Histori

Dokumentet e fshehta zbulojnë se aleatët kishin dijeni për Holokaustin, shumë kohë para se të zbulonin kampet e përqëndrimit

Fuqitë Aleate ishin në dijeni për shkallën e Holokaustit hebre dy vjet e gjysmë më herët se sa është supozuar në përgjithësi, dhe kishin përgatitur aktakuza për krime lufte kundër Adolf Hitlerit dhe komandantëve të tij të lartë nazistë.

Materiali i ri i ofruar nga Kombet e Bashkuara – që nuk është parë për rreth 70 vjet – tregon se deri në dhjetor të vitit 1942, qeveritë amerikane, britanike dhe sovjetike ishin të vetëdijshme se së paku dy milionë hebrenj ishin vrarë dhe pesë milionë ishin në rrezik të vriteshin, dhe ishin duke përgatitur akuza. Përkundër kësaj, Fuqitë Aleate shumë pak po përpiqeshin të shpëtonin ose të siguronin strehë për ata që ishin në rrezik vdekjeje.

Në të vërtetë, në mars të vitit 1943, Viscount Cranborne, një ministër në kabinetin e luftës së Uinston Churchill, tha se hebrenjtë nuk duhet të konsiderohen si një rast i veçantë dhe se Perandoria Britanike ishte tashmë e tejmbushur me refugjatë, për të ofruar strehë të sigurt për të tjerë.

“Fuqitë e mëdha kanë komentuar [mbi vrasjen masive të hebrenjve] dy vjet e gjysmë para se supozohej në përgjithësi”, tha Dan Plesch, autor i librit “Të drejtat e njeriut pas Hitlerit”, për The Independent.

“Supozohej se e mësuan këtë, vetëm kur zbuluan kampet e përqendrimit, por ata e kishin bërë këtë koment publik në dhjetor 1942”.

Z. Plesch, një profesor në Qendrën për Studime Ndërkombëtare dhe Diplomaci në Universitetin SOAS të Londrës, tha se fuqitë kryesore filluan të hartojnë akuza për krime lufte bazuar në dëshminë e dëshmitarëve të arratisur nga kampet, dhe nga lëvizjet e rezistencës në vende të ndryshme të pushtuara nga nazistët. Ndër zbulimet e tij ishin dokumente që akuzonin Hitlerin për krime lufte, që datonin nga viti 1944.

Në fund të dhjetorit 1942, pasi SHBA, Britania e Madhe dhe të tjerët lëshuan një deklaratë publike për masakrën ndaj hebrenjve, Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe Anthony Eden i tha parlamentit britanik: “Autoritetet gjermane, jo të kënaqura me mohimin që u kanë bërë të drejtave të njeriut për personat racës hebraike në të gjitha territoret ku shtrihet rregulli i tyre barbar, po zbatojnë tani qëllimin e përsëritur të Hitlerit, për të shfarosur popullin hebre”. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button