Histori

Washingtoni në flakë

Ja se cilat qenë ngjarjet që çuan në djegien e kryeqytetit të ri amerikan nga trupat britanikë në gushtin e 1814 dhe impakti që pati “fatkeqësia më e madhe e shkaktuar ndonjëherë ushtrive amerikane” ndaj Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Kanadasë

Graeme Garrard

washKur James Madison, Presidenti i 4-ët i Shteteve të Bashkuara dhe “Baba i Kushtetutës”, nënshkroi një deklaratë lufte kundër Britanisë me 18 qershor 1812, vështirë se do të kishte imagjinuar që 2 vjet më vonë do të arratisej nga kryeqyteti në flakë përpara ushtrisë pushtuese. Në fillim të “Luftës së 1812”, hera e parë që Shtetet e Bashkuara i kanë shpallur luftë një vendi tjetër, miku dhe paraardhësi i tij si President, Thomas Jefferson, kishte deklaruar me arrogancë se lufta kundër kolonive britanike në atë që është sot Kanadaja do të “ishte një çështje e thjeshtë marshimi”. Ndërsa Madison braktiste Shtëpinë e Bardhë majë kalit me enturazhin e tij dhe nxitonte drejt Virginia me 24 gusht 1814, ai ndaloi dhe shikoi prapa teksa po largohej nga qyteti i shkatërruar i Washington.
Tymi që dilte nga flakët që e përshkonin mund të shikohej larg deri në Baltimore të shtetit Maryland. Megjithëse nuk la asnjë rrëfim personal të ndjenjave të tij rreth këtyre ngjarjeve dramatike, Presidenti që normalisht nuk e humbiste ekuilibrin duhet të ketë qenë thellësisht i tronditur nga kthesa që ato patën marrë, siç kanë qenë shumica e amerikanëve. Ajo çka shumë kritikë të brendshëm të tij e kanë quajtur me të tallur “Lufta e Zotit Madison” kishte çuar në pushtimin e vetëm të huaj të kryeqytetit amerikan në histori. Ushtarë dhe marinarë nën Gjeneralmajorin Robert Ross dhe Kundëradmiralin Sër George Cockburn vunë në flakë ndërtesat publike të Washington, përfshi këtu Senatin, Dhomën e Përfaqësuesve, Bibliotekën e Kongresit, godinën e Thesarit, Departamentit të Shtetit dhe Luftës, historiken Navy Yard dhe Shtëpinë e Presidentit (siç njihej në atë kohë Shtëpia e Bardhë). Saktësisht dy shekuj më vonë, pak njerëz në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani kanë dijeni për këtë poshtërim kombëtar, “fatkeqësinë më të madhe të shkaktuar ndonjëherë ushtrive amerikane”.
Lufta e 1812 filloi kure një seri provokimesh nga ana e britanikëve zemëruan segmente të opinionit amerikan gjatë luftërave me Napoleonin. Shumë amerikanë panë një mundësi të papërmbajtshme për rrëmbyer copëra të mëdha kolonish të mëdha dhe pak të populluara britanike në veri të tyre, ndërsa Britania ishte e zënë duke luftuar me të në Europë. Disa bile besuan se ky ishte “fati i paracaktuar” i tyre për ta bashkuar të gjithë kontinentin, nga Arktiku në Rio Grande, nën një flamur (atë amerikan). Në prag të luftës, John Quincy Adams shkruante se “i gjithë kontinenti i Amerikës Veriore duket i paracaktuar nga Dora e Zorit që të banohet nga një komb, të flasë një gjuhë, të besojë në një sistem besimi fetar dhe parimesh politike”. Kur dështuan që ta marrin nën kontroll Amerikën Veriore Britanike, ata u kthyen nga jugu dhe pushtuan Meksikën në vend të saj. Megjithatë, amerikanët qenë thellësisht të ndarë në dëshirueshmërinë e një lufte të dytë pavarësie me Britaninë. Votimi kongresual që e sanksionoi atë që më i ngushti formalisht që çoi në një deklarim lufte në historinë amerikane. Asnjë prej 30 federalistëve opozitarë në Kongres nuk votoi pro. Dhoma e Përfaqësuesve e mbështeti thirrjen në armë të Madison me 75 vota pro dhe 49 kundër, ndërsa Senati votoi ngushtë 19 në favor dhe 13 kundër. Pati kërcënime serioze largimi prej Unionitt nga New England, ku lufta ishte jashtëzakonisht jopopullore. Pas dy vitesh luftime asnjëra palë nuk kishte shumë për treguar për përpjekjet dhe gjakderdhjet e saj. Megjithatë, me shpartallimin e Napoleonit dhe rivendosjen e monarkisë burbone në Francë në fillim të 1814, sasi të mëdha trupash britanike u bënë të gatshme për të luftuar amerikanët. Një forcë e vogël trupash të stërvitura britanike nga ushtria e Dukës Wellington u dërgua në Bermuda nën Gjeneralin Ross, një veteran irlandez i dekoruar i Luftës Gadishullore, të cilit ju dha komanda e përgjithshme e ushtarëve britanikë në bregdetin lindor të Shteteve të Bashkuara. Ata lundruan drejt Washington dhe u ankoruan në qytetin Benedict të shtetit Maryland në Patuxent River, 45 milje në jug të Washington, me 19 gusht 1814.
Këtu ato bashkuan forcat me një batalion të Royal Marines nën drejtimin e Admiralit Sër George Cockburn, i cili komandonte një flotë modeste anijesh të Royal Navy që kish sulmuar dhe plaçkitur vendbanime të izoluara përgjatë brigjeve të Chesapeake Bay. Si rezultat u ofrua një shpërblim në Shtetet e Bashkuara prej 1000 dollarësh për kokën dhe 500 dollarë për secilin prej veshëve të tij. Ross dhe Cockburn i raportonin Nënadmiralit Sër Alexander Cochrane, Komandant i Përgjithshëm i stacioneve të Royal Navy në Amerikën Veriore dhe Inditë Perëndimore.
Energjiku dhe kokëforti Cockburn, i cili kishte luftuar me Admiralin Nelson në Betejën e Cape St Vincent, i shkruante Cochrane me 17 korrik duke i rekomanduar një sulm të menjëhershëm ndaj kryeqytetit amerikan të mbrojtur keq për “efektin politik më të madh që ka gjasa të rezultojë”. Me 18 korrik, Cochrane urdhëroi vartësin e tij të etur “që të shkatërronte dhe rrafshonte qytete dhe distrikte të tilla të cilat ju mund t’i gjeni të pambrojtura”. Ross dhe Cockburn i bashkuan forcat dhe ranë dakord të marshonin drejt Washington nën komandën e të parit. Kur i maturi Cochrane i urdhëroi që të ktheheshin, Cockburn refuzoi me shpërfillje. “Tani nuk na mbetet asnjë zgjedhje. Duhet të vazhdojmë”. Ross ra dakord. “Kështu do të bëjmë! Do të vazhdojmë!”, deklaroi Gjenerali. Pak më larg, në Washington, Sekretari amerikan i Luftës John Armstrong tallej me idenë se britanikët do të ishin aq budallenj sa të sulmonin kryeqytetin amerikan, i cili ishte pothuajse i pambrojtur. Ai ishte i sigurt se ata do të ktheheshin drejt Baltimore. “Sigurisht që nuk do të vijnë këtu!”, i parashikoi plot besim Presidentit. “Çfarë dreqin do të donin këtu? Jo! Jo! Baltimore është vendi, Sër. Kjo është me shumë më tepër pasoja”. Më tej parashikoi (gjithashtu gabim) se, nëqoftëse britanikët guxonin të lëviznin kundër Ëashington, sulmi i tyre do të përfundonte si “një urra kozake e thjeshtë, një marshim i shpejtë dhe një tërheqje e ngutur”.
