Home»Analiza»Ja plani i vërtetë i Amerikës, për të “rimarrë” Lindjen e Mesme

Ja plani i vërtetë i Amerikës, për të “rimarrë” Lindjen e Mesme

Irani si Vietnami: jo aq nga pikëpamja ushtarake, se sa nga ajo gjeopolitike. Krahasimi midis këtyre dy vendeve është i përsosur për të përvijuar atë që mund të jetë fati i Teheranit, aq i largët, por në të njëjtën kohë, nga pikëpamja strategjike, aq i ngjashëm me Hanoin. Sot tensioni mes Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë iraniane është në rritje, megjithatë, në një të ardhme jo shumë të largët, Yankee-t dhe pasdaran-ët mund të bëhen miq të ngushtë, ashtu si ndodhi midis vetë amerikanëve dhe trashëgimtarëve të Vietcong-ëve. Në sipërfaqe, një skenar i tillë është i paimagjinueshëm: megjithatë kjo është një ngjarje që vlen të merret në konsideratë. Nëse Uashingtoni hyn në luftë kundër Teheranit (ka të ngjarë) ose nëse zgjidhet rruga diplomatike e paqes (sot për sot e komplikuar), herët a vonë Shtetet e Bashkuara do të hyjnë gjithësesi në Iran.

Krahasimi me Vietnamin

Ideja e “hyrjes” është shpjeguar në mënyrë të përsosur nga sinologu Francesco Sisci gjatë një interviste të gjatë për Sussidiario.net. “Nëse do të kishte një paqe me Iranin, vendi do të afrohej me Uashingtonin, deri në një farë mase – nënvizon Sisci – Ne jemi shumë larg këtij eventualiteti, por një paqe, më në fund do të mund ta afronte Teheranin me Amerikën, dhe kjo mund të rifusë përsëri SHBA në lojë. Nuk është e pamundur”. Dhe kjo është pikërisht çështja: Uashingtoni është rikthyer në Lindjen e Mesme. Saktësisht siç ndodhi në Azinë Juglindore pas çtensionimit me Vietnamin, i cili nga një armik i Amerikës, është bërë partner, herë pas here i besueshëm, mbi të cilin mund të mbështeten për t’i dhënë fund ekspansionit të Kinës. “Sot SHBA ka zhvilluar një marrëdhënie gjithnjë e më të mirë me Vietnamin, një proces i ngjashëm mund të ndodhë me Iranin. Nuk është diçka që ndodh me sot e me nesër – përfundon Sisci – por mund të mos jetë e pamundur”.

Rikthimi në Lindjen e Mesme

Në çdo rast, rreziku më i madh është për Kinën. Siç thekson edhe vetë Sisci, Pekini pritet të firmosë një mini-marrëveshje tregtie me Shtetet e Bashkuara në ditët e ardhshme (në datën 15 janar). Sidoqoftë, “loja iraniane i ngatërron kartat. Nëse ka një luftë, ajo praktikisht arrin deri në kufirin kinez dhe ndërpret segmentin më të rëndësishëm të Rrugës së Mëndafshit. Nëse ka një marrëveshje, SHBA me të vërtetë hyn në Iran, kështu që një pjesë tjetër e Rrugës së Mëndafshit shkon nën kontrollin e Amerikës”. Duke marrë parasysh që Kina shpesh ka investuar miliona në Iran, përfshirë infrastrukturën dhe puset e naftës, perspektiva për të parë Teheranin të marrë rrugën drejt Uashingtonit nuk është aspak e pëlqyeshme nga drejtuesit e Partisë Komuniste Kineze, duke filluar nga presidenti Xi Jinping.

Kjo edhe sepse një nga objektivat e Pekinit është që të shtrijë tentakulat e veta në skenarin e Lindjes së Mesme, ku Amerikanët kanë lënë hapësira të mëdha për të “pushtuar”. Lëvizja e Trump (që nga ana e tij ka theksuar në mënyrë të përsëritur se është e kotë të dërgosh ushtarë të vdesin nëpër botë) mund të rikthejë Uashingtonin në mes të kaosit të Lindjes së Mesme. “Eshtë e mundur që pas një lufte me SHBA, Irani të bëhet një shtet i dështuar, siç është Iraku apo Libia, ose të copëtohet si Siria. Por Irani i sotëm politik nuk ka gjasa t’i mbijetojë një konfrontimi ushtarak me SHBA. Ajatollarët e dinë këtë. Këto konsiderata mund të shtyjnë Ajatollahët, të cilët mund të jenë armiqësorë, por nuk janë çmendur, drejt negociatave me SHBA”, përfundon Sisci. / Inside Over – Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *