Histori

“Zemerimi i Perendise” / Hakmarrja e Mossadit pas atentateve te Olimpiades se Mynihut

zemerimiNë shtator 1972, gjatë Olimpiadës së Mynihut, 11 atletë izraelitë u vranë nga grupi terrorist palestinez “Shtatori i Zi”. Bota u tmerrua, por në Izael, shumë shpejt dhimbja u shndërrua në zemërim dhe vendosmëri. Lideri i ashpër i opozitës, Menachem Begin tha: “Kundërpërgjigja nuk është më e mjaftueshme. Ne kërkojmë një sulm të zgjatur dhe pa fund kundër vrasësve dhe bazave të tyre…”. Në atë që u bë i njohur si operacioni “Zemërimi i Zotit”, kryeministrja Golda Meier miratoi me shpejtësi planet sekretë për të realizuar ndëshkimin, kundër atyre që kishin planifikuar masakrën – duke u shndërruar në gjykatës, juri dhe ekzekutore me një të rënë të lapsit.

Një zinxhir burokratik i fshehtë, shumë i shpejtë dhe i zhdërvjellët u vu menjëherë në punë ndërmjet Mossadit, agjencisë së shërbimit të fshehtë izraelit, si dhe një paneli ministrash, që së bashku u bënë të njohur si “Komisioni X”, i cili mblidhej për të dhënë miratimin për cdo vrasje. Për arsye se izraelitët nuk donin të akuzoheshin se po përdornin të njëjtat metoda si terroristët, një faktor kritik ishte që askush nuk duhej të mund të bënte një lidhje direkte mes vrasjeve dhe Izraelit.

SHËNJESTRA E PARË

Brenda pak javësh, Mossadi ishte në gjurmë të shënjestrës së parë: Vael Zvaiter, një përkthyer 30-vjecar në ambasadën libiane në Romë. Për miqtë e tij perëndimorë, Zvaiter ishte një shkrimtar paqësor me bindje të majta, por sipas Mossadit, ai ishte kreu i “Shtatorit të Zi” në Itali dhe kish qenë i angazhuar plotësisht në planifikimin e masakrës së Mynihut (angazhimi i Zvaiterit në terrorizëm është ende shumë i diskutueshëm edhe sot e kësaj dite).

Një ekip prej 15 vetësh ndërtoi një skemë të detajuar të lëvizjeve të tij, dhe më pas një skuadër elitë fluturoi drejt Romës për të bërë goditjen. Në 16 tetor, Zvaiter u qëllua gjashtëmbëdhjetë herë nga dy atentatorë izraelitë në hollin e ndërtesës së apartamentit ku jetonte.

Sipas David Kimche, ish zëvendës drejtor i Mosadit, “qëllimi nuk ishte aq shumë për hakmarrje, se sa për të frikësuar militantët palestinezë. Donim që ata të shihnin prapa krahëve dhe të kuptonin se ne u ishim qepur pas. Kështu që, u përpoqëm të bënim gjëra të tilla që nuk ishin thjeshtë vrasje nëpër rrugë – kjo është e lehtë … apo jo”.

TRYEZA SHPËRTHYESE

Vrasja tjetër e Mossadit ndodhi në Paris – shënjestra: Dr. Mahmoud Hamshiri, zëdhënës i Organizatës për Clirimin e Palestinës në Francë. Sipas Mossadit, ai jo vetëm ishte përfshirë në planifikimin e Masakrës së Mynihut, por ishte për momentin duke organizuar sulme të tjerë në Evropë. Për të shmangur rrezikimin e jetëve të bashkëshortes dhe fëmijës së Hamshirit, Mossadi përpiloi një plan të ndërlikuar, ku u përfshinë më shumë se 20 oficerë në terren, të cilët do të kontrollonin në mënyrë të saktë se si, kur dhe ku do të kryhej vrasja.

Ata siguruan detaje të tryezës ku ndodhej telefoni i njeriut të OCL-së, dhe në mënyrë të fshehtë zëvendësuan pjesën e sipërme të mermertë me një tjetër identike. Brenda kësaj të fundit ishin fshehur eksplozivët. Në 8 dhjetor 1972, pasi u siguruan se bashkëshortja dhe vajza e Hamshirit ishin larguar nga banesa, një agjent i Mossadit i ra numrit të telefonit të zëdhënësit të OCL-së. Hamshiri u përgjigj dhe në moment bomba që ndodhej në tryezë u shpërthye me telekomandë, duke e vrarë në vend.

NJË SY QORR

Në javët që pasuan, vrasësit vazhduan fushatën e tyre. Një prit ë me bombë la të vrarë në Qipro një korrier të “Shtatorit të Zi”. Vrasja me armë e një atenta-tori të dyshuar të OCL në Paris e coi në katër numrin e të vdekurve. Por pavarësisht rritjes së numrit të të vrarëve, qeveritë perëndimore dukej se nuk dinin asgjë për atë që po ndodhte nën hundët e tyre. Sidoqoftë, ata ishin në fakt duke bërë një sy qorr ndaj operacioneve të Izraelit. Fakti që vrasjet po ndodhnin si një kundërpërgjigje për masakrën e Mynihut, dukej se shërbente si një justifikim i mjaftueshëm për aleatët izraelitë.

GJAKDERDHJE NË BEIRUT

Në prill 1973, burimet e Mossadit në Liban zbuluan vendndodhjen e tre shënjestrave të tjera shumë të rëndësishme – Abu Youssef, Kamal Nasser dhe Kamal Advan, militantë shumë aktivë të OCL-së që tashmë jetonin në të njëjtën rrugë në Beirut. Mossadi, i bindur për përfshirjen e tyre në “Shtatorin e Zi”, ishte i vendosur tashmë për t’i vrarë.

Për një sipërmarrje të tillë me rrezik shumë të lartë, duhej ndihmë ekspertësh ushtarakë dhe për këtë qëllim u thirr Ehud Baraku, që më vonë do të bëhej kryeministër i Izraelit, dhe që atëherë ishte komandant i forcave speciale izraelite. Në orën 1.30 të 10 prillit 1973 startoi “Operacioni Rinia Pranverore”. Nën mbulesën e errësirës, ekipi i armatosur rëndë zbriti në brigjet e Beirutit, me Barakun dhe dy prej zëvendësve të tij të veshur si gra, për t’ua hedhur badigardëve të OCL-së.

Dhjetë minuta më vonë, komandot mbërritën tek shënjestrat: dy ndërtesa të larta. Ndonëse elementi i suprizës humbi shumë shpejt për arsye se badigardët hapën zjarr, brenda dhjetë minutash, tre udhëheqësit e OCL-së ishin vrarë.

Por ata nuk ishin viktimat e vetme. Të paktën shtatë policë libanezë, bashkëshortja e njërit prej pjesëtarëve të OCL-së dhe një fqinj gjetën gjithashtu vdekjen. Në fakt, më vonë është thënë se aksioni i izraelitëvee mori 20 jetë njerëzish. Protesta të mëdha shpërthyen në të gjithë botën arabe, u pretenduar se shënjestrat nuk kishin patur fare të bënin me atentatet e Mynihut – dhe duket se këto pretendime ishin të paktën pjesërisht të vërtetë.

“TERRORISTI, TERRORIST ËSHTË…”

Sulmi në Beirut ishte një pikë kthese. Ajo që kish nisur si hakmarrja e Golda Meirit kundë atyre që fshiheshin pas masakrës së Mynihut, ishte shndërruar tashmë në një fushatë të përgjithshme kundër të gjithë militantëve palestinezë. Sipas historianit dhe gazetarit Aaron Klein, “një oficer shumë i lartë i Mossadit ka thënë: Një terrorist, terrorist është… Ne nuk kontrollojmë shumë nëse ka qenë i përfshirë apo jo. Nuk ka rëndësi nëse ka qenë shumë i angazhuar në masakrën e Mynihut apo jo. Nëse nuk e bëri dje, do ta bëjë nesër. Eshtë terrorist”.

Në tre muajt pasardhës, Mossadi kreu edhe katër vrasje të tjera:

-Athinë, 12 prill 1973: Zaid Muchassi vritet nga një bombë e vendosur poshtë shtratit të tij në hotel.

-Romë, prill-qershor 1973: Abdel Hamid Shibi dhe Abdel Hadi Nakaa vriten me autobomba

-Paris, 28 qershor 1973: Mohammed Boudia vritet me autobombë.

BETUAR PER SHKATERRIM

Kur Mossadi kishte përpiluar listën e atyre që planifikuan Mynihun, një emër kish dalë vazhdimisht në sipërfaqe – Ali Hassan Salameh, një lider i përkushtuar i “Shtatorit të Zi”. Mossadi ndërtoi profilin e një playboy pompoz, i betuar për shkatërrimin e Izraelit. Salameh, të cilit media i kish vënë nofkën “Princi i kuq” kish lidhje me rrëmbime si dhe akte spektakolarë terroristë, përfshirë një masakër në aeroportin e Tel Avivit, që kish lënë 26 të vdekur. Mossadi besonte tashmë se ai kish qenë truri i gjakderdhjes në Mynih.

