Analiza

Britania e Madhe, rikthim në BE …

A është marrëzi të flitet në këto momente, për qëndrimin e Britanisë së Madhe në BE? Në një analizë për Financial Times, editorialisti Volfgang Munchau shkruan se mbase ky është momenti më pak i përshtatshëm për të folur për një gjë të tillë, sidomos një javë pasi kryeministrja britanike, Theresa May, ka nisur periudhën 2-vjeçare të negociatave. Megjithatë, Munchau, në opinionin e ti, u jep disa këshilla proeuropianëve, për mënyrën se si mund ta rikthejnë Mbretërinë e Bashkuar në Bashkimin Europian.

“Së pari, pranoni rezultatet e referendumit dhe që Brexit do të ndodhë. Nuk do të ketë një referendum të dytë”, shkruan Munchau, duke shtuar se shanset ekzistonin nga 23 qershori 2016, deri në 29 mars 2017. Tashmë, shpresat kanë avulluar.

Këshilla e dytë e Munchaut është që t’i jepet fund një herë e mirë zemërimit, si dhe gogolit të bazuar në argumentat ekonomike. Mbi të gjitha, ankesës se votuesit budallenj zgjodhën të besojnë gënjeshtrat e mbështetësve të Brexit. Sipas tij, edhe pse disa prej parashikimeve të frikshme nuk u vërtetuan, gjasat janë që në të ardhmen, do të jetë më e vështirë që të ketë izolim nga pasojat e Brexit në të ardhmen, sidomos nëse ekonomia do të dobësohet.

Munchau vë në dukje se, Bashkimi Europian që proeuropianët e Britanisë ndoshta do të duan të rifuten një ditë, nuk do të jetë i njëjti me atë nga i cili dolën. Sepse për të hyrë në BE, do të duhet të zbatojnë Nenin 49 të Traktatit. Që do të thotë me Euron, zonën Shengen, përfshirjen e BE në çështjet e brendshme … “Nëse do të doni të rifuteni, do të hyni në një organizatë, pjesë e të cilës nuk keni qenë asnjëherë. Me kushte anëtarësimi të plotë”, shkruan Munchau.

Nëse doni të dëgjoni argumenta vërtetë të vlefshëm për qëndrimin, mos dëgjoni parashikimet katastrofike ekonomike të mbështetësve të qëndrimit një vit më parë. Mjaft të dëgjoni zërat e të rinjve që protesonin kundër Brexit një javë më parë. Një i ri tha se kish lindur qytetar i BE-së, dhe tani do të zhvishej nga një pjesë e identitetit të tij. Njerëzit mund ta quajnë marrëzi këtë argumentin e identitetit. Por, nëse nesër do të ketë një fushatë për rikthim të Britanisë në BE, pikërisht tek këta faktorë duhet të përqëndrohem. Këta do të jenë arsyeja, dhe jo sepse ekonomia e Britanisë po ecën më keq jashtë tregut të përbashkët, apo sepse ndonjë bankë zhvendos zyrat e saj gjetkë. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button