Bota

Fuqitë bërthamore s’mund të kenë këtë lloj marrëdhënieje

Marrëdhëniet e SHBA me Rusinë mund të jenë në pikën e tyre më të ulët, siton e përditshmja britanike The Independent, paralajmërimin e bërë dje nga presidenti amerikan, Donald Trump. Sipas saj, presidenti i SHBA u largua edhe më shumë nga premtimi i tij i fushatës, për të vendosur lidhje më të mira me Moskën. “Në këto momente, nuk po shkojmë hiç mirë me Rusinë”, tha presidenti, në vijim të bisedimeve në kryeqytetin rus, mes Ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov, dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson.

Rusia vuri veton edhe ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB dje në mbrëmje, që synonte rritjen e mbështetjes për hetimet ndërkombëtare ndaj një sulmi të dyshuar me gaz helmues në Siri, javën që kaloi.

Më herët, Tillerson foli në mënyrë të ngjashme me presidentin Trump, duke thënë se besimi mes Moskës dhe Uashingtonit ka rënë tashmë në nivele shumë të ulët, mes tensioneve mbi luftën në Siri.

“Dy vendet më të fuqishme bërthamore të botës nuk mund të kenë këtë lloj marrëdhënieje”, deklaroi kryediplomati amerikan, gjatë një konference të përbashkët shtypi, tejet të tensionuar, me Ministrin e jashtëm rus. Ky i fundit përmendi përpjekje të grupeve, të cilëve nuk u përmendi emrin, për të sabotuar marrëdhëniet me SHBA.

Ndërkohë, presidenti Putin, në vijim të një takimi 2-orësh me Tillersonin, deklaroi se niveli i besimit nuk është përmriësuar aspak, madje mund të thuhet se është përkeqësuar. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button