Letersi

Rikardi III: E vërteta pas dramës makabre të Shekspirit

Ai njihet nga të gjithë si mbreti makabër që kreu vrasje të pafundme për pushtet. Por ndoshta, Shekspiri ishte një vegël në duart e pushtetit të kohës, të cilët synuan të legjitimojnë veten duke sharë paraardhësin

Screen Shot 2016-06-25 at 09.10.40

Imazhi i një maniaku vrasës të krijuar nga Shekspiri është thjesht një propagandë, tregojnë të dhënat historike që thonë se ai nuk ishte aq i tmerrshëm sa paraqitet në letërsi. Por edhe mbështetësit më të mëdhenj të Rikardit III nuk mund të mohojnë faktin se ky mbret vdiq i izoluar, i tradhtuar dhe i mposhtur nga rebelimi i dytë gjatë sundimit të tij të shkurtër.

Ai ishte vëllai i mbretit dhe mbrojtës i fëmijëve të mbretit, por u varros në një varr të harruar dhe u prezantua në histori si lugat. Por çfarë ndodhi me të vërtetë me Rikardin III?

Jeta e tij ilustron një periudhë kyçe për Anglinë e shekullit të pesëmbëdhjetë, pas shumë dekadash lufte civile që ndau familjet më dysh.

Ai ishte tetë vjeç kur babai i tij, Rikardi i Jorkut dhe i vëllai, Edmundi, vdiqën në betejë dhe ai kaloi dy periudha të gjata në ekzil jashtë vendit. Kur vëllai i tij Eduardi IV u rikthye në fron më 1471, Rikardi filloi të ndërtojë një reputacion si një lojtar pushteti i jashtëzakonshëm.

Lynda Pidgeon, kërkuese për Shoqërinë “Rikardi III”, shpjegon: “Ai luftoi për të vëllain dhe dëshmoi besnikërinë e tij për të në kohë të vështira. Pasi u emërua dukë i Gloucesterit, ai menaxhoi Anglinë e veriut me shumë eficensë. Rikardi III krijoi një këshill për të përfaqësuar interesat e zonave dhe organizoi trupa për t’u përballur me skocezët”, thotë ajo.

Ai u kujdes për njerëzit e vet dhe bëri shumë dhurata fetare, ndërsa u përpoq që të sigurohej se ata që jetonin në zonën e egër të Jorkshairit të kishin shërbime fetare.

“Ai nuk u kujdes vetëm për fisnikët, por edhe për të varfrit.”

Luftë për pushtet

Mbreti Eduard IV vdiq papritur më 1483, gjë që ndryshoi balancën e pushtetit. Në një farë mënyre, këtu gjërat filluan të ecnin keq. Trashëgimtari i Eduardit ishte vetëm 12 vjeç dhe mbajtja e pushtetit prej tij ishte e pasigurt. Përveç kësaj, nëna e mbretit të ri dhe familja e saj janë të etur për pushtet. Dhe kjo gjë po ndodhte në një vend që prej dekadash kishte pasur pazare dhe rivalitete për pushtet.

“Rikardi ishte thjesht i ulur mbi një fuçi baruti”, thonë historianët. Në betejën për pushtet që vijoi, Rikardi ekzekutoi shumë fisnikë dhe i vendosi Eduardin V dhe vëllain e tij më të vogël në Kullën e Londrës. Brenda pak ditësh, ligjshmëria e dy princërve u vu në dyshim dhe Rikardit iu ofrua kurora.

Dr. John Ashdown-Hill, autori i një libri mbi ditët e fundit të Rikardit, thotë: “Kjo nuk ishte një trashëgimi e drejtpërdrejtë. Rikardi pretendoi se fëmijët e vëllait të tij qenë të paligjshëm dhe kjo ishte e mjaftueshme që ai të pretendonte kurorën për vete.”

Por ky hap krijoi një të çarë mes atyre që mbështesnin familjen e Eduardit IV dhe atyre që e shihnin Rikardin si një udhëheqës më të ligjshëm e më të aftë. Natyrisht kjo shoqërohej me një numër të madh aleancash fluide, të cilat njerëzit i bënin në llogari të interesave të veta personale për tokë dhe para. Rikardi u kurorëzua më 6 korrik 1483, një lëvizje e mbështetur nga Parlamenti.

Por pas kësaj, punët filluan të shkojnë keq. Fillimisht dolën fjalë për fatin e princave të mbyllur në Kullën e Londrës, të cilët nuk qenë parë për ca kohë. Pastaj, fëmija i vetëm i ligjshëm i Rikardit vdiq, dhe pak më vonë, edhe bashkëshortja e tij. Kjo shkatërroi mundësinë për një stabilitet të dinastisë.

Një ish-aleat, duka i Bakingamit, udhëhoqi një rebelim të shkurtër më 1483, por shkatërrimi i tij nuk i bindi të tjerët të hiqnin dorë. Pidgeon thotë: “Kur Rikardi u përball me Henry Tudor në Bosuorth, që të dy kishin një bërthamë mbështetësish, por përreth tyre, shumica e fisnikëve thjesht po prisnin për të parë se nga cila anë frynte era”.

Rikardi duket se u besoi njerëzve që nuk duhej t’i besonte. Njëri nga fisnikët nuk doli në fushëbetejë, ndërsa një tjetër ndryshoi krah dhe luftoi për armikun e tij.

Vdekja e tij ishte vetëm fillimi i ndëshkimit për Rikardin. Dr. Ashdown-Hill thotë: “Është normale që një udhëheqës i mposhtur të shahet nga armiqtë e tij politikë, por në këtë rast, për Henrin III, kjo ishte shumë e rëndësishme, sepse pretendimi i tij për fronin qe tepër i dobët në krahasim me atë të Rikardit”.

Henri u përpoq të fuqizonte pretendimin e tij duke u martuar me vajzën e Eduardit IV, por edhe duke e përshkruar Rikardin si një batakçi monstruoz.

Askush nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur me princat në Kullë dhe nëse ata qenë gjallë, ishin një sfidë serioze për fronin e Henrit. “Duke e shpallur Rikardin si vrasës të tyre, Henri III vrau dy zogj me një gur. Historianët e Turodëve krijuan edhe përshkrime më makabre për ish-mbretin, përshkrime të cilat Shekspiri i transformoi në një mit popullor”.

Leave a Reply

Back to top button