Home»Analiza»Skandali pambarim / Michael Flynn kërkon imunitet, në këmbim të rrëfimit për lidhjet e Trumpit me Rusinë

Skandali pambarim / Michael Flynn kërkon imunitet, në këmbim të rrëfimit për lidhjet e Trumpit me Rusinë

Ish këshilltari për sigurinë kombëtare është duke kërkuar imunitet nga ndjekja penale, në këmbim të rrëfimit për lidhjet e Presidentit me Putinin

Simon Jenkins

Nga Rusia me dashuri për Donaldin, është një histori që nuk pushon së ofruari. Zbulimi më i fundit, me të vërtetë eksploziv, është se shefi i shkarkuar i sigurisë kombëtare, Michael Flynn është duke kërkuar imunitet nga ndjekja penale, në këmbim të dhënies së informacioneve për lidhjet e Trumpit me Moskën. Një gjë që i ka bërë demokratët në Kongres të brofin nga gëzimi. Ishte Flynn i cili foli për një marrëveshje të ngjashme me ndihmësit e Hillary Clintonit vitin e kaluar: “Kur ju jepet imunitet, kjo do të thotë se ndoshta keni kryer një krim”.

Flynni mbijetoi vetëm disa ditë si këshilltari më i lartë i mbrojtjes i Trumpit, përpara se të jepte dorëheqjen pas asaj që u duk si një shkelje e vogël. Ai kishte gënjyer zëvendës presidentin e ri, kur ky e kish pyetur nëse kish takuar një rus gjatë fushatës elektorale. Në Uashingtonin dhe Londrën e sotme, është e vështirë të mos takosh një rus, ndonëse takimi me sa duket e ka lënë atë të ekspozuar ndaj “shantazhit”.

Përmasat që ka marrë survejimi elektronik nënkuptojnë se nuk ekziston më një gjë e tillë si fshehtësia, sigurisht për ata pranë pushtetit. Dikush, diku duhet të jetë duke dëgjuar. Për këtë arsye lajmet e rreme, ky fenomen i lashtë, janë një marrëzi. Një gënjeshtër as nuk mund të bëhet virale, pa u kapur pamëshirshëm prej gjahtarëve të të vërtetës. Për një fuqi të huaj, edhe një armik, ndërhyrja në zgjedhjet e dikujt nuk është habi, aq më pak në shtëpinë e CIA-s. E reja këtu është se sa shpejt e morëm vesh të gjithë.

Eshtë e qartë – ose me siguri do të jetë së shpejti – se marrëdhëniet mes organizatës së Trumpit dhe Moskës ishin shumë të ngushta. Kjo nuk është një surprizë, në botën e financës së dyshimtë. Ajo që nuk dihet, është nëse këto marrëdhënie kanë patur të bëjnë me financën e dyshimtë, apo janë shtrirë edhe në shkelje syri e tundje koke, mbi politikat që do të adoptohen nga Trumpi me të marrë pushtetin.

Rusia e Vladimir Putinit në përgjithësi konsiderohet si armiku më i madh i Amerikës, sado idioteske mund të jetë kjo. Kur një perandori e madhe ushtarake është ndërtuar me qëllim ekskluziv që të “frenojë” një armik të caktuar, çdo gjë, që është më pak se angazhimi total në këtë drejtim, është shkatërruese. Mendja të shkon tek ajo që Flynn mund të mendojë të thotë, që mund ta “inkriminojë” atë?

Ironia është se rivendosja e marrëdhënieve të Perëndimit me Rusinë e Putinit ishte një prej disa zotimeve të Trumpit, kur ai konkurronte për presidencën. Ai ishte qartësisht skeptik ndaj sanksioneve perëndimore, të cilat kanë forcuar kleptokracinë e Moskës dhe kanë shtyrë kundërshtarët potencialë të Putinit që të emigrojnë. Ka edhe një ide që, një rifillim i çmendur i një gare armatimi lindje-perëndim mund të zhbëhet. Kështu do të kërkonte një mendje e shëndoshë.

Por nuk ka asgjë të shëndoshë në horizontin e Trumpit, vetëm kaos e dalldi. Eshtë e qartë se Flynni ka një histori për të rrëfyer, në lidhje me një çështje shumë të rëndësishme për pozicionin global të Amerikës. Mund të jetë tejet interesante, por zor të besohet se do ta lërë botën një vend më të sigurtë. / The Guardian – bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *