AnalizaHistori

A e shkaktoi Perestrojka, shembjen e Bashkimit Sovjetik?

Nga Barbara Maranxani

Vetëm 6 vjet pasi Mikhail Gorbaçov u ngjit në pushtet si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste dhe filloi zbatimin e disa reformave, Bashkimi Sovjetik u shemb dhe u formuan shumë kombe të pavarura. Po çfarë shkoi gabim?

Në vitin 1985, edhe shumë prej përfaqësuesve të linjës së ashpër, e kishin kuptuan se duhej një ndryshim i thellë. Ekonomia sovjetike ishte e sëmurë, dhe disidentët dhe kritikët e brendshëm dhe të jashtëm, po bënin thirrje t’i jepej fund shtypjes politike dhe sekreteve qeveritare.

Menjëherë pas marrjes së pushtetit, Gorbaçovi u përpoq t’i përballonte këto sfida. Nën një politikë të re të glasnostit ose transparencës dhe hapjes, liritë e reja të shtypit hodhën dritë mbi shumë nga aspektet më negative të Bashkimit Sovjetik, si të kaluarën ashtu edhe të tashmen.

Dhe me perestrojkën, Bashkimi Sovjetik do t’i nënshtrohej një ristrukturimi të shpejtë politik dhe ekonomik, që synonte të transformonte shumëçka nga shoqëria sovjetike. Ndërsa reformat e glasnostit dhe perestrojkës, nuk ishin shkaqet e vetme të shpërbërjes së BRSS, forcat që ato çliruan, destabilizuan një sistem tashmë të dobësuar, dhe nxitën fundin e tij.

Reformat ekonomike nën perestrojkën – duke përfshirë ligjet që lejuan krijimin e ndërmarrjeve bashkëpunuese, penguan kufizimet në tregtinë e jashtme, dhe zbutën kontrollin e centralizuar në shumë prej tyre –synonin t’i jepnin një nxitje të re ekonomisë vendase. Por kjo nuk ndodhi.

Përkundrazi, shpenzimet qeveritare u rritën (duke çuar në një defiçit të madh), çmimet u rritën sidomos ato të ushqimeve, pasi sektori i mëparshëm bujqësor i subvencionuar, prodhonte tani  ushqim për fitime, dhe jo me çmimet e kontrolluara si dikur.

Transformimi mbresëlënës politik, i cili pa zhvillimin e zgjedhjeve të para të vërteta demokratike në historinë sovjetike më 1989-ën, dhe krijimin e një Kongresi të ri të Deputetëve të Popullit, pati ndërkohë edhe pasoja të paqëllimshme.

Me fuqizimin e decentralizimit, nga burokracia masive komuniste drejt kontrollit nga pushteti lokal, Gorbaçovi distancoi aparatçikët e partisë, e privoi veten nga një bazë fuqie për të mbështetur reformat e tij, nxiti lëvizjet nacionaliste dhe të pavarësisë brenda dhe jashtë BRSS, dhe “plagosi” për vdekje vetë Partinë Komuniste.

Edhe pse e pranonin nevojën për reforma, përfaqësues të linjës së ashpër u ngritën shpejt kundër shumicës së këtyre ndryshimeve, të cilat dobësonin pozicionet e tyre të fuqishme dhe i shmangeshin ortodoksisë komuniste. Ata shfrytëzuan liritë e reja të shtypit nën Glasnostin, për të sulmuar në media Gorbaçovin.

Më 19 gusht 1991, një grupim prej tyre organizoi një grusht shteti për të rrëzuar Gorbaçovin. Grupi i shtetit dështoi, por ai e destabilizoi më tej sistemin sovjetik. Ndërkohë, disidentët e sapoliruar nga burgu, si fizikanti dhe laureati i Nobelit Andrei Saharov, kritikuan ritmin dhe shtrirjen e reformave, duke nxitur një lëvizje të plotë drejt ekonomisë së tregut dhe liberalizimin e mëtejshëm të procesit politik, lëvizje që Gorbaçovi shpesh nuk donte t’i bënte.

Vetë populli sovjetik, ishte i papërgatitur për shpejtësinë e reformave. Ndërsa u deshën disa vite që reformat ekonomike dhe politike të perestrojkës të nisnin të zbatoheshin, transparenca e re nën Glasnostin ndodhi menjëherë. Pati zbulime tronditëse, në lidhje me abuzimet e ndodhura në të kaluarën nën sistemin sovjetik.

