Ekonomi

BlackRock: Pushteti okult, që dominon të gjithë financën europiane

Anekdota vjen nga një ish punonjëse e BlackRock: i ardhur mbi Atlantik në udhëtim drejt Europës, Larry Fink, CEO-ja dhe themeluesi i BlackRock, i kërkon komandantit të avionit që të ndryshojë kurs dhe të shkojë drejt Gjermanisë. Ndërkaq, i telefonon një njeriu të tij në Frankfurt që t’i organizojë brenda 5 orësh një takim me Angela Merkel. Njeriu kërkon që të bëjë maksimumin, por duke qenë se nuk arrin ta gjejë Kancelaren, i fikson një takim më Zëvendëspresidentin e BMW-së. Të dy takohen, por ndërsa gjermani po i shpjegon strategjitë e shtëpisë automobilistike, Larry Fink ngrihet në këmbë dhe nis një bisedë tjetër telefonike. Shkathtësi e kujt di se konsiderohet ndër njerëzit më influentë në botë (Fortune, 2018).

Laurence “Larry” Fink, 65 vjeç, djali i një tregëtari këpucësh dhe i një mësuesje të anglishtes, është trader-i kalifornian që më 1988 ka themeluar kompaninë BlackRock bashkë me një dyzinë kolegësh. Sot të punësuarit janë 13900, të shpërndarë në 30 vende dhe BlackRock është bërë kompania më e madhe e investimeve në botë, 6280 miliard dollarë kapital i menaxhuar, nga të cilat 1/3 në Europë, më shumë se PBB-ja e Francës dhe e Spanjës të marra sëbashku. Nëpërmjet Aladdin, softuerit të tij për menaxhimin e rrisqeve, BlackRock kontrollon në mënyrë indirekte 20000 miliard dollarë të tjerë. Një pushtet që BlackRock e ushtron edhe duke u dhënë këshilla qeverive, bankave qendrore, institucioneve europiane. Duke influencuar çdo ligj që miratohet në Europë. “Përmasat e jashtëzakonshme të BlackRock i japin një pushtet tregu që asnjë shtet nuk mund ta kontrollojë më”, e përmbledh  Michael Theurer, deputeti liberal gjerman (FDP).

Kompania amerikane menaxhon paratë e të tjerëve, nuk ka kuota kontrolli, por ka të drejtë vote në asambletë e kompanive të kuotuara, vitin e kaluar ka votuar në 91% të rasteve në 17000 kompanitë ku është aksioner. Në Europë, “shkëmbi i zi” është i pranishëm në energji, në transporte, në kompanitë ajrore, në industrinë agroushqimore, deri edhe në tregun imobiliar. Posedon një fetë të madhe (që mbahet sekret nga Banca d’Italia dhe nga vetë kompania) të bonove të borxhit tonë publik, siç dëshmon databaza Thomsons One (Reuters) që ka konsultuar Investigate Europe.

Është aksioner me peshë në top 10 bankat europiane, aksioner i parë i Deutsche Bank, i dytë tek Intesa San Paolo, i pranishëm tek Unicredit, Banca Generali, Fineco, ENEL, ENI, Telecom. Në Gjermani ka investuar 100 miliard vetëm në aksione, 240 miliard në Mbretërinë e Bashkuar, 21 miliard në Itali, por që po të mblidhen me bondet dhe me obligacionet shkon në 79 miliard në pasuri të menaxhuar në Itali. Në një libër të shkruar tri vite më parë, gazetarja gjermane Heike Buchter shpjegon sesi “qysh kur zgjohesh në mëngjes, merr drithërat me qumësht, vishesh, vesh këpucët, merr makinën dhe shkon në punë, ku ndez kompjuterin, duke përdorur iPhone tënd, në të gjitha momentet e ditës BlackRock është i pranishëm”.

Fink pritet gjithmonë si një kretar shteti, qoftë kur shkon në Romë për t’u takuar me Matteo Renzi, për një darkë private, në 2014 apo në Amsterdam për të folur me Kryeministrin Mark Rutte, në 2016 apo në Elize: ka takuar tashmë dy herë Presidentin Emmanuel Macron. Çfarë i kërkojnë BlackRock të gjithë këta krerë qeverishë? Të vazhdojë të investojë në Europë. Në shkëmbim e sigurojnë se nuk do të ndërhyjnë në punët e tij me ligje dhe kontrolle të jashtëzakonshme.

Pasuria më e madhe e BlackRock vjen nga fondet passive. Kriza ekonomike ka qenë një mundësi për shkëmbin e Wall Street. Nga një pasuri e menaxhuar prej 1000 miliard dollarësh më 2008, ka kaluar në më shumë se 6000 miliard më 2018, falë ETF-ve (Exchanged Traded Funds), sot 72% e portofolit të tij. Fondet në dekadën e fundit praktikisht kanë shpërthyer, duke zënë tashmë 40% të tregut aksionet në botë, me BlackRock lider botëror i sektorit.

Arsyeja kryesore e bumit të tyre është që kushtojnë pak: 0.2% e vlerës së investuar, 1/10 e kostove të një fondi aktiv. Një fond aktiv menaxhohet nga menaxheri, një ETF shkon automatikisht, kopjon si një klon vlerën e një treguesi të bursës. Nëqoftëse aksionet e indeksit ngjiten, ngjitet edhe vlera e fondeve të BlackRock; nëqoftëse indeksi humbet vlerë, zbresin edhe fondet passive. Barbara Novick, Zëvendëspresidente e BlackRock, e kashpjeguar këtë sukses duke folur për “demokratizim” të financës: tashmë të gjithë mund të investojnë edhe shuma të vogla. Por sa më shumë rritet vëllimi i fondeve pasive, aq më shumë tregu përqëndrohet në pak kompani. Në Universitetin e Amsterdamit një grup hulumtuesish të lidhur me platformën Corpnet ka studiuar sjelljet e BlackRock, Vanguard dhe State Street, tri kolosët e fondeve pasive. “Për momentin janë gjigandë që flenë”, thotë Profesor Eelke Heemskerk. Por janë duke u zgjuar.

Më 18 mars të 2008 Timothy Geithner, kreu i Federal Reserve të New York (më pas i bërë Ministër i Financave me Barack Obama) i telefonon Larry Fink që ta ndihmojë të pastrojë pisllëqet e bankës së investimeve Bear Stearns, sapo e shpëtuar nga qeveria amerikane. Fink ka zhvilluar tashmë softuerin Aladdin, që analizon brenda pak sekondazh përbërjen dhe rrisqet e lidhura me portofolët e mëdhenj. Është njeriu i duhur për të shuar zjarret e krizës. Pas Bear Stearns, BlackRock do të thirret për të izoluar produktet toksike e Citibank, AIG, Fannie Mae dhe Freddie Mac. Bëhet krahu operativ i qeverisë amerikane për menaxhimin e krizës.

Në fund të vitit 2010, pa garë, Banka Qendrore e Irlandës thërret BlackRock Solutions, filial i gjigandit amerikan i specializuar në anën e konsulencës, për të studiuar gjendjen shëndetësore e bankave irlandeze. Dublini sapo i ka kërkuar vendeve europiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar një hua prej 50 miliard eurosh për të shmangur falimentimin. Treshja (FMN, Komision Europian dhe BQE) shkon në Dublin dhe i kërkon qeverisë vendase t’i drejtohet një auditi të jashtëm. Zgjedhja bie mbi BlackRock, edhe pse tashmë kontrollon 162 miliard euro në aksione në ishullin keltik. “Një mision gjigantesk”, do të thotë Larry Fink lidhur me Irlandën, “më i madhi që më është besuar ndonjëherë nga një qeveri”. Më pas BlackRock do të thirret sërish më 2011 e më 2012 për të kryer stress test ndaj bankave irlandeze. Dhe në fund të 2012 blen 3% të Bank of Ireland, pikërisht një prej bankave të cilave i kishte bërë stress test më 2011.

Në Greqi “shkëmbi i zi” e ka filluar në mënyrë më të matur. Nën emrin “Solar”, BlackRock Solutions merr me qira zyra modeste në Athinë dhe, e punësuar nga Banka Qendrore, futet në bodrumet e 18 bankave helene. Jemi në 2011. Në vitet në vazhdim BlackRock thirret sërish për të studiuar vëllimin e “gropës” së bankave të mëdha greke, të kryejë stress test në insittutet kryesore. 6 kontrata gjithsej, e fundit për t’u dhënë asistencë teknike lehtësimit të kredive të këqija. Sot në Athinë flitet shumë për “gurin e zi” në raport me qendrën tregëtare prej 300 milion eurosh që po ndërton në zemër të kryeqytetit, në rrëzë të Akropolit dhe se aksioner i parë në një minierë ari në very të vendit, e kritikuar nga popullsia vendore prej rrezikshmërisë së supozuar ndaj mjedisit. Por kompania e Larry Fink është edhe aksionere me peshë e një prej bankave më të mëdha dhe e Lotarisë Kombëtare, para pak kohësh e privatizuar. Konflikt interesi, akses i privilegjuar në informacione të rezervuara që mund të jenë të dobishme për kë investon miliona euro në një vend? Michael Massourakis, ish Kryeekonomist i Alpha Bank, kujton sesi “në mbrëmje shkonim tek BlackRock për të shitur aksionet tona dhe po atë ditë punonjësit e BlackRock vinin tek ne për të kontrolluar librat e kontabilitetit. Pastaj në darkë njerëzit e BlackRock takoheshin për një gotë? Nuk e di”.

“Asgjë nuk tregon se punonjësit e BlackRock të ardhur në Athinë u kanë transmetuar informacione të rezervuara ekipeve të BlackRock të interesuara për investimet e fondeve, siguron një trader grek. BlackRock nuk do të rrezikonte kurrë që ta shkatërronte për kaq pak reputacionin e vet”. Por problemi bëhet në një nivel më të lartë, thotë burimi grek: “Duke u ngjitur në hierarkinë e një kompanie private, arrihet në një pikë ku janë në dispozicion të gjitha informacionet e kompanisë, ana e investimeve dhe ajo e konsulencave”. Më 12 dhjetor 2013 Larry Fink është takuar me Guvernatorin e Bankës së Greqisë George Provopoulos. Për çfarë kanë folur të dy njerëzit? Për investimet e BlackRock në gadishullin helen, për degradimin e kredive në bankat greke apo për të dyja?

