Shendeti

Roli i magnezit në organizëm

Cili mendoni se është elementi që ndihmon funksionimin e mirë të muskujve, ka veti anti-inflamatore dhe mbi të gjitha ka aftësi ta bëjë të shndritshme lëkurën tuaj? Ai është magnezi. Mund ta gjeni shumë lehtë në farmaci, si dhe në produkte ushqimore. Mungesën e tij mund ta vini re kur lëkura ju duket e thatë dhe e dëmtuar.

Sipas John Cullen, i cili është mjek familjeje në Alaskë, magnezi është një nga jonet më kryesore në organizëm që drejton funksionin muskular. Kështu që kur do të keni mungesë të magnezit, përveç lëkurës së dëmtuar të përmendur më lart, sipas Cullen, ju do të përjetoni edhe rrahje të parregullta të zemrës, si dhe krampe ose dhimbje muskulare.

Rreziqet që shfaqen prej mungesës së magnezit

Sipas një studimi të kryer së fundmi nga Instituti Kombëtar i Shëndetit në SHBA, është dhënë lajmi se që të dyja gjinitë janë duke marrë një sasi të ulët të këtij minerali në dietën e tyre të përditshme. Kjo ka shfaqur një situatë alarmi në sistemin mjekësor mbarë botëror.

Arno Rotgans, një mjek angiokirurg, ka shprehur se shumë enzima në organizëm, sidomos ato të metabolizmit të karbohidrateve funksionojnë duke pasur element të domosdoshëm magnezin. Në prani të këtij minerali ato bëjnë të mundur transferimin dhe konservimin e energjisë. Në mungesë të magnezit, jo vetëm që do të dëmtohet funksioni i këtyre enzimave, por do të preket edhe balanca e mineraleve të tjerë, si ajo e kalciumit dhe kaliumit, të cilët do të përpiqen të zënë vendin bosh të magnezit.

Ndërkohë njerëzit që ndjekin një dietë të shëndetshme dhe ushqehen mirë, nuk kanë për ta ndierë mungesën e këtij minerali në organizëm. Kequshqyerja, si dhe prania e sëmundjeve si, sëmundja e Crohn, fibroza cistike, bëjnë që personat të kenë deficiencë të magnezit. Në mungesa të moderuara, këta persona përjetojnë ndjesi për të vjellë, të vjella dhe humbje oreksi. Nëse mungesa është e rëndë dhe e vazhdueshme, simptomat shtohen dhe pacientët përjetojnë mpirje, ndjesi shpimi, kontraktime muskujsh të shoqëruara me dhimbje barku, rrahje anormale të zemrës dhe gjithashtu, në rastet më të rënda, ndryshime të personalitetit.

Përfitimet prej magnezit

Përveçse ndihmon në funksionin e tkurrjes së muskujve, si dhe në reaksionet energjitike, magnezi arrin ta mbajë lëkurën tuaj të shndritshme, thotë Joshua Zeichner, mjek dermatolog në Neë York. Magnezi është i nevojshëm për ta mbrojtur lëkurën nga tharja dhe dëmtimi i saj. Kjo është arsyeja pse shumë dermatologë e rekomandojnë përdorimin e mineralit në fjalë në mënyrë të përditshme, sepse ai është i nevojshëm në prodhimin e vajit që sintetizon lëkura për mbrojtjen e saj.

Si mund ta marrim magnezin?

Gati 30-40% e magnezit që ne marrim me dietë, përthithet në organizëm. Sasia e nevojshme e magnezit që duhet të marrim në ditë është rreth 400 mg dhe sasi të larta të tij kanë kryesisht perimet jeshile, si spinaqi, sallata, brokoli etj. Gjithashtu produkte si çokollata e zezë, arrat, farat e lulediellit, kikirikat kanë përmbajtje të konsiderueshme të magnezit. Në përgjithësi, sa më shumë fibra apo sa më i pasur në proteina të jetë një produkt ushqimor, aq më të lartë e ka sasinë e magnezit që përmban.

Mirëpo, të gjithë duhet të kemi kujdes të mos marrim sasi shumë të larta të tij, sepse në sasi të mëdha, magnezi jo vetëm që frenon aktivitetin e sistemit nervor dhe tkurrjen muskulare, por shkakton edhe efekte të padëshirueshme gastrointestinale, si diarre, apo në rastet më të rënda, toksikim nga magnezi, i cili mund të jetë fatal.

Ndaj, përballë një problemi të tillë, sugjerohet marrja e magnezit së bashku me kalciumin, si dhe me produkte që përmbajnë vitamin D. Në këtë mënyrë, ju i parandaloni efektet anësorë të rritjes së lartë të përqendrimit të magnezit në organizëm.

Leave a Reply

Back to top button