HistoriHorizonti.al

Vëllai i humbur i Al Kapones, një oficer shembullor i Prohibicionit

Al Kapone, është ndoshta figura më e famshme e krimit të organizuar të të gjitha kohërave. Njeriu i njohur si “Scarface” (Njeriu me Shenjë) , një nofkë që ai e urrente, e sundoi Çikagon me një grusht të hekurt gjatë viteve 1920 dhe fillimit të viteve 1930, derisa autoritetet federale e burgosën më 1932.

Trupat e të vrarëve, mbushnin shpesh rrugët e qytetit nën sundimin e Kapones, teksa bandat rivale luftonin për kontrollin e tregtisë ilegale të alkoolit. Dy prej vëllezërve të Al Kapone, u përfshinë gjithashtu në krimin e organizuar, dhe luajtën role të rëndësishme në orgnizatën e tij kriminale.

Frenk Kapone u vra nga policia në vitin 1924. Ralf Kapone u bë gjithashtu pjesë e mafias, por ai jetoi deri në moshën 80 vjeçare. Megjithatë, një nga vëllezërit e Kapones nisi një rrugë krejtësisht të ndryshme nga vëllezërit e tij. Xhejms Vinçenco Kapone lindi në Itali më 1892, dhe erdhi në Shtetet e Bashkuara me prindërit e tij kur ishte ende fëmijë.

Ai ishte fëmija më i madh i Gabriele dhe Tereza Kapones. Familja Kapone u vendos në Bruklin, Nju Jork, ku Gabriele nisi punë si berber, për të mbajtur me bukë familjen e tij të madhe. Në moshën 16-vjeçare, Xhejms Kapone vendosi të braktisë Bruklinin, dhe u zhvendos në perëndim.

Pikërisht në hapësirat e mëdha të perëndimit të SHBA-së, Kapone do të rishpikte veten. Ai donte të fshihte prejardhjen e tij italiane, dhe e ndryshoi emrin e tij në Riçard Hart, sipas yllit të tij të preferuar të kinemasë. Ai u tregonte njerëzve se kishte qenë pjesëmarrës në Luftës së Parë Botërore në Francë.

Ai u vendos në qytetin e vogël Homer, Nebraska. Hart jo vetëm që ndryshoi emrin e tij, por edhe pamjen e tij dhe historinë e origjinës familjare. Asgjë nga mënyra se si vishej, nuk do t’i bënte njerëzit të dyshonin, se ai ishte një emigrant italian nga Nju Jorku.

Ashtu si yjet në filmat uestern me pa zë, të cilat i adhuronte, Hart vishte çizme kaubojsh, dhe një kapele të madhe. Ai mbante gjithashtu disa pistoleta. Hart u tha njerëzve në Nebraska se ishte fillimisht nga Oklahoma, se kishte punuar në një cirk, dhe si një kauboj, duke zbutur kuaj dhe mbarështuar bagëti.

Qytetarët e Homerit, e pëlqyen shpejt Riçard Hartin, dhe ai u bë një ditë marshall i qytezës. Në vitin 1920, Hart u bë një agjent federal i Prohibicionit, dhe ai filloi një karrierë në zbatimin e ligjit, që i dha një farë fame. Kurajoja dhe vendosmëria e treguar në operacionet kundër prodhimit ilegal të alkoolit, i dha nofkën “Tëo Gun Hart”.

Puna e Riçard Hart si oficer i Prihibicionit ishte shumë ironike, pasi po luftonte të njëjtën industri ilegale, që ishte duke e bërë milioner vëllain e tij famëkeq në Çikago. Hart pastaj u zhvendos nga qyteza, për t’u bërë një agjent i posaçëm për Byronë e Punëve Indiane, duke i përqendruar përpjekjet e tij, në luftën kundër prodhimit të alkoolit në rezervatet indiane.

Hart u zhyt në kulturën e amerikanëve vendas, dhe mësoi gjuhën dhe zakonet e fiseve të ndryshme, me të cilat ai ndërvepronte. Destinacioni i tij i parë ishte në Dakotën e Jugut. Hart respektohej aq shumë nga eprorët e tij, sa që iu dha detyra e mbrojtjes së presidentit Kelvin Kuloxh dhe familjes së tij, kur ata vizituan Black Hills në vitin 1927.

Hart u zhvendos nga rezervati në rezervat, nga Nebraska në Uajoming dhe më pas në Idaho, e deri në Uashington. Gazetat raportonin për sukseset e tij kudo që shkonte. Një gazetar vinte në dukje faktin se përveç luftës së tij kundër alkoolit të paligjshëm, agjenti i posaçëm kishte kapur edhe 20 vrasës.

“Ylli” i Hart, shkëlqeu deri në një incident që ndodhi në vitin 1931, i cili e uli atë me këmbë në tokë. Pas ndjekjes së një indiani të kërkuar nga policia, Hart e vrau atë, dhe nuk pranoi të dorëzohej. Pas një hetimi, Hart u akuzua për vrasje, dhe ai doli para gjyqit. Ai u lirua nga një juri, por komisioneri i Punëve të Indinëve vendosi ta pushojë gjithsesi nga puna.

Hart u rikthye në Homer të Nebraskës me gruan e tij dhe 4 fëmijë. Ai punoi sërish si marshall. Megjithatë, gjërat nuk ishin kurrë më njëlloj për Riçard Hartin. Kohët ishin të vështira gjatë Depresionit të Madh, dhe Hart u shkarkua nga marshalli i tij, me akuzën e vjedhjes së një dyqani ushqimor.

Ai u përjashtua nga nga posti i tij i legjionarit lokal, pasi anëtarët e tjerë të Legjonit zbuluan se Departamenti i Ushtrisë nuk kishte të dhëna për shërbimin e Hart në Luftën e Parë Botërore. Vetëm në fund të viteve 1930, Riçard Hart vendosi të rilidhej me të kaluarën e tij.

Vëllai i tij famëkeq Al Kapone ndodhej në burg, ndaj Hart shkoi tek vëllai i tij Ralf për t’i kërkuar para. Ralf i dha para dhe rroba. Pasi vëllai i tij Al u lirua nga burgu në vitin 1939, ai dhe Hart u bashkuan në shtëpinë e Ralfit në Uiskonsin. Publiku e mësoi identitetin e vërtetë të Riçard Hart vetëm në vitin 1951, kur Ralf Kapone u akuzua për evazion fiskal.

Hart u nxorr për të dëshmuar gjatë gjyqit, dhe ai u shfaq aty si Xhejms Vinçenco Kapone. Ai vdiq vitin që pasoi në moshën 60-vjeçare, dhe u varros në qytezën Homer në Nebraska.

HistoryCollection – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button