Bota

“Panama Papers” mund t’i japin Bernie Sandersit “çelësat” e Shtëpisë së Bardhë

Screen Shot 2016-04-05 at 5.54.21 PMPër disa amerikanë, Hilari Klintoni është mishërimi i një elite globale që përfiton prej skemave të shmangies së taksave. Bernie Sanders, kundërshtari i saj, është antiteza

Zbulimi se të pasurit dhe të pushtetshmit po fshehin para në parajsa fiskale jashtë vendeve të tyre nuk është befasues. Megjithatë, përmasa e 11.5 milionë dokumentave të dalë prej kompanisë panameze Mossack Fonseca ka shkaktuar një furtunë dhe ka rikthyer në agjendë problemin e drejtësisë së taksimit. Me shumë gjasë, Panama Papers është vetëm maja e ajsbergut, dhe nëse zbulohen të tjera gjëra për punët financiare të udhëheqësve botërorë, pasojat për politikën globale do të jenë shumë të mëdha.

Zgjedhjet primare mes demokratëve në SHBA janë karakterizuar nga rritja e zemërimit ndaj elitës globale. Skandali i Panama Papers vetëm sa do të rrisë indinjatën popullore ndaj veprimeve të figurave të establishmentit – atyre që kanë ndenjur duarkryq dhe kanë lejuar të ndodhë kjo gjë.

Ndonëse deri në këto momente nuk ka patur “viktima” amerikane pas daljes së dokumentave, të gjithë kandidatët presidencialë do të pyeten për skandalin. Dhe askush nuk do të gjendet në më shumë presion, se sa Hilari Klintoni, ajo është mishërimi i “elitës globale”, ndërkohë që Bernie Sandersi është antiteza.

Rrjedhja e madhe e dokumentave ekspozon qeveritë përreth globit që me vetëdije injorojnë shmangien e taksave prej të pasurve. Ndonëse Klintoni nuk është lidhur me asnjë transaksion pas rrjedhjes së dokumentave, ka një ndjesi se ajo është mes elitës së të pasurve, disa prej atyre anëtarëve pra, që kanë përfituar prej skemave të tilla.

Eshtë zbuluar se Clintoni nxiti Marrëveshjen e tregtisë së Lirë me Panamanë, në të njëjtën kohë që Sandersi e kundërshtoi me forcë, duke cituar studime që thoshin se ajo do të kufizonte aftësinë e qeverisë për t’iu kundërvënë në raste aktivitetesh të paligjshme. Edhe nëse Klintonët mbeten të papërmendur në dokumentat e ardhshme, Sandersi mund të vazhdojë të shfrytëzojë narrativën që Klintoni është pjesë e demografisë përgjegjëse, dhe se ka asistuar abuzimet flagrante përmes marrëveshjeve tregtare.

Ndërkohë që duket se skandali do të shtrihet në kohë, tani ka gjithnjë e më shumë gjasa që votuesit e pavendosur do të priren drejt Sandersit në primaret e ardhshme, duke përfshirë Nju Jorkun. Në zgjedhjet e përgjithshme, e kaluara Donald Trumpit me shmangien e taksave do ta lërë të ekspozuar shumë, përballë të kaluarës tejet të pastër të Sandersit. Ai është madje i vetmi kandidat që përmend 1 përqindëshin kundrejt 99 përqindëshit. Nëse siguron kandidimin, sondazhet e tanishëm tregojnë se do të fitonte edhe kundër Trumpit.

Por më shumë se betejë kandidatësh, kjo është betejë idesh.

Sa më gjatë të zgjasë ky skandal, aq më mirë do të jetë për Bernie Sandersin. Dhe nëse më shumë skelete në sirtarin e Klintonëve shohin dritën, kjo do ta parashutonte Bernie Sandersin në Shtëpinë e Bardhë. /The Independent – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button