Psikologji

Sinjalet që të tregojnë se je rrethuar nga njerëz (dhe energji) negative

Njerëzit me të cilët ju rrethoheni ndikojnë në mënyrën se si i qaseni jetës. Duke qenë qenie njerëzore, ne udhëhiqemi nga emocionet dhe orientohemi vazhdimisht nga energjitë emocionale që burojnë nga ata që janë përreth nesh. Nëse vendosim të takojmë njerëz pozitivë, edhe ne do ta jetojmë jetën tonë në një mënyrë më rozë dhe proaktive. Por nëse zgjedhim të kemi dikë që është negativ pranë nesh, do të ndihemi të prekur përgjithmonë nga ankthi, depresioni dhe vetmia. Për t’u ndier mirë dhe për t’u përballur me jetën me buzëqeshje, është e rëndësishme të largoni njerëzit “toksikë”. Ja pra, shenjat për të kuptuar se keni probleme dhe se, po, e keni rrethuar veten me energji që janë të këqija për trupin dhe mendjen tuaj.

Një nga karakteristikat kryesore të njerëzve negativë është pesimizmi. Për ata kurrë nuk ka një anë pozitive në asnjë situatë dhe posa të ndodhë diçka, ata gjithmonë mendojnë për më të keqen. Kurdoherë që gjërat shkojnë mirë, ata ndjehen të shqetësuar, sepse janë të bindur se diçka e keqe do të ndodhë së shpejti. Shpesh këta njerëz ndjehen të viktimizuar nga ngjarjet dhe nuk bëjnë asgjë për t’i kundërshtuar ato. Ata janë të bindur se është e kotë të kundërshtosh fatin dhe nuk marrin kurrë përgjegjësi për veprimet e tyre.

Këta individë janë edhe “vampirë energjie”. Kjo do të thotë, ata kurrë nuk kanë kohë për ju sepse janë shumë të zënë, por kërkojnë nga ju që t’u kushtoni atyre orë dhe ditë të tëra. Mos harroni, megjithatë, se miqësia, si dhe dashuria, është e bërë nga shkëmbime dhe bujari. Nëse personi pranë jush dëshiron t’ju shohë vetëm kur thotë ai ose ajo, ndoshta diçka nuk shkon. Nuk është rastësi që ata që thonë se nuk kanë kurrë kohë, gjithmonë kërkojnë mbështetjen tuaj kur kanë nevojë.

Individët negativë janë gjithmonë të gatshëm të kritikojnë dhe flasin keq për të tjerët, duke gjetur edhe një mijë të meta, edhe për ju. Kjo do t’ju ushqejë ankthin dhe frikën nga ideja e kalimit të një mbrëmje së bashku dhe jo lumturinë apo pozitivitetin, siç duhet të ndodhë kur takoni miq ose të dashur. / meb.al

Leave a Reply

Back to top button