Bota

Një shtet i ri në Lindjen e Mesme?

Screen Shot 2015-11-27 at 09.14.05

Nga ofensiva e plotë në terren, tek afrimi i fiseve sunite në Irak kundrejt një shpërblimi të majmë, përpjekja për të bllokuar burimet e tij të të ardhurave apo mbase edhe diplomacia, janë mënyrat për mposhtjen e ISIS-it që diskutohen prej kohësh.

Por