Bota

Hollësitë: Çfarë është virusi që ka alarmuar Kinën dhe a mund të përhapet në botë?

291 raste dhe 6 viktima është bilanci i përkohshëm, i epidemisë së shkaktuar nga virusi i ri që u shfaq në Kinën qendrore në fund të vitit 2019, dhe infeksioni i të cilit tashmë është i përhapur në Japoni, Tajlandë dhe Korenë e Jugut. Agjenti infektues është pjesë e familjes së koronavirus dhe shkakton një sindromë të frymëmarrjes, që mund të degjenerojë në pneumoni dhe problem të veshkave. Ndërsa dy raste të dyshuara janë ende duke u investiguar në Filipine dhe Australi, autoritetet shëndetësore në të gjithë botën janë në gatishmëri sepse, siç ka ndodhur në të kaluarën me viruse të ngjashme (për shembull me SARS), sëmundja mund të bëhet globale në kohë të shpejtë. Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) ka thirrur një komitet i cili do të ketë për detyrë të vendosë shpejt, nëse epidemia përbën një emergjencë ndërkombëtare të shëndetit publik.

Çfarë është një koronavirus?

Koronaviruset janë një familje e viruseve në formë të rrumbullakët, të cilat shkaktojnë sëmundje me shkallë të ndryshme rëndese (nga ftohja e zakonshme, deri tek sëmundjet e frymëmarrjes, madje edhe vdekjeprurëse). Në mënyrë tipike ato qarkullojnë midis kafshëve, por mund të ndodhë që ato të transmetohen te njerëzit, duke shkaktuar epidemi. Në të kaluarën, janë raportuar në veçanti dy epidemi koronavirusesh: ajo e SARS, që u përhap nga Kina në rreth tridhjetë vende midis viteve 2002 dhe 2003, duke vrarë rreth 800 njerëz (dhe duke infektuar mbi 8,000), dhe MERS (Sindromi Sistemit të Frymëmarrjes i Lindjes së Mesme), i cili u identifikua për herë të parë në Arabinë Saudite në vitin 2012, dhe më pas u përhap në disa vende të tjera, duke shkaktuar rreth 850 vdekje (nga 2.500 infeksione).

Si ka lindur sëmundja e re?

Duket se infeksioni i parë ka ndodhur në tregun e peshkut në Vuhan, një qytet me 11 milion banorë në provincën e Hubeit (Kina qendrore). Sidoqoftë, nuk ka shumë të ngjarë që peshqit ta kenë bartur sëmundjen te njerëzit: në këtë treg, në të vërtetë, shiten shumë lloje kafshësh, madje edhe ato të gjalla, të cilat ka më shumë të ngjarë të bartin virusin.

Pse mund të përhapet në të gjithë botën?

Ata që i përhapin viruset në nivel global, janë udhëtarët. Njerëzit që u sëmurën jashtë Kinës, në fakt, të gjithë ishin kthyer nga udhëtime, në rajonin ku e kishte origjinën sëmundja. Kjo është arsyeja pse, në ditët e fundit, Ministria e Shëndetësisë u ka kërkuar atyre që u duhet të shkojnë në rajonet e prekura, që të shtyjnë udhëtimin nëse nuk është i nevojshëm. Për të kufizuar përhapjen, janë marrë masa paraprake në aeroportet kineze dhe ndërkombëtare. Kompanive që kanë fluturime direkte ose tranzit për në Kinë, u është kërkuar të forcojnë mbikëqyrjen dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë. Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) beson se shanset që virusi të mbërrijë në Evropë janë të kufizuara.

Çfarë masash paraprake mund të merren, për të zvogëluar rreziqet?

Nëse epidemia vazhdon, rekomandimet janë që të lani duart shpesh (me sapun ose solucione që përmbajnë alkool), të shmangni kontaktin me njerëzit që shfaqin simptoma, të mos konsumoni mish të pjekur pak dhe të lani frutat e perimet me shumë kujdes. Këto rekomandime, së bashku me këshillat për të mos shkuar në tregje me produkte ushqimore të freskëta, aktualisht zbatohen për të gjithë ata që janë në zonat e prekura.

Çffarë simptomash shkakton sëmundja?

Simptomat fillestare janë ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje. Ata që kanë qenë në Kinë dhe, dy javë pas kthimit, kanë këto shqetësime, duhet të njoftojnë menjëherë mjekun e tyre dhe ta informojnë për udhëtimin. Për të zvogëluar rrezikun e infektimit të të tjerëve, autoritetet sugjerojnë që gjatë teshtimës të mbuloni gojën dhe hundën me bërryl, të përdorni maska dhe të hidhni menjëherë shamitë, pas përdorimit.

Cilat janë terapitë në dispozicion?

Nuk ka terapi specifike kundër koronavirusit, por vetëm trajtime mbështetëse, për të lehtësuar simptomat. Duke qenë një virus, antibiotikët nuk kanë asnjë efekt. Instituti Kombëtar Amerikan i Shëndetit (NIH) tashmë ka shpallur se ka nisur procesin e zhvillimit të një vaksine, por kjo nuk do të jetë në dispozicion për disa muaj. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button