Ushtarakisht, pikëpamja e Armstrong nuk ishte e paarsyeshme. Në atë kohë Washington ishte pak më shumë se një fshat plot pluhur me 13000 banorë dhe skllevër, i ndërtuar me pak shtëpi në moçalishte. Pennsylvania Avenue, e cila më pas do të bëhej “Rruga kryesore e Amerikës”, që shkonte midis godinës së Kapitolit dhe Shtëpisë së Presidentit, ishte në atë kohë e pa shtruar dhe “gjithnjë në një gjendje të tmerrshme prej balte ose pluhuri”. Por Armstrong e gjykoi seriozisht gabim domethënien simbolike e kapjes dhe djegies së kryeqytetit të vendit të ri dhe efektin që një gjë e tillë do të kishte mbi moralin amerikan. Përpara se të marshonin mbi Washington, Ross dhe Cockburn i drejtuan trupat e tyre kundër një force amerikane të organizuar me ngut afër fshatit të qetë Bladensburg në shtetin Maryland, pak milje larg nga qendra e Washington. Gjatë luftimeve, Cockburn lëvizte me shkujdesje nëpër fushëbetejë i hipur mbi kalin e tij të bardhë, me kapelen e tij të madhe me fije floriri në diellin e gushtit. Kur një plumb i goditi shalën dhe një tjetër vrau një ushtar afër, një adjutant ju lut që të shkonte në një vend të mbrojtur. “Pu! Pu! Pakuptim!”, shfryu Admirali.  Mbrojtësit amerikanë u mundën nga britanikët me 24 gusht në Betejën e Bladensburg, duke zhdukur kështu pengesën e fundit domethënëse të kryeqytetit.
Ross dhe Cockubrn drejtuan një gardë të vogël pararojë drejt Capitol Hill në Washington nën një flamur armëpushimi për të akorduar termat. Të dy komandantët qenë në ujdi të plotë se plaçkitja dhe shkatërrimi i kotë i pronës private nuk do të tolerohej në asnjë rrethanë nga trupat e tyre dhe kjo ju bë e qartë amerikanëve të mundur. Në fund 7 ushtarë do të fshikulloheshin për mosbindje ndaj këtij urdhri. Por e panë shkatërrimin e ndërtesave publike si lojë kalamajsh. Në të vërtetë, ajo ishte në zemër të ekspeditës. Ndërsa Ross dhe Cockburn u nisën drejt Capitol Building një grup kokëfortësh qëlluan një breshëri nga një shtëpi aty afër, duke vrarë një ushtar britanik. Kali i Gjeneralit ra i vrarë nën të. Shtëpua u dogj menjëherë dhe flamuri i Mbretërisë u ngrit mbi Kapitolin amerikan.
Pushtuesit u impresionuan nga madhështia e Senatit dhe e Dhomës së Përfaqësuesve me pjesët e brendshme elegante të tyre, që në atë ndaheshin përkohësisht nga një strukturë e drunjtë e përkohshme që bashkonte të dy krahët e Capitol Building ende të papërfunduar, ku ortunda qendrore e dallueshme do të ndërtohej më vonë. Të gjithë ndërtesës ju vu flaka me predha dhe pishtarë, duke i prerë të dy krahët, të cilat u dogjën mizorisht. Biblioteka e Kongresit (në atë kohë e vendosur në zyrat e liderit të shumicës në Senat) u konsumua nga flakët, duke i marrë më vete 3000 vëllimet e saj. Por muret e trasha prej guri të Kapitolit mbijetuan, duke lënë një skelet bosh të djegur. Cockburn në majë të kalit më pas i drejtoi trupat poshtë Pennsylvania Avenue nga Shtëpia e Presidentit. “Madison shkurtabiq i Madh” (i cili ishte vetëm 162 centimetra i gjatë) dhe bashkëshortja e tij Dolley, ndarazi, qenë larguar vetëm pak orë më parë. Ross dhe Cockburn gjetën një ndërtesë 24 dhomëshe elegante të shkretë që ishte pajisur me shije nga Thomas Jefferson gjatë presidencës së tij. Një tavolinë e madhe ngrënieje ishte shtruar me kujdes për 40 të ftuar; Dolley Madison po priste kabinetin për drekë në orën 15 të po asaj pasditeje. Cockburn, Ross dhe trupat e tyre ju sulën ushqimit dhe ngritën dolli për shëndetin e Princit Regjent në Londër përpara se t’i mblidhnin të gjitha orenditë në dhomën me formë ovale që t’i vinin flakën. Shtëpia e Presidentit u dogj deri të nesërmen. Ashtu si Capitol Building, muret e jashtme të rënda i mbijetuan flakëve, ndërsa pjesa e brendshme dhe orenditë e saj u dogjën plotësisht.
