Shkence

Parashikimet e frikshme për të ardhmen: A do të ketë punë më 2050?

screen-shot-2016-10-16-at-08-15-05

Ekonomistët nga Oksfordi, Carl Frey dhe Michael Osborne, parashikojnë se 40 për qind e vendeve të punës do ta marrin makinat, shkruan The Guardian që ka mbajtur një tryezë të rrumbullakët në bashkëpunim me kompaninë Deloitte, e me praninë e akademikëve, shkrimtarëve dhe profesionistëve nga industria e IT-së.

E ardhmja e punës së shpejti do të jetë “mbijetesë e më të përshtatshmëve”, thotë Paul Mason, drejtor i teknologjive të reja në Innovate UK. Sipas tij, punët që do të mbijetojnë do të jenë shumështresore dhe të ndryshueshme, transmeton Telegrafi.

Anand Chopra-McGowan, kreu i zhvillimit të tregjeve në General Assembly, mendon se punëtorët e së ardhmes do të duhet të luajnë tri ose më shumë role në të njëjtën kohë. Ndërsa, arsimi i vazhdueshëm do të luajë rol të madh në zhvillimin e aftësive të reja.

Punëtorët duhet vazhdimisht të mbajnë ritmin me zhvillimin e teknologjive të reja. ”Puna për tërë jetën”, do të jetë gjë e së kaluarës, ndaj Chopra-McGowan beson se njerëzit më 2050 duhet që vazhdimisht të përmirësojnë aftësitë për të mbetur relevantë në tregun e punës.

Mark Spelman, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Forumit Ekonomik Botëror, beson se në këtë botë të re ka fitues dhe humbës.

“Ideja e të mësuarit të vazhdueshëm është optimiste. Është e mundur që kjo të bëhet me seminare njëditore dhe që njerëzit që i mësojnë ato aftësi të punojnë një muaj, aq sa janë të nevojshme ato”, thotë ai.

Julia Lindsay, drejtoreshë ekzekutive në institutin iOpener, beson se fuqia punëtore do të shkojë drejt punës me honorarë. Sipas saj, punëdhënësit nuk do të marrin punëtorë, por specialistë. Për kompanitë kjo do të thotë investim për të mbetur në hap me të arriturat e fundit teknologjike.

“Si do t’i përdorim teknologjitë për të informuar të rinjtë në lidhje me vendet e punës? Si mundemi që fëmijëve në shkolla, teknologjinë t’ua bëjmë më tërheqëse, për t’i mbështetur më shumë në fillim të karrierës?”, pyet Mervin Chew, menaxher në Deloitte.

Leave a Reply

Back to top button