Në qershor 1973, Mossadi mori informacion nga një burim i besuar se Salameh ndodhej në Norvegji. Lajmi e kapi në befasi agjencinë, ndërkohë që të gjithë operativët më të lartë të saj ishin të zënë tashmë me misione të tjerë. Kështu që, Mossadi u detyrua të improvizojë. Një ekip i përbërë nga oficerë që nuk kishin patur shumë eksperiencë në terren u bë bashkë shpejt e shpejt, dhe në 18 korrik ata fluturuan drejt Oslos si dhe ndoqën gjurmët e Salameh në qytetin e fjetur verior të Lillehammer.

Në datën 20 në drekë, ata pikasën atë që menduan se ishte preja që kërkonin. Një burrë me pamje si nga Lindja e Mesme dukej se i ngjante shumë fotografisë së paqartë të gazetës, që ishte e vetmja mënyrë që ata kishin patur për të identifikuar Salamehun. Por ky Salameh po sillej në mënyrë të cuditshme – ndonëse duhej të ishte një i huaj në Norvegji, ai e kish shumë të qartë dhe të kollajtë të vinte vërdallë nëpër Lillehammer.

Pavarësisht këtyre pikëpyetjeve, Tel Avivi dha dritën jeshile.

Vrasësit e bënë shoshë me 14 plumba njeriun që e kishin identifikuar si Salameh. Por kishin vrarë njeriun e gabuar – viktima e tyre ishte Ahmed Bouchiki, një kamarier i pafajshëm maroken, që kish pesë vite që jetonte në Norvegji.

Përshkrimet e të huajve të dyshimtë i kaluan autoriteteve. Policia arriti të kapë dy prej anëtarëve të rangut të ulët të skuadrës së dërguar, të cilët nën hetim shumë shpejt u thyen. Brenda pak ditësh, gjashtë agjentë ishin kapur dhe gjatë gjykimit të tyre u ekspozuan shumë detaje të veprimtarisë së fshehtë të Izraelit. Operacioni Lillehammer u shndërrua në fatkeqësinë më të madhe në historinë e Mossadit. Si për t’i përkeqësuar gjërat, Mossadi zbuloi se informacioni fillestar që i kish cuar në Norvegji kish qenë i pavërtetë, i ofruar qëllimisht nga një prej spiunëve palestinezë të Salamehut.

VDEKJA E PRINCIT TË KUQ

I ndodhur nën trysninë ndërkombëtare, Komisioni X shumë shpejt u shpërbë. Fushata e fshehtë e Izraelit kish përfunduar me një turpërim publik. Por Mossadi as e kishte harruar dhe as e kishte falur Salamehun. Në vitin 1974 ai u shfaq bashkë me liderin e Organizatës për Clirimin e Palestinës, Yasser Arafat në New York – në godinën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, atje ku nuk mund të prekej – dhe më pas u humbën sërish gjurmët e tij. Më në fund, në janar 1979, ai u pikas në Beirutin e rrënuar nga lufta. Agjentët monitoruan rutinën e tij të përditshme dhe në 19 janar, një autobombë shpërtheu në momentin kur Salameh dhe badigardët e tij po kalonin aty pranë. Princi i Kuq kish vdekur.

PASOJAT

Me vrasjen e Salamehut, Izraeli mbylli kapitullin e masakrës së Mynihut. Ishte hakmarrë, por me një cmim.

-Rami Advan, djali i Kamal Advan që u vra në Beirut në prill 1973: “Problemi palestinez nuk nisi me Mynihun – dhe nuk do të përfundojë me vrasjen e udhëheqësve si im atë dhe të tjerë. Të vrasësh njerëz dhe të mendosh se vrasja e njerëzve zgjidh probleme është marrëzi”.

-Ankie Spitzer, vejusha e trainerit izraelit të skermës Andre Spitzer, një viktimë e Mynihut: “Duhej të kish ndodhur ndryshe. Këta njerëz nuk duhej të ishin vrarë, por dërguar para gjyqit”.

-Ronen Bergman, korrespondent i gazetës izraelite Yediot Ahronoth dhe ekspert për Mossadin: “Fushata ndali pjesën më të madhe të akteve terroriste të OCL jashtë kufijve të Izraelit. A ndihmoi për të sjellë paqe në Lindjen e Mesme? Jo. Strategjikisht, ishte një dështim total”.

Gjithashtu mund te lexoni: Mynih 1972, Olimpiada e Pergjakur (https://bota.al/2014/03/mynih-1972-olimpiada-e-pe%CC%88rgjakur/)

Leave a Reply

Back to top button