Home»Magazine»Zoti e ruajt telenovelën më të famshme të Mbretërisë

Zoti e ruajt telenovelën më të famshme të Mbretërisë

Në Mbretërinë e Bashkuar, roli i vërtetë i monarkisë sot nuk është politik. Asgjë nga ato që bën, përveç kur vdes sundimtari ose një prej trashëgimtarëve të tij, nuk ka më të vërtetë kuptim. Jo, funksioni i saj i vërtetë kushtetues është të shpërqendrojë dhe argëtojë popullatën, t'u japë atyre diçka për të folur, që nuk është politikë apo klimë, dhe të sigurojë lëndën e parë për mijëra artikuj të keqinformuar. Ne duhet të jemi mirënjohës që shtëpia Windsor e bën me një sukses të tillë, dhe pa ndonjë ndihmë të jashtme. Sado e ekuilibruar dhe e mërzitshme përpiqet të jetë, nuk ia del të jetë asnjë prej të dyjave. Zoti e ruajt jo vetëm mbretëreshën, por edhe të afërmit e saj plangprishës

David Randall

Familja mbretërore britanike është një telenovelë që vazhdon të japë kënaqësi. Vetëm kur të gjithë kishin filluar të humbnin interesin për pjesën e rrëfimit mbi Princin Andrew dhe lidhjet e tij me një burrë, të cilit i pëlqente të merrte masazhe (dhe jo vetëm) nga vajzat adoleshente, zbulohet një linjë krejtësisht e re rrëfimi. Këtë herë bëhet fjalë për brezin e ri të kësaj familje, ekzotike dhe jofunksionale.

Lajmet e tilla si, “Andrew bëri seks kur isha 17 vjeç, thotë një nënë amerikane e tre vajzave”, tani janë zhdukur nga skena. Ndërsa zënë vend të tjerat, si “Harry dhe Meghan befasojnë mbretëreshën, duke i kërkuar që të bëhen mbretërorë me kohë të pjesshme”. Dhe audienca e telenovelës (qytetarë britanikë dhe një pjesë e madhe e shtypit botëror), papritmas nuk arrijnë të flasin, ose të mendojnë, për ndonjë gjë tjetër.

Idiotësi

Kjo idiotësi në dukje, ka arsyet e saj. Në spektaklet e tjera normale, ne shikojmë dhe dëgjojmë personazhet që lëvizin në jetën e tyre private, dhe krijojmë një ide të arsyeshme se kush janë ata dhe cilat janë motivimet e tyre. Kjo nuk vlen për “Shtëpinë e Windsor-ëve”, seriali televiziv më i gjatë në botë. Këtu duhet të mbështetemi te artikujt, të cilët bazohen në ato që u thonë disa njerëz të brendshëm të familjes mbretërore, gazetarëve me imagjinatë të shfrenuar.

Disa nga këto gjëra mundet edhe të jenë të vërteta, ose të rreme. Por ne nuk kemi asnjë mundësi për të dalluar njërën nga tjetra. A është Meghan, Dukesha e Sussex, një viktimë e pafajshme, e shkëputur me forcë nga habitati i saj në televizionin amerikan, e transplantuar në familjen mbretërore britanike aspak mikpritëse, dhe e vënë në shënjestër nga anëtarët e saj snobistë dhe ndoshta racistë, si dhe mbështetësit e tyre në shtyp? Apo është një cinike oportuniste, e cila dëshiron që burri i saj ta ndjekë pas, ndërsa përpiqet t’i japë vetes një aureolë engjëllore dhe të sigurojë një mërgim fitimprurës? Kush, përveç saj dhe të shoqit, mundet ta dijë këtë?

Dhe duke qenë se bëhet fjalë për një telenovelë, na janë ofruar shumë skena, të cilat tërheqin ndjenjat dhe paragjykimet tona, në fillim në një drejtim, e më pas në një tjetër.

Do të ketë të tjera kthesa të forta

Harry, vogëlushi që të këpuste shipirtin tek ecte pas arkivolit të nënës së tij në vitin 1997, u bë një “kafshë” festash prej rebeli, e më pas u admirua si pilot helikopteri i gjendur nën sulm në Afganistan (“urra!”). Ai u dashurua me një aktore amerikane, nga një familje e përzier (“urra!”), feminist (“urra!”), progresist (“urra!”). Dasma ishte një triumf, një përzierje e pompozitetit britanik, predikimeve amerikane dhe këngëve të ungjillit (“urra!”). Por më pas, kur u afrua lindja e djalit të saj, Meghan hipi në një avion privat për të marrë pjesë në një festë për fëmijën e palindur, me disa miq të pasur në Nju Jork (“buuu!”).

Ajo dhe Harry predikuan për vuajtjet e planetit, pavarësisht se morën një aeroplan tjetër privat (“buuu!”). Ajo dhe Harry vizituan Afrikën Jugore dhe, pikërisht ndërkohë që të gjithë vlerësonin punën e tyre (“urra!”), ata dhanë një intervistë në të cilën u ankuan jo aq shumë për varfërinë që kishin parë atje, por për presionet që kishin pësuar, dhe sa e lënë pas dore ishte Meghan (“buuu!”).

Telenovela vazhdon

Ata nuk pranuan të bashkohen me pjesën tjetër të familjes për Krishtlindje (“buuu!”), duke preferuar të huazonin vilën e një miliarderi në Kanada (“buuu!”). Ata regjistruan një seri produktesh nën markën e tyre Sussex Royal (“buuu!”), dhe përfundimisht befasuan të gjithë, përfshirë mbretëreshën, duke njoftuar se donin të hiqnin dorë nga roli i tyre dhe nga detyrat tradicionale. Këtu dalin titrat dhe kënga e fundit të episodit. Publiku mund të vazhdojë nesër, me një episod tjetër emocionues.

Pastaj erdhi e nesërmja, dhe bashkë me të një takim urgjent i familjes Windsor në Sandringham, shtëpia me 71 dhoma gjumi në Norfolk, ku mbretëresha kalon Krishtlindjen dhe një pjesë të Vitit të Ri. Charles, William dhe Harry ishin të pranishëm. Në mendjen e të gjithëve, kamerat zhvendoseshin rregullisht në Kanada, ku Meghan, duke u kthyer në tokën e shurupit të panjës bashkë me vogëlushin Archie, mori telefonata që e informonin për ecurinë e takimit. Pyetjeve do t’u përgjigjet në kohën e duhur.

E ardhmja

Çfarë titulli do të mbajnë Harry dhe Meghan? A do të jenë përgjithmonë “Lartësia Juaj”, apo do të jenë thjesht duka dhe dukesha? A do të vazhdojë t’i paguajë babai i Harry-it Charles, disa miliona çdo vit (aktualisht rreth katër milion euro)? A do të vazhdojnë të kenë aktivitetin tregtar që ata të dy, dhe këshilltarët e tyre amerikanë, shpresojnë ta mbajnë edhe nëse nuk janë më anëtarë aktivë të familjes mbretërore? Kush do t’i përballojë shpenzimet e nevojshme për sigurinë dhe mbrojtjen e tyre, nëse kalojnë gjysmën e vitit në Kanada? Dhe a do t’i lejojnë marrëveshjet e reja, si dhe gjysmë-izolimi, që të jenë më pak të brishtë emocionalisht si dhe më të ekuilibruar, nga sa duken sot?

Si në të gjitha seritë më të gjata e të suksesshme, do të ketë kthesa në të ardhmen. Dhe kur spektatorët e telenovelës i kanë shteruar të gjitha mundësitë e risive dhe surprizave në këtë linjë rrëfimi, do të shfaqet një linjë e re që do ta zëvendësojë. Kjo është një telenovelë që nuk ka nevojë për skenaristë, sepse monarkia është një llotari e lashtë, në të cilën rastësitë gjenetike prodhojnë të afërm më ekstravagantë, plangprishës, dhe më shumë marrëdhënie të këqija, sesa mund të imagjinonte çdo lloj autori. Dhe për fat që gjërat janë kështu. Sepse në Mbretërinë e Bashkuar, roli i vërtetë i monarkisë sot nuk është politik.

Mbretërorët

Asgjë nga ato që bën, përveç kur vdes sundimtari ose një prej trashëgimtarëve të tij, nuk ka më të vërtetë kuptim. Jo, funksioni i saj i vërtetë kushtetues është të shpërqendrojë dhe argëtojë popullatën, t’u japë atyre diçka për të folur, që nuk është politikë apo klimë, dhe të sigurojë lëndën e parë për mijëra artikuj të keqinformuar. Ne duhet të jemi mirënjohës që shtëpia Windsor e bën me një sukses të tillë, dhe pa ndonjë ndihmë të jashtme. Sado e ekuilibruar dhe e mërzitshme përpiqet të jetë, nuk ia del të jetë asnjë prej të dyjave. Zoti e ruajt jo vetëm mbretëreshën, por edhe të afërmit e saj plangprishës. / Internazionale – Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *