HistoriMagazine

Dhe kështu u bëmë modernë… Ana e errët e progresit

“Ashtu si epoka e gurit nuk mbaroi për shkak të mungesës së gurëve, ajo e naftës mund të përfundojë jo për mungesë të naftës, por sepse do të jemi të detyruar ta lëmë një pjesë të saj nën tokë”

Në çdo epokë, fati i njerëzimit është i ndërthurur me disponueshmërinë e energjisë, një mall kaq i çmuar sa që të ketë vendosur ngritjen dhe rënien e qytetërimeve të tëra. Sidoqoftë, për pjesën më të madhe të historisë sonë, ne kemi qenë në gjendje të mbështetemi vetëm në forcën e muskujve tanë, në përdorimin e kafshëve të barrës për të tërhequr llaç dhe karroca, dhe në energjinë e erës për të lundruar ose lëvizur mullinjtë. Në fakt, deri në shekullin e shtatëmbëdhjetë, për t’u ngrohur, gatuar ushqimin dhe për të ndriçuar natën, nuk kishim mundësi tjetër përveçse të digjnim dru, mbeturina bimore dhe mbetje të thata.

Megjithatë, që atëherë, druri ishte një burim kaq i shfrytëzuar sa që në Evropë prerjet e tepërta u bënë shqetësuese. “Përveç ngrohjes, në të vërtetë, ai përdorej për të ndërtuar shtëpi, mjete, armë dhe anije”, thotë Ugo Bardi, kimist në Universitetin e Firences dhe ekspert për burimet e energjisë. “Dhe në Angli, ku burimet ishin të pakta, klasat e varfëra u detyruan të përdorin qymyr, një burim ndotës dhe i vështirë për t’u nxjerrë”.

REVOLUCIONI NE MINIERA

Qymyri në fakt ishte i njohur që nga Romakët, por ata nuk kishin teknologjitë e nevojshme për ta nxjerrë dhe për ta përdorur me efikasitet. Në fakt, për ta nxjerrë në sipërfaqe është e nevojshme të gërmohe miniera edhe qindra metra thellësi: një punë e vështirë dhe shumë e rrezikshme. Në krahasim me drurin, megjithatë, kjo lëndë djegëse ka një avantazh të dyfishtë: është më e bollshme dhe, për të njëjtën peshë, ofron rreth 50% më shumë energji. “Ishte megjithatë vetëm në fillim të shekullit XIX, kur shumë pyje ishin zhdukur në Angli, që kjo risi lejoi shfrytëzimin më intensiv të minierave”, shpjegon Bardi.

Deri në 1870, në pjesën më të madhe të Evropës, qymyri tashmë kishte zëvendësuar drurin, duke u bërë burimi kryesor i energjisë dhe duke dhënë një shtytje të paprecedentë në zhvillimin ekonomik dhe teknologjik.

Në fund të shekullit, tymrat e oxhaqeve konsideroheshin një simbol i përparimit dhe mirëqenies. Qymyri ndezi motorët me avull dhe kaldajat për përpunimin e metaleve. Dhe siguroi 95% të energjisë për kombet e industrializuara.

KESHTU U BEME MODERNE

Lëndës së parë djegëse të shfrytëzuar nga njeriu, në shekullin XX iu shtuan edhe dy të tjera: nafta, e destinuar të revolucionarizonte sistemin e transportit dhe, duke filluar nga vitet pesëdhjetë, gazi natyror, i përdorur për ngrohje dhe për prodhimin e energjisë elektrike, përhapja e të cilave u favorizua nga ndërtimi i tubacioneve të para.

Por ishte nafta e papërpunuar që luajti pjesën e luanit përgjatë gjithë shekullit, e cila mund të rafinohej dhe shndërrohej në karburante të lëngshme, si benzina ose nafta, për të ndezur motorët e rinj me djegie të brendshme, më efikasë dhe më të lehtë se ato avull. Në vitin 1960, nafta ishte tashmë malli më i tregtuar në botë dhe rritja e saj nuk u ndal deri në ditët e sotme.

