Home»Bota»Parajsat fiskale në zemër të Evropës, po e thellojnë më tej pabarazinë

Parajsat fiskale në zemër të Evropës, po e thellojnë më tej pabarazinë

Nga Francesco Peloso

Kapitalet e të gjithë botës, bashkohu dhe shumohuni falë niveleve të ulëta të taksave mbi korporatat, mungesës së transparencës, transferimit të fitimeve nga njëri vend në tjetërin, dhe falë një legjislacioni miqësor dhe mikpritës. Një pasuri e vënë në këtë mënyrë, me siguri që do të mbetet “pa atdhe”, dhe do jetë në mënyrën e vet një “qytetare e botës”.

Por në fakt, ajo do të ketë pronarë që do ta mbajnë me forcë në dorën e tyre:qoftë kjo një kompani shumëkombëshe, një bord drejtorësh, një fondacion spekulativ, një bankë, që të gjithë të mbrojtur nga “muret miqësore” të një parajse fiskale.

Thuhet se paraja e sjell botën rrotull. Por nëse i shihni gjërat pak më nga afër, edhe paraja udhëton goxha, duke shkaktuar një hemoragji të burimeve në buxhetet shtetërore, falë mekanizmave gjithnjë e më të rafinuar të shmangies së taksave.

Një studim i Bashkimit Evropian, i bërë publik në tetorin e vitit të shkuar, tregon se vendet e unionit humbën rreth 46 miliardë euro në vit, nga viti 2004 deri më 2016-ën, për shkak të evazionit fikal, dhe për shkak të kapitalit të vendosur në kompani me seli në parajsat fiskale. Italia renditet e katërta në Evropë midis vendeve me pasurinë më të madhe të vendosura në këto  parajsa fiskale, e tejkaluar vetëm nga Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe.

Ajo humb mesatarisht për shkak të tyre 3.12 miliardë euro çdo vit, ose 8.75 për qind PBB-së.

“Pjesën e luanit” në këtë fushë e kanë ekonomitë më të forta të kontinentit. Në vitin 2016 qytetarët më të pasur gjermanë kishin 331 miliardë euro jashtë vendit, francezët 277, britanikët 218, dhe italianët 142 miliardë euro. Së bashku, ata përfaqësojnë 65 për qind të pasurisë së fshehur të Evropës në parajsat fiskale.

Ndjeshmëria e opinionit publik ndaj kësaj çështje është rritur, për shkak të skandaleve si “Panama Papers” në vitin 2016, dhe Paradise Papers më 2017-ën. Evropa është përpjekur të reagojë ndaj këtij problemit. Por Brukseli ka dalë thuajse gjithmonë huq. Arsyeja?

Sipas disa organizatave të pavarura ndërkombëtare, përgjigja është mjaft e thjeshtë:parajsat  fiskale gjenden jo vetëm në Karaibe, por edhe në truallin e Evropës plakë, nga Mesdheu në Detin e Veriut.

Gjithsesi gjërat nisën të lëvizin në vitin 2017, kur BE vendosi të hartojë një listë të zezë të vendeve që nuk bashkëpunojnë në fushën e taksave. Por në vetvete lista nuk përbën ndonjë pengesë të pakapërcyeshme për vendet që janë pjesë e saj.

Sidoqoftë, vendi në këtë listë i nënshtrohet kontrolleve më të mëdha, që në disa raste mund të ngadalësojnë ose bllokojnë disa transaksione financiare, për të mos përmendur dëmin e konsiderueshëm në imazh. BE doli në atë kohë me një listë mjaft e vogël prej 17 parajsash fiskale. Nuk kishte asnjë gjurmë të vendeve të BE-së.

Megjithatë lëvizja e Brukselit, ishte një hap i parë i dobishëm për fillimin e trajtimit të këtij problemi. Lista përfshin ndër të tjera Bahreinin, Barbadosin, Tunizinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Në marsin e vitit 2019, Ecofin, që bën bashkë ministrat e Financave të BE-së, bëri publike një listë të dytë të zezë, që përfshinte vetëm 11 vende.

Tetorin e shkuar, ky numër ra në 9 me daljen e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Ishujve Marshall. Gjithsesi mbeten 3 territore Amerikane: Samoa Amerikane, Guami dhe Ishujt Virxhin, gjë që gjeneron njëfarë tensioni midis dy anëve të Atlantikut.

Por rruga e “dëlirësisë” financiare, nuk përfundon me daljen nga lista e zezë. Hapi tjetër është një transparencë më e madhe nga vendet, dhe futja e tyre në një listë gri, pra në një lloj “purgatori”, ku vendi në fjalë mbetet derisa të konstatohet sjellja e re e mire, dhe të përmbyllet procesi.

Në tetor 2019, vende si Zvicra, Shqipëria, Mauritius, Kosta Rika dhe Serbia, dolën nga lista gri. Që të gjitha këto vende janë tashmë të virtytshme? S’ka nevojë të thuhet se vëllimi i biznesit që Bashkimi Evropian zhvillon me një shtet tjetër, si dhe forca e tij financiare dhe politike në nivelin ndërkombëtar, ndikojnë në shpejtësinë e procedurave, që lejojnë përjashtimin nga grupi të të “këqijve”.

Nga ana tjetër, të njëjtat kritere të miratuara për të gjykuar një vend si bashkëpunues ose jo, mund të ndryshojnë, dhe janë shpesh në qendër të polemikave dhe kritikave. OXFAM, organizata globale që lufton varfërinë, e ka monitoruar prej kohësh dukurinë e parajsave fiskale. “Nuk ka ende një përcaktim të pranuar botërisht, se çfarë është një parajsë fiskale”-thotë Misha Maslenikov, këshilltar për politikën në OXFAM Italia.

“Kjo do të thotë se institucione dhe vende të ndryshme, kanë lista të ndryshme ku futin vendet bazuar në disa kritere fiskale, që nuk janë gjithmonë uniforme. Sidoqoftë, ekzistojnë elementë strukturorë të një natyre të përgjithshme, të cilat e bëjnë të mundur të cilësohet një juridiksion specifik si parajsë fiskale”- thekson Maslenikov.

Rrjeti i Drejtësisë Tatimore (TJN), një organizatë e pavarur ndërkombëtare e krijuar në vitin 2003, harton dy lista. Një për parajsat fiskale, që i lejojnë korportatat shumëkombëshe të shpëtojnë nga taksat, falë niveleve veçanërisht të ulëta të taksave.

Dhe lista tjetër e bazuar mbi parimin e “sekretit financiar”, ose në fshehjen e pjesshme ose totale të kapitalit. TJN rendit në listën e parë Holandën, Zvicrën, Luksemburgun, Singaporin, Bahamasin, Hong Kongun, dhe 4 territore (Ishujt Virxhin britanikë, Ishujt Kajman, Bermuda dhe Balivato) që janë koloni britanike.

Në listën e dytë në vend të parë renditet Zvicra, e pasuar ngaShtetet e Bashkuara, Ishujt Kajman, Singapori, Luksemburgu, Gjermania dhe Holanda. Sipas TJN, 21-32 trilionë dollarë asete financiare private, ndodhen sot parajsat fiskale në të gjithë botën.

Që nga vitet 1970, Afrika ka humbur më shumë se 1 trilionë dollarë për shkak të ikjes së kapitalit, ndërsa ka marrë shumë hua ndërkombëtare. Por kjo dukuri nuk prek vetëm vendet e varfëra apo jo të industrializuara. Shtete si Greqia, Italia dhe Portugalia – vëren organizata – janë gjunjëzuar ekonomikisht nga dekadat e evazionit fiskal dhe plaçkitjes së burimeve publike, të krijuara përmes parajsave fiskale, dhe fshehjes së bilanceve financiare.

Oxfam u përpoq të analizojë 28 vendet anëtare të unionit, bazuar në kriteret e BE mbi listën e zezë. Studimi tregoi se të paktën 4 vende, Irlanda, Luksemburgu, Malta dhe Hollanda, duhet të përfshihen në listën e zezë. Ndër të tjera, dokumenti kërkon “zbatimin e masave të duhura, për të luftuar parajsat fiskale evropiane”. Situata aktuale, priret ta thellojë pabarëzinë.

Sipas të dhënave të Eurostat në tetor 2019, 1 në 5 persona në BE rrezikohet nga varfëria apo përjashtimi social. Praktikisht, 109 milionë evropianë jetojnë sot në kushte kritike. Oxfam kujton se kostoja e abuzimit të korporatave me taksat në vendet në zhvillim, është rreth 100 miliardë dollarë në vit. Dhe vetëm një e treta e kësaj shume, do të ishte e mjaftueshme për të garantuar qasje në kujdesin mjekësor dhe parandaluar vdekjen e 8 milionë njerëzve.

“Internazionale” – Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *