishte një pretendim të fortë moral për përfitimet e pasluftës, pasi kishte pësuar më shumë dëme gjatë luftës.

Edhe pse diku tjetër, aleatët perëndimorë realizuan shumicën e objektivave të tyre. Kështu Ruzvelti, siguroi një marrëveshje për ëndrrën e tij të dashur të themelimit të Kombeve të Bashkuara. Megjithëse mekanizmi i vetos, për të cilin u ra dakord në Jaltë, e dëmton shpesh punën e Këshillit të Sigurimit në adresimin e mosmarrëveshjeve midis fuqive të mëdha, organizata është një forcë efektive e ruajtjes së paqes në botë, dhe shumë agjenci të saj, si Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Komisioneri i Lartë për Refugjatët, bëjnë një punë me shumë vlerë.

Edhe Çërçilli e arriti synimin e tij – megjithëse për një kohë të shkurtër – për të ruajtur Perandorinë Britanike. Transkriptet e Konferencës së Jaltës, zbulojnë shumë mbi personalitetet e 3 liderve, por edhe mbi politikën e tyre. Të çarat në marrëdhënien dikur të ngushtë midis presidentit të ftohtë dhe të diatancuar amerikan, dhe kryeministrit britanik shpesh emocional, ishin të dukshme.

Për Ruzveltin, ishte shfaqja e fundit në skenën botërore. Pas një rënie të dukshme fizike, ai vdiq 2 muaj më vonë. Çërçill mori pjesë në konferencën tjetër të aleatëve në Potsdam të Gjermanisë, por u zëvendësua pas disa ditësh në diskutime nga kryeministri i ri, Klement Etli. Në fund mbeti vetëm Stalini. Bisedimet gjeopolitike, sillen gjithmonë rreth personaliteteve dhe strategjive të njerëzve të përfshirë në to.

Më të avantazhuar, janë ata që kanë objektivat më të pakompromista, dhe vizionin e vendosmërinë për t’i arritur ato. Në Jaltë ai ishte mjeshtër i detajeve, dëshmoi vendosmëri, dhe pati aftësinë e zbulimit dhe shfrytëzimit të dobësive të të tjerëve. Një zyrtar i lartë britanik, e konsideroi atë si “më mbresëlënësin nga të tre burrat”, duke qenë “shumë i qetë dhe i përmbajtur”. Treçerek shekulli më vonë, trashëgimia e Stalinit po dikton ende çështjet globale.

Shënim: Diana Preston, është autore e librit “Tetë ditë në Jaltë: Si Çërçilli, Ruzvelti dhe Stalini themeluan botën e pasluftës”. / New York Times – Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *