Histori

E burgosura e Mitterand. Historia e vërtetë e Anne Pingeot

Nëna e Mazarine, bijës sekrete, për më shumë se 30 vite ka frymëzuar zgjedhjet e Presidentit, mes poshtërimeve dhe denoncimeve

ALINE ARLETTAZ

prigioneraAnne Pingeot është një prej figurave të mëdha enigmatike të Republikës së Pestë franceze. Për më shumë se 30 viteka qenë dashuria e fshehtë François Mitterrand, dhe me të ka patur një vajzë, Mazarinen. I ka shmangur gjithmonë mediat, dhe është shfaqur për herë të parë përpara telekamerave dhe fotografëve të të gjithë botës ditën e funeralit të të dashurit të saj, në vitin 1996. Një imazh i cuditshëm, familja zyrtare dhe ajo e paligjshme, të mbledhura përreth të njëjtit mashkull. Në librin e saj Bouche cousue (Gojë të qepura), Mazarine ka shkruajtur: “Nëna ime është protagoniste e një filmi, që askush nuk do ta shohë asnjëherë”. Vepra e gazetarit David Bailly “Le captive de Mitterand” (E burgosura e Mitterand) që ka dalë së fundi në Francë, përpiqet të zbulojë këtë mister.

Pingeotët janë një familje e lashtë tradicionale, borgjeze dhe katolike, nga Clermont Ferrand, në zemër të Francës. Gjyshi, që i përkiste të djathtës ekstreme punoi me Gjermaninë naziste, duke i shitur tonelata të tëra bakër: dhe kjo risjell në mendje rininë e paqartë të presidentit të ardhshëm të Republikës.

Anne dhe François takohen në vitet pesëdhjetë në Hossegor, një lokalitet pushimesh në Vendet e Ulët. Prindërit e Anne kanë një shtëpi pranë asaj të Mitterrand, i cili tashmë është martuar me Danielle dhe ka dy fëmijë. Pas diplomimit në tetor 1960, ajo transferohet në Paris dhe shkon shpesh të vizitojë Mitterandin.

Në atë periudhë, ky i fundit ishte shumë i dobët politikisht. Të dy bashkë kalojnë shumë kohë duke vizituar muzetë, duke shëtitur në kopshtet e Luksemburgut dhe folur për letërsinë. Në vitin 1963, në vend të dëgjonte muzikë yéyé, Anne preferon të lexojë, punojë dhe të takojë François, i cili është bërë tashmë dashnori i saj dhe është 27 vjec më i madh se ajo.

Në vitin 1974 sjell në jetë vajzën e tij, e vetme. Mitterrandi do ta shohë për herë të parë një muaj e gjysmë më vonë dhe do ta pranojë vetëm 10 vjet më vonë. Marrëdhënia e tyre është shpesh herë e trazuar. Bailly rrëfen një skenë që flet shumë: Mitterrani, atëherë president i Republikës, kalon disa ditë në pushime me shoqen e tij. Një mëngjes, mes trye shpërthen një zënkë e dhunshme. Anne hipën në makinën e të vëllait dhe e urdhëron që të niset. Mitterrand, që ka rendur pas saj, e urdhëron të ndalet. Kapet madje pas portës, i tërhequr pothuajse zvarrë nga makina që vazhdon rrugën e saj.

Në 10 maj 1981, Anne Pingeot zbulon në televizion fytyrën e presidentit të ri të Republikës: një mikeshës së saj do i thotë më vonë që është dita më e keqe e jetës së saj.

Mbetet edhe më e vetmuar. Gjë që ndoshta shpjegon përse, për t’i shpëtuar situatës ku ndodhet, gjen strehë gjithnjë e më thellë në punën e saj si kuratore muzeu. David Bailly thotë se ka dashur ta shkruajë librin për ta nxjerrë në dritë dhe që kishte një marrëdhënie shumëplanëshe me pushtetin. “Mendoj që, nëse e ka përdorur, ka qenë vetëm për të realizuar disa gjëra, për shembull në fushën arkitektonike për ristrukturimin e Musée d’Orsay apo zgjerimin e Louvre me piramidën. Në të njëjtën periudhë shoqëronte François Mitterrandin gjatë takimeve, shtypte me makinë fjalimet e tij, pra nuk ishte totalisht e painteresuar për politikën”. Një grua me karakter, nuk hezitonte t’i përplaste telefonin Mitterandit kur ai e telefononte ndërkohë që ishte i angazhuar në ndonjë vizitë zyrtare me bashkëshorten, apo ta kritikonte për fjalimet që ai mbante.

Në disa raste, historia e tyre ka rrezikuar të bëhet publike. Për shembull, nga ana e atyre paparacëve që gjatë fundjavës së parë të relaksit të Mitterandit të saporizgjedhur në krye të shtetit, i bënë një foto tek shëtiste me një grua që ata menduan se ishte Danielle. Vetëm më vonë e kuptuan që në realitet ishte e dashura e tij. Për divorcin do të flitej dy herë: në fillim do ta propozonte Mitterrandi, pastaj Danielle, e cila kishte gjetur ngushëllim në krahët e një mësuesi edukimi fizik. Hoqën dorë, mbi të gjitha për motive politike.

François i propozoi Danielles që i dashuri i saj të jetonte me ta në shtëpinë e tyre pariziene, dhe disa vite më vonë e punësoi si shofer. Kjo nuk do e ndalonte Daniellen që, pas vdekjes së të shoqit, të digjte disa letra të Anne Pingeot që i kish gjetur rastësisht. Mitterandi, për të mbrojtur të bijën, ngriti sisteme survejimi dhe përgjimesh telefonikë në masë, që më vonë provokuan një skandal të madh. Anna dëshironte të kishte truproja që ta shoqëronin atë dhe Mazarinen ditë dhe natë: duhej ta ndiqnin në bicikletë, atë me të bijën të hipur në zgarë.

Anne Pingeot jeton sot një pension të qetë dhe merret shpesh me tre nipërit e saj. Nga dashuria e saj e madhe mbeten kujtimet dhe fotografitë e jetës së përbashkët si dhe një bijë, tashmë shkrimtare e suksesshme, fytyra e të cilës të kujton menjëherë atë të të atit.

Leave a Reply

Back to top button