Ekonomi

FMN mund ta lërë në baltë Greqinë

Fondi Monetar Ndërkombëtar do të “largohet” nga Greqia, në qoftë se vendos se marrëveshja e ndihmës së Europës, i lë borxhet e vendit paqëndrueshmërisht të larta, ka deklaruar Christine Lagarde.

Greqia do të ketë vend parësor në agjendën e takimeve të pranverës së FMN-së, të cilat fillojnë në Uashington të premten. Athinës po i mbaron koha, për të siguruar një hua të re nën programin e saj të shpëtimit prej 86 miliardë eurosh, i treti që nga viti 2010. Kësti i fundit i paketës së saj të shpëtimit duhet të lirohet në kohë, për të kryer shlyerjet e borxheve, që duhet të bëhen në korrik. Pa para shtesë, vendit mund t’i mbarojnë paratë dhe të shkelë afatet, duke shkaktuar një rikthim të krizës së vitit 2015. Derisa FMN të përcaktojë se borxhet e Greqisë janë në një rrugë të qëndrueshme, institucioni ndërkombëtar ka refuzuar të vendosë më shumë para në rrezik.

“Nëse borxhet greke nuk janë të qëndrueshme në bazë të rregullave të FMN dhe parametrave të arsyeshëm, ne nuk do të marrim pjesë në program”, tha Lagarde, drejtore e FMN, për gazetën gjermane “Die ëelt”. Maurice Obstfeld, këshilltari ekonomik i FMN, tha se diskutimet me Bashkimin Evropian janë duke vazhduar.

BE ka kërkuar që Greqia të ketë një suficit primar prej 3.5 për qind, ku të ardhurat e shtetit tejkalojnë shpenzimet, duke përjashtuar interesin e borxhit. FMN kërkoi një suficit 1.5 për qind dhe që masat shtrënguese të jenë të qëndrueshme, me një fokus të veçantë në detyrimet e mëdha të pensioneve shtetërore në vend.

FMN nuk është e bindur që masat e marra nga Athina sigurojnë që një suficit prej 3.5 për qind të jetë i arritshëm, por Brukseli i ka pranuar ato. Si rezultat, Brukseli supozon se borxhi grek do të bjerë shumë më shpejt se sa mendon FMN, kështu që ristrukturimi i borxhit është i nevojshëm. FMN nuk pajtohet dhe kërkon më shumë ristrukturime apo plane të përkohshme të kursimit, nëse objektivi nuk arrihet. Mosmarrëveshja ka rezultuar në një ngërç, pasi Gjermania refuzon të nënshkruajë këstin e fundit të kredisë derisa FMN të bjerë dakord. FMN parashikon që Greqia do të rritet ekonomikisht, me 2.2 për qind këtë vit. /Times – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button