Të kursyera nga këto flakë qenë një kopje e portretit tip “Lansdowne” të George Washington, pikturuar nga Gilbert Stuart dhe që e kish marrë emrin nga Markezi Lansdowne, Kryeministri britanik që pati negociuar marrëveshjen e paqes më kolonët amerikanë në 1783. Ajo paraqet uashingtonasin e tërhequr që fisnikërisht nuk pranon një mandat të tretë si President. Qeveria amerikane bleu një kopje të portretit për Shtëpinë e Presidentit në 1800. Me 24 gusht  1814 ajo u var në dhomën e madhe të ngrënies. Krediti për shpëtimin e pikturës u pretendua dhe zakonisht i është dhënë Dolley Madison, e cila qëndroi prapa në shtëpi pasi i shoqi dhe ofiqarët qenë larguar, duke mbikëqyrur ngarkimin e sendeve personale në një karrocë përpara se të largohej pak kohë përpara mbërritjes së britanikëve. Duke drejtuar gishtin nga portreti i Washington, ajo thuhet të ketë urdhëruar “Shpëtojeni këtë pikturë! Shpëtojeni këtë pikturë nëse është e mundur. Nëse jo, shkatërrojeni. Në asnjë mënyrë ajo nuk duhet të bjerë në duart e britanikëve!”. Kanavaca u hoq nga korniza dhe u largua në ruajtje. Ky rrëfim u sfidua më pas nga Paul Jennigns, skllavi dhe shërbëtori 15 vjeçar i Madison, i cili shkroi një memuar të shkurtër, të titulluar “A Colored Man’s Reminiscences of James Madison”, shumë vite më vonë, që e kundërshton prerazi Zonjën e Parë: Shpesh është deklaruar në shtyp se kur Zonja Madison u largua nga Shtëpia e Bardhë, ajo e hoqi nga korniza portretin e madh të Washington (tani në një prej dhomave të pritjes atje) dhe e mori me vete. Ajo nuk kishte aspak kohë që ta bënte një gjë të tillë. Do të duhej një shkallë për ta hequr nga muri. Gjithçka që ajo mori me vete qe argjendaria në çantën e saj, teksa britanikët mendohej se ishin disa blloqe më larg dhe priteshin nga çasti në çast.
Jennings identifikoi portierin francez John Susé (Jean-Pierre Soiussat) dhe bahçevanin e Presidentit Magraw (McGraw) si njerëzit që aktualisht shpëtuan portretin e Washington, i cili sot ndodhet i varur në Dhomën Lindore e Shtëpisë së Bardhë – objekti i vetëm që mbetet i ekspozuar qysh kur ndërtesa u kompletua në vitet 1820. Në 2009, trashëgimtarët e Jennings u ftuan në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti President Obama “për të shikuar portretin që paraardhësi i tyre ndihmoi të shpëtohej”. Duhet të ketë qenë një moment i çuditshëm teksa pasardhësit e skllavit të Madison mbanin portretin e famshëm e Presidentit të parë e Shteteve të Bashkuara që posedonte skllevër gjatë mandatit të parë të Presidentit të parë me ngjyrë të Amerikës.
Shumica e ndërtesave të tjera të shquara publike në Washington u dogjën sistematikisht nga britanikët, me pak përjashtime, të tilla si Patent Office, ku anëtarët e Kongresit mblidheshin pasi u kthyen në qytetin e shkatërruar. Një “zjarr i madh nga ana e Washington” u vërejt nga anija flamurtare e Cockburn në River Patuxent. Zëvendësi i Ross regjistroi se ngjarjet e 10 ditëve të fundit, të kulmuara na djegien e kryeqytetit amerikan, qenë “një gjë e mrekullueshme si çdo gjë tjetër e bërë gjatë kësaj lufte dhe një goditje për amerikanët që nuk mund të harrohet kurrë”. Cochrane ra dakord, duke u mburrur se Presidenti luftënxitës Madison ishte “shporrur nga froni i tij”.
Fillimisht Cockburn ishte i vendosur që të digjte zyrat e gazetës uashingtonase “National Intelligencer”, e cila ishte një mbështetëse e zjarrtë e Madison dhe e kishte denoncuar e akuzuar fuqishëm Admiralin si “rrufjan” për fushatën e tij shkatërruese në Chesapeake Bay. Ai u kandis që të mos e bënte këtë gjë prej fqinjëve, të cilit kishin frikë se flaka do të përfshinte edhe shtëpitë e tyre. Kështu që ai bëri kompromis dhe urdhëroi që ndërtesa të shembej tullë pas tulle, duke urdhëruar që të gjitha germat C e shtypshkronjës të shkatërroheshin “në mënyrë që kështu zuzarët të mos kenë më asnjë mjet për të abuzuar me emrin tij”. Shumica e flakëve që përpinë qytetin u fashitën nga një furtunë dhe uragan i fuqishëm, që u përplas mbi Washington tekssa britanikët qenë akoma të pranishëm. “Zot i madh, zonjë!”, i deklamoi Cockburn një banoreje. “Është ky lloji i stuhisë me të cilën ju jeni mësuar në këtë vend të mallkuar?”. Më pas Admirali u largua jashtë qytetit, shumë i kënaqur me shkatërrimin që la prapa pas një pushtimi i cili mezi kishte zgjatur pothuajse 24 orë.
Amerikanët qenë të trishtuar dhe të zemëruar po aq sa britanikët qenë të ekzaltuar nga efektet e pushtimit. I rezervuari dhe stoiku Madison u kthye në Washington sapo britanikët qenë larguar. Duke mos qenë në gjendje të jetonte në Shtëpinë e Presidentit, ai shkoi të banonte në shtëpinë e kunatit të tij. E shoqja ju bashkua shpejt, duke thirrur kur pa kryeqytetin e shkatërruar: “Çfarë rrënimi, çfarë shkatërrimi!”. Sekretari i Shtetit James Monroe, pasuesi i Madison si President, i mallkoi trupat britanike “Mallkuar qofshin maskarenjtë, nga i pari dhe tek i fundit” për djegien e kryeqytetit. Dukej se kishte harruar që trupat amerikane patën bërë pakashumë të njëjtën gjë në 1813 kur pushtuan qytetin e pambrojtur të York (tani Toronto), kryeqyteti i Kanadasë së Sipërme (tani Provinca e Ontario). Ata patën djegur ndërtesat legjislative dhe gjyqësore të kolonisë, plaçkituar bibliotekën publike të saj dhe shkatërruar prona private.
Në të vërtetë, Guvernatori i Përgjithshëm dhe Kryekomandanti ushtarak i Amerikës Veriore Britanike gjatë luftës, Gjeneral Leitnanti Sër George Prévost, shkruan se, vetëm si “hakmarrje, kryeqyteti krenar Washington ka përjetuar një fat të ngjashëm”. Kur lajmet arritën Londrën një muaj pas shpagimit britanik, topat jashtë Parlamentit dhe Kullës së Londrës qëlluan në një përshëndetje të gëzuar, një reagim që jehoi anembanë kolonive të Amerikës Veriore Britanike, sidomos në York. Në valën e sulmit britanik, shumë amerikanë favorizuan lëvizjen e kryeqytetit në veri, në Philadelphia, e cila kishte qenë vend takimi për Etërit Themelues e Shteteve të Bashkuara dhe ku qenë draftuar Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta. Gjithashtu, ajo kishte qenë kryeqyteti gjatë Luftës Revolucionare. Të frikësuar se mos ky sugjerim mund të ngjiste, pronarët në Washington paguan për ndërtimin e një ndërtese të përkohshme me tulla ku Kongresi u mblodh nga dhjetori 1815 deri me 1819, teksa Kapitoli i shkatërruar u rindërtua. Së fundi, një projektligj për ta zhvendosur kryeqytetin u hodh poshtë dhe Washington mbeti qendra e qeverisë. Shtëpia e Bardhë u meremetua në kohë për inaugurimin e James Monroe si President në 1817.
Për amerikanët vera e 1814 pati pak gjëra të mirë në renë e zezë e poshtërimit kombëtar të tyre. Gjenerali Ross me mjaft mëdyshje ra dakord që të drejtonte një sulm të përbashkët ndaj Baltimore me Admiralin Admiral Cockburn. Ai i zbriti trupat e tij vetëm 10 milje larg qytetit në North Point me 12 shtator. Gjatë betejës që pasoi, Ross u qëllua për vdekje nga një snajper amerikan. Kur mori vesh për vdekjen e tij, Cockburn thirri: “Është e pamundur! Unë tërhiqem me të në këtë moment”. Cockburn e qau kështu vdekjen e mikut të tij: “Vendi ynë, Sër, ka humbur me të një prej ushtarëve më të mirë e më të zot dhe ata që e njihnin, siç e njihja unë, një mik të nderuar dhe të dashur”. Admirali Cochrane qau humbjen e “një prej lavdive më të shquara” në ushtrinë britanike. Trupi i Ross u ruaj në një kontejner rumi xhamajkan dhe u dërgua në Halifax të Nova Scotia, ku ai u varros në Old Burying Ground of St Paul’s Church të qytetit. Një monument për Ross u ngrit në St Paul’s Cathedral në Londër, dhe në Rostrevor të County Down, vendlindjen irlandeze të tij, në vendin ku kish planifikuar të ndërtonte një shtëpi për pensionimin e tij pas lufte.
Në mënyrë të habitshme, një pikturë e Ross nga një artist i panjohur ndodhet tani e varur në National Portrait Gallery e Smithsonian Institution në qytet. Amerikanët e zmbrapsën sulmin e forcave britanike në betejën e Baltimore menjëherë pas vdekjes së Ross. Në mënyrë të famshme, rrethimi i Fort McHenry të qytetit frymëzoi avokatin dhe poetin Francis Scott Key që të kompozonte poemën “Defence of Fort McHenry”, e cila më pas siguroi lirikat për “The Star-Spangled Banner”, himnin kombëtar amerikan. E krijuar që t’i përshtatej melodisë së këngës së pijanecëve të shekullit të XVIII-të “To Anacreon in Heaven”, referenca ndaj “vezullimit të kuq të “predhave”, bombave që shpërthenin në ajër” në himnin e ardhshëm kombëtar qenë refenca ndaj sulmit mbi Fort McHenry të dëshmuar nga Key.
Në ditën e Krishtlindjes 1814 delegacionet nga Britania dhe Shtetet e Bashkuara (përfshi Presidentin e ardhshëm të 6-të John Quincy Adams) u takuan në një ish manastir në qytetin belg Ghent për të nënshkruar një “Traktat Paqeje dhe Miqësie” midis të dy shteteve. Ky lajm nuk e arriti Amerikën në kohë sa ta ndalonte Gjeneral Majorin Andrew Jackson që t’i shkaktonte një humbje të rëndë trupave britanike në betejën e New Orleans në janar të 1815. Më pas Princi Regjent e konfirmoi traktatin për Britaninë me firmën e tij, siç bëri Madison për Shtetet e Bashkuara me 17 shkurt 1815. Asnjëra palë nuk kish fituar ndonjë territor dhe të dyja shpallën fitore pas 2 vitesh luftë që lanë çikatrice të të thella kombëtare për shumë dekada më pas.
Për Britaninë, lufta qe një spektakël i vogël i sagës perandorake të saj që tani është harruar pothuajse tërësisht, e eklipsuar krejtësisht nga fitoret e Wolfe në Quebec, Wellington në Waterloo dhe Nelson në Trafalgar. Për Shtetet e Bashkuara, ajo rezultoi të ishte një mësim kthjelltësues në dobësinë e përgatitjes ushtarake dhe lidershipit të saj, si dhe ekspozoi disa përçarje politike të brendshme kërcënuese në shtetin e ri. Në kontrast, për Kanadanë, lufta e 1812 qe një pikë kthese në formimin e identitetit anglo – kanadez. Ajo qe një sprovë kritike vendimtare nga e cila kolonitë britanike e mbetura anglishtfolëse në Amerikën Veriore modeluan një ndjenjë të re vetëbesimi dhe solidariteti me veten e tyre dhe me Britaninë. Kjo mund të shpjegojë se pse ka pasur përkujtime dhe festime të mëdha të luftës në Kanada, sidomos në Ontario, shumë më tepër se në Shtetet e Bashkuara dhe aspak në Britani.
Graeme Garrard është lektor Historie në School of European Studies të Cardiff University.
Përgatiti për bota.al:
ARMIN TIRANA

Leave a Reply

Back to top button