Analiza

Në Gjermani, është fillimi i një periudhe konfuzioni dhe pasigurie

Nga Bernard Guetta

Për rreth njëzet vjet, ishte Franca që hidhte poshtë propozimet gjermane për forcimin e unitetit evropian. Tani ndodh e kundërta. Ndërsa Franca dëshiron të vazhdojë në këtë drejtim dhe po përgatitet ta bëjë këtë gjë, zgjedhjet gjermane e mohojnë këtë projekt, duke e kthyer Gjermaninë në Francën e djeshme, vendin me refren “jo kaq shpejt”.

Problemi nuk është Angela Merkel. Kancelarja e sapo rizgjedhur ndan vullnetin e Emmanuel Macron, për të transformuar eurozonën në pararojë të Bashkimit Evropian. Por Merkel nuk mund të qeverisë vetëm. Social Demokratët nuk duan të rikonfirmojë koalicionin me të dhe, për këtë arsye, Kancelarja do të duhet të bëjë aleancë me liberalët e FDP, që kanë marrë 10.7 për qind të votave, duke mbetur prapa eurofobëve të ekstremit të djathtë, AfD, që do të hyjnë për herë të parë në Bundestag, me 12.6 për qind e preferencave.

Në Gjermani duhet një kontratë qeveritare për të formuar një koalicion dhe liberalët – megjithëse tradicionalisht Eurofilë – kanë bërë fushatë kundër ideve franceze mbi buxhetin unik të eurozonës. Pasi dolënnga parlamenti në zgjedhjet e fundit, ata rifituan terren, duke ngritur argumentin që Gjermania paguan për të gjithë partnerët evropianë, dhe është koha për të ndryshuar kurs.

Një situatë konfuze

Liberalët dhe Kristian Demokratët e Angela Merkelit nuk mund të krijojnë një shumicë të vetëm. Nevojitet një partner i tretë, dhe në mënyrë të pashmangshme do të jenë të Gjelbërit, të gatshëm për të qeverisur me dy partitë e djathta, por me kusht që Merkel të jetë e angazhuar më shumë për të mbrojtur mjedisin dhe që liberalët të mos bllokojnë reformën e Bashkimit Evropian. Gjermania ka votuar, por situata është ende e paqartë.

Të tre partitë në fjalë do të fillojnë negociatat, dhe nëse liberalët do të duan të kthehen në qeveri do të duhet t’i hedhin ujë zjarrit të eurofobisë elektorale, dhe të rikthejnë eurofilinë që është në ADN-në e tyre.

Do të presim e do të shohim. Ndërkohë, e vetmja siguri është se Gjermania do të hyjë në një periudhë pasigurie dhe konfuzioni politik, për shkak se Merkel është në mandatin e saj të fundit, pretendentët për vazhdimësinë brenda partisë së saj janë të gatshëm të “përleshen”, e majta social demokrate do të ndahet, sa u përket metodave për t’u ringritur, pasi ra nën 21 për qind të votave, e majta radikale Die Linke arriti në 9.2 për qind dhe skena gjermane në përgjithësi është shumë e fragmentuar.

Përballë kësaj pasigurie gjermane, më 26 shtator në Sorbonne, Macron do të paraqesë propozimet e tij afatgjata evropiane, për të cilat të gjithë do të duhet të shprehien, duke filluar nga Berlini. / France Inter – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button