Uilliam Taubman, historian dhe autor i librit “Gorbaçov:”Jeta dhe koha e tij”, që ndodhej në Moskë në atë kohë, kujton:”Ne ngriheshim herët çdo mëngjes, për të blerë çdo gazetë apo revistë që mundnim. Dhe kur mbërrnim tek stenda në orën 6.30 ose 7, rradha ishte tepër e gjatë…Moska ishte shndërruar në një klasë gjigande, në të cilën të gjithë po lexonin!”.

Dhe teksa epoka staliniste ishte në fokusin e hershëm të këtyre zbulimeve, transparendca preku shpejt edhe tema që dikur ishin tabu. “Në fillim, Lenini nuk u prek, por shumë shpejt dëshmitë tronditëse, denonconin të gjithë sistemin sovjetik”- thotë Taubman.

Kjo përfshinte ekspozimin e korrupsionit dhe joefikasitetit, në sistemin modern të Bashkimit Sovjetik. Shpejtësia me të cilën themelet e komunizmit sovjetik, po viheshin nën akuza të ashpra, ishte shumë shqetësuese për shumëkënd në Bashkimin Sovjetik, duke destabilizuar më tej një situatë tashmë të pasigurtë.

Gorbaçovi, u përpoq të mbante nën kontroll forcat që kishte çliruar. Duke u rritur në radhët e Partisë Komuniste, ai ishte një luftëtar i aftë që mund t’ia dilte përballë aparatikëve të Kremlinit. Por, kur u përball me një grup të rinjsh të zgjedhur në mënyrë demokratike, ato aftësi nuk i vlejtën aspak.

Një tjetër udhëheqës në rritje, Boris Jelcin, ishte i njohur për popullaritetin. Marrëdhënia gjithnjë e më e tensionuar midis dy burrave, u dëshmua të ishte katastrofale. Siç thotë Taubman:”Ishte një konflikt i frikshëm shekspirian. Ata duhet të kishin qenë aleatë, mund të kishin qenë aleatë të mrekullueshëm me aftësitë e tyre të ndryshme, por u kthyen në armiq për njëri-tjetrin. Gorbaçovi luajti një rol në krijimin e Jelcinit si nga armiqtë e tij, dhe më pas Jelcini i nguli thikën në shpinë”.

A do të shkatërrohej Bashkimi Sovjetik pa Gorbaçovin dhe reformat e tij? S’ka dyshim se këto reforma, që synonin forcimin e ekonomisë dhe transformimin e sistemit politik, dëmtuan në fakt vetë themelet e Bashkimit Sovjetik. Ka të ngjarë, thotë Taubman, që Bashkimi Sovjetik të mundej të mbijetonte edhe për një numër vitesh, por do të ishte bërë shumë më i dobët.

Ndërsa një lloj kolapsi mund të ketë qenë i pashmangshëm, Taubman beson se, falë Gorbaçovit, fundi ishte shumë më pak i trazuar sesa mund të ishte ndryshe. “BRSS mund të merrete fund me një luftë civile, si modeli jugosllav, kur federata u shpërbë, dhe rajonet apo republikat filluan të luftonin kundër njëra-tjetrës. Gorbaçovi është përgjegjës për fundin relativisht paqësor të një perandorie”.

Perëndimi, dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara, mund të kishin lehtësuar tranzicionin e Bashkimit Sovjetik. Ndërsa Ronald Regan dhe Mikhail Gorbaçov krijuan një partneritet të frytshëm, pasardhësi i Reganit, Xhorxh HW Bush, ishte i tepër i mefshtë për të vepruar, kur reagimi i konservatorëve e vuri Gorbaçovin në pozita të pambrojtura.

Siç thotë Taubman, “Gorbaçovi donte diçka të ngjashme si Plani Marshall, dhe Bush nuk pranoi t’ia jepte atë. Bush mund të ketë qenë i shqetësuar se ndihma do të fironte. Por në fund, kur Gorbaçovi kishte nevojë për ndihmë ekonomike në mënyrë të dëshpëruar, Bush nuk do t’ia siguronte atë”.

Ky vendim pati pasoja që vazhdojnë sot. Taubman beson se kjo periudhë shënoi të vetmen periudhë në shekullin e fundit, që Amerika kishte një partner rus apo sovjetik, që ishte vërtet i gatshëm të ishte një aleat, duke e bërë atë një mundësi të humbur të përmasave të mëdha. Sot presidenti Vladimir Putin, fajëson Gorbaçovin për kolapsin që pësoi kombi i tij. /

Burimi: HistoryNews

Në shqip nga Bota.al

Leave a Reply

Back to top button