“Për mirë a për keq, lëndët djegëse fosile na kanë bërë modernë”, thotë Bardi. Pa qymyrin për të ndezur motorët me avull, ne nuk do të kishim revolucionin industrial, ashtu si nafta lejoi zhvillimin e transportit, gjë që e bëri planetin kaq shumë të ndërlidhur.

TE HASH NAFTE

Sot, qymyri, nafta dhe gazi ofrojnë katër të pestat e energjisë së konsumuar në botë. Ne varemi prej tyre jo vetëm për lëvizshmërinë, ngrohje dhe industrinë, por edhe për prodhimin e ushqimit, pasi ato furnizojnë makineritë bujqësore dhe sistemet e ujitjes, dhe përdoren në prodhimin e pesticideve dhe plehrave. Gjatë shekullit XX, ndërsa sipërfaqja e tokës së kultivuar është rritur me vetëm një të tretën, të korrat janë rritur gjashtëfish, parasëgjithash falë rritjes së jashtëzakonshme të energjisë të përdorur për kultivimin e tyre, e cila është rritur 150 herë. Kjo është arsyeja pse ndonjëherë thuhet se bujqësia moderne është një mënyrë për ta kthyer naftën në ushqim.

ME TE SHUMTE E ME TE PASUR

Energjia e lëndëve djegëse fosile, së bashku me kushtet më të mira higjenike, ka favorizuar gjithashtu një bum ekonomik dhe demografik të paprecedentë. Në vitin 1804, për herë të parë në 200,000 vjet të historisë njerëzore, popullsia botërore arriti në një miliardë njerëz, por deri në vitin 1927, pas vetëm një shekulli, ajo tashmë ishte dyfishuar, duke arritur në dy miliardë dhe sot ne jemi më shumë se 7.5 miliardë.

Në fund të fundit, siç shpjegohet nga ekonomisti Kate Rauorth në esenë Ekonomia e gurabijeve, energjia e siguruar nga një litër i vetëm naftë brut është ekuivalente me rreth 12 ditë punë të vështirë njerëzore, kështu që, falë disponueshmërisë aktuale, është sikur njerëzimi të llogarisë edhe punën e përditshme të miliarda skllevërve të padukshëm.

Në fund të fundit, ne jemi një shoqëri e bazuar në lëndët djegëse fosile dhe për këtë është kaq e vështirë të çlirohemi nga burimet që, edhe nëse kanë një ndikim në mjedis, kanë lejuar transformime të pashembullta në historinë e njerëzimit.

PERSE TE NDRYSHOJME?

Pavarësisht urgjencës së zvogëlimit të emetimeve të gazrave serë, gara për rezervat e lëndëve djegëse fosile nuk është ndalur asnjëherë. Në të vërtetë, vitet e fundit, risitë teknike kanë bërë të aksesueshme, depozita të mundshme që dikur nuk mund të shfrytëzoheshin. Sipas analistëve, rezervat e njohura të lëndëve djegëse fosile mund të plotësojnë nevojat globale të energjisë për një kohë të gjatë që do të vijë, por nëse ne i diegim të gjitha, temperatura mesatare globale do të ngrihej shumë mbi pragun e sigurisë prej 2°C.

Sipas Bardit, epoka e lëndëve djegëse fosile do të përfundojë për arsye ekonomike: nxjerrja e tyre mund të bëhet e pafavorshme. Për të cituar aforizmin e famshëm të Ahmed Zaki Yamani, ministrit saudit të naftës dhe burimeve minerale nga viti 1962 deri në 1986: ashtu si epoka e gurit nuk mbaroi për shkak të mungesës së gurëve, ajo e naftës mund të përfundojë jo për mungesë të naftës, por sepse do të jemi të detyruar ta lëmë një pjesë të saj nën tokë.

“Kjo është arsyeja, përveç arsyeve mjedisore, ne duhet të jemi të gatshëm të zëvendësojmë lëndët djegëse fosile”, përfundon Bardi. “Ashtu siç bëri Anglia në shekullin XIX, e cila investoi në kërkimin e një zëvendësuesi të drurit, ne duhet të investojmë në burime të rinovueshme, në mënyrë që të mos rrezikojmë të gjendemi pa burime të mjaftueshme energjetike”. / Focus Extra – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button