Your Life

Ja pse keni nevojë për “forest-bathing”, praktikën që japonezët e rekomandojnë dhe e financojnë

Herën e parë që dëgjoni këtë term, mund të mendoni se “forest bathing” (fjalë për fjalë një banjë në mes gjelbërimit të pyllit) nënkupton pllaquritjen në një burim spa, mes sekuioneve.

Duket bukur, por nuk është përkufizimi i saktë. Banja e pyjeve ose shinrin-yoku në japonisht, në praktikë, nënkupton endjen nëpër pyll, duke shijuar përfitimet e kësaj veprimtarie për shëndetin (përkthehet “të përfitosh nga atmosfera e pyjeve”). Kur ne mund të ecim nëpër pemë, pa shpërqëndrime dhe pa nxitim – idealja është dy orë ose më shumë – është si të bëjmë një banjë në pyll.

Qeveria japoneze e shpiku termin në fillim të viteve 1980, duke njohur përfitimet për shëndetin të lbanjës në pyll, dhe duke akorduar fonde për kërkime në një hobi, tashmë të popullarizuar. Një artikull i botuar në vitin 2012 në Revistën Outside ka konsoliduar popullaritetin e praktikës në SHBA dhe sot vendpushimet dhe parqet natyrore ofrojnë shëtitje, bazuar në “zhytjen” në vende të tilla dhe në tingujt e natyrës.

Një ekspert i “forest bathing” parashikon që brenda tridhjetë viteve, aktiviteti do të jetë një praktikë e përhapur kulturore siç është joga sot. Pse?

Forest bathing lehtëson stresin.

Nga viti 2004 deri në vitin 2012, qeveria japoneze ka financuar masivisht kërkimet për banjën e pyllit, siç raportohet nga Quartz. Një studim i kryer nga studiuesit në Universitetin e Chiba, krahasoi rreth 300 studentë pas një shëtitje në qytet dhe pas një shëtitje në pyll. U vunë re përqendrime më të ulëta të kortizolit, hormoneve të stresit, shkallës së impulsit dhe zvogëlimit të tensionit të gjakut pas zhytjes në gjelbërim, në krahasim me ata që kishin qëndruar në qytet. Po ashtu, në një studim më të madh të kryer nga studiuesit në Universitetin e Kiotos, pjesëmarrësit treguan vlera më të ulëta të armiqësisë dhe depresionit, pasi kaluan kohë në pyje, kur krahasoheshin me kohën e kaluar në mjedisin urban.

Mund të ndihmojë në largimin e sëmundjeve.

Studimet e mëtejshme të kryera nga Nippon Medical School zbuluan se qelizat “vrasës natyrorë” të sistemit imunitar të njeriut, që na ndihmojnë të mbrohemi nga viruset dhe kanceri, treguan nivele më të larta aktiviteti në pjesëmarrësit që kishin praktikuar banjën e pyjeve, të cilat ishin ende në rritje edhe pas një dite të dytë të shëtitjeve në pyll. Përveç kësaj, qelizat vazhduan të tregonin rritje të niveleve të aktivitetit më shumë se një javë nga përvoja.

Nuk është plotësisht e qartë se pse funksionon banja e pyjeve, thekson Uashington Post. Disa ekspertë besojnë se përfitimet janë për shkak të përthithjes së fitoncideve, substancave të lëshuara nga bimët për të mbrojtur veten nga insektet. Të tjerët nuk janë aq të sigurt për shkakun dhe argumentojnë se shtimi i ndjesisë së kënaqësisë dhe magjepsjes, janë arsyeja pse ata që praktikojnë banjën e pyjeve gëzojnë shëndet më të mirë.

Sidoqoftë, është e qartë se natyra është e mirë për trupin dhe mendjen: një studim i kryer në Shtetet e Bashkuara ka treguar se ecja në gjelbërim e pastron mendjen më shumë se çdo shëtitje në qytet, ndërsa një studim evropian ka treguar se edhe vetëm të jetosh në një lagje me pemë ul shkallën e vdekshmërisë së banorëve me 16%. Është vërtetuar se koha e kaluar në natyrë lehtëson depresionin, përmirëson përqendrimin dhe kreativitetin dhe ju bën të ndiheni më të gjallë. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button