Në Spanjë, BlackRock ka arritur të hyjë në tregun imobiliar – sot kontrollon 4 kompani të mëdha të real estate – dhe të bëhet aksioner i rëndësishëm në 6 bankat më të mëdha spanjolle. Edhe pse aktivitetet e tij të konsulencës janë ndaluar më 2012 prej një fushate të ashpër shtypi prej dorës së bankierëve anonimë që e gjenin “jo të arsyeshme” që t’i besohej kompanisë amerikane vendosja e çmimeve të aseteve imobiliare të bankave, portofolet e të cilave qenë studiuar tashmë ngë “guri i zi” në një kontratë të mëparshme me Bankën Qendrore të Spanjës. BlackRock, thoshin bankierët, ishte në një pozicion të privilegjuar si blerës i ardhshëm. Ministrit të atëhershëm të Financave spanjolle Luis de Guindos, sot i treguar si Zëvendëspresident i BQE-së, ju desh ta braktisë idenë që t’ia besonte BlackRock studimin mbi investimet imobiliare të bankave spanjolle.

Në Hollandë, Banka Qendrore e Hollandës e ka thirrur dy herë BlackRock, deri më 2013, për studimin e aseteve imobiliare dhe për kreditë e këqija të bankave hollandeze – si puna e ING-së – ku “guri i zi” është aksionet. Edhe BQE-ja i është drejtuar dy herë BlackRock për aktivitete konsulence. Më 2014, institucioni i drejtuar nga Mario Draghi thërret BlackRock Solutions për të hartuar një program blerjesh të titujve të garantuar (ABS) dhe më 2016 për të përgatitur stress test për 39 banka sistemike europiane, banka në të cilat shpesh BlackRock është aksioner i rëndësishëm. Nga Frankfurti, BQE-ja ka hedhur poshtë çdo rrezik për konflikt interesi, duke garantuar se “konfidencialiteti i informacioneve sigurohet nga termat e kontratës”. Por Banka Qendrore e Greqisë i ka zbuluar Investigate Europe se disa dyshime i ka pasur: “Më 2015 e kemi përjashtuar BlackRock nga përgatitja e stress test për bankat prej rrezikut të një konflikti interesi”.

“Shkëmbi i zi” është mbrojtur gjithmonë fuqimisht nga akuzat e konfliktit të interesit: “Ekipet tona janë qartësisht të ndara, i ka shpjeguar Larry Fink një të përditshmjeje gjermane më 2016. Ekzistojnë barriera të mëdha për të siguruar që informacioni të mos rrjedhë dhe të mos ketë konflikt interesi”. Por, duke pranuar që muret kineze vërtet funksionojnë, këto nuk ekzistojnë më në nivel hierarkik më të lartë të një kompanie. Martin Hellwig, ish Drejtor i Komisionit Gjerman për Monopolet, thotë: “Një kompani private merr një mision publik? Kjo është thellësisht e gabuar”. Hans-Peter Burghoff i Universitetit të Hohenheim në Shtutgart, shton: “Aksesi ekskluziv për autoritetet europiane të survejimit i jep pashmangshmërisht një avantazh të madh strategjik BlackRock karshi të gjithë konkurrentëve të tij”.

Po kush e kontrollon kontrollorin? Kjo nuk duket si preokupim për politikanët europianë, të cilët edhe punësohen nga BlackRock. George Osborne, Ministri britanik i Financave nga 2010 më 2016, ka një kontratë konsulenti me “gurin e zi”. Përfiton 740000 euro në vit për të punuar 1 ditë në javë. Kur ishte ministër i kishte takuar shumë herë përfaqësuesit e BlackRock, teksa avanconte reformën e pensioneve dhe çlironte një treg të fondeve të pensionit prej 25 miliard paundësh. Në Gjermani, “guri i zi” ka peshkuar Frederic Merz, ish kreu i VDU-së në Parlamentin gjerman; në Zvicër, është ish Guvernatori i Bankës Qendrore Philippe Hildebrand ai që ka ndjekur sirenat e Larry Fink. Kurse në Francë, Presidenti aktual i BlackRock, Jean-François Cirelli, është edhe konsulent i Presidentit francez Emmanuel Macron. Daniela Gabor nga Universiteti i West England në Bristol, e njeh mirë “gurin e zi” pasi ka ndjekur legjislacionin fiannciar në Bruksel dhe sintetizon: “BlackRock nuk është vetëm një histori fondesh pasive. Është historia e një pushteti politik”.

(Maria Maggiore për Il Fatto Quotidiano)

Përgatiti: ARMIN TIRANA / bota.al

Leave a Reply

Back to top button