Psikologji

Histori prekëse: Sërish jeta vazhdon, edhe pas përdhunimit…

Isha 19 vjeçe dhe ndiqja vitin e dytë të universitetit. Nuk e dija se çfarë ishte dashuria, sepse asnjëherë nuk isha ndjerë e gatshme për të nisur një lidhje me dikë. Deri në atë moment gjithçka më dukej një monotoni e vërtetë. Në të përditshmen time përfshihej vetëm vajtja në shkollë dhe ardhja në shtëpi. Rrallë herë dilja me shoqërinë, derisa njoha “princin e kaltër”, për të cilin çdo vajzë ëndërron. Në fakt njohja ishte tepër e rastësishme dhe duke qenë se më pëlqente, pranova për t’u lidhur me të që në propozimin e parë që më bëri. Lidhja nisi natyrshëm, ose të paktën kështu më dukej mua. Ne duheshim dhe ndonjëherë më dukej sikur unë e doja dhe ia shprehja më tepër dashurinë, por kjo pak kishte rëndësi. Ai mund të mos m’i shprehte shpesh ndjenjat e tij, sepse meshkujt të tillë janë, por unë e dija se më donte.

Nuk e di se çfarë ndodhi, por pak kohë më vonë ai filloi të zihej me mua për arsye të kota. Ishte xheloz për daljet e mia me shoqërinë. Nëse unë dilja me shoqet dhe shokët e universitetit, me thoshte të largohesha menjëherë nga ai ambient, sepse nuk donte që pranë meje të ishte ndonjë mashkull tjetër përveç tij, edhe pse unë i thoja se ata i kisha thjesht shokë.

Situata u rëndua shumë dhe unë nuk mund t’i duroja dot sjelljet e tij. Juve ndoshta nuk më kuptoni, sepse mund të mos keni kaluar në të njëjtën situatë. Unë vërtet e doja, por kur zënkat, debatet dhe xhelozia e tejkalojnë cakun, atëherë duhet mbyllur çdo gjë. Vërtet dashuria ka rëndësi në një lidhje, por kur ajo nuk shoqërohet me respektin për personin tjetër, atëherë dashuria nuk ka asnjë vlerë. Në këtë mënyrë, unë vendosa të ndaheshim dhe pas shumë debatesh, u ndamë.

Kohë më vonë prej ndarjes sonë më shkruan mesazh se donte të më takonte, pasi e kishte marrë malli shumë për mua. Unë vazhdoja ta doja dhe mendoja se mungesa ime mund ta kishte bërë të reflektonte. Besoja se ai kishte ndryshuar sadopak dhe vendosa ta takoja. Në fillim u stepa, pasi takimin donte ta bënim në shtëpinë e tij, por mendimi se ai më donte, më bëri të pranoja.

Kur shkova, ai as më puthi të paktën si një mike të tijën, as më përqafoi. Hapi derën dhe më la të hyja brenda. E ndjeva se ai kishte pirë nga era e alkoolit që mbante shtëpia dhe pyetjes së tij “Hë, erdhe?”, iu përgjigja thatë me një “Po iki fare më mirë”.

Në momentin që do dilja nga shtëpia, ai më përplasi fort pas derës dhe me shpejtësi e kyçi atë me çelës. U tremba shumë se çfarë mund të më bënte. Pak çaste më vonë, u kthye nga unë dhe filloi të më godiste fort. Ndieva që në fillim më shtyu drejt xhamit të dritares dhe më pas më shtynte me forcë pas mobiljeve. Edhe pse iu luta të ndalej, ai vazhdonte si një kafshë në tërbim e sipër të më qëllonte.

Më pas, ndjeva se si më forcë më hoqi rrobat. Pavarësisht rezistencës sime, ai më poshtëroi në mënyrën më të ulët. Më përdhunoi…

Dikush mund të mendojë se pse shkova, por unë e doja atë dhe mendoja që ai më donte dhe se kurrë nuk do më bënte të ndihesha keq. Unë u çova pavarësisht dhimbjeve që ndieja, vesha rrobat në trupin e nxirë nga të goditurat dhe kur mbërrita në shtëpi, kalova ditë të tëra duke qarë për atë që më ndodhi. Fjeta 48 orë, edhe pse isha në sezon provimesh në atë kohë.
Kaluan muaj që ndenja e mbyllur brenda në shtëpi dhe atë vit shkollor e lashë. Nxora justifikimin se kisha shumë provime pa marrë, kur në fakt unë nuk ndihesha e gatshme të bëja asgjë pas asaj që më ndodhi. Ai ishte dashuria ime e parë, “princi i kaltër” dhe rezultoi një princ i zi, jo i kaltër.

Sot që po ju shkruaj jam 23 vjeçe dhe nga ajo ngjarje kanë kaluar plot katër vjet. Dikur ndihesha e pavlerë për atë që më ndodhi, kurse tani e kam marrë disi veten. Duke mos dashur të mbyllem brenda vetes, pas asaj që më ndodhi, vendosa të nis para disa kohësh një lidhje me dikë përmes rrjetit social Facebook. E di që shumë veta do jenë duke më gjykuar se si mundet të niset diçka serioze në rrjetet sociale, por do ju thoja të mos gjykonit kot. Edhe aty mund të niset diçka, nëse pas bisedave ke mundësinë edhe ta takosh përballë atë person. Unë fillova ta doja, por kur edhe me këtë nisën zënkat, vendosa sërish unë të ndaheshim. Nuk doja të kaloja nëpër të njëjtën situatë si më parë. Pas disa ditësh, ai më shkruan se kishte lënë shtatzënë dikë tjetër dhe priste një fëmijë me të. Nuk mund ta mohoj se u ndjeva keq, por e di se nga gjithë këto ngjarje unë jam bërë më e fortë.

Pas gjithë atyre që më kanë ndodhur, dua të them se askush nuk duhet të ndalet përpara vështirësive. Unë jam viktimë e një përdhunimi, e poshtërimit më të madh për një femër dhe sërish shpresoj për një të ardhme më të mirë. Unë do të nis studimet master dhe kam për të qenë e lumtur me dikë që do t’i kuptojë vështirësitë e mia dhe do më dojë për atë që unë përfaqësoj, jo për të shkuarën time…

Leave a Reply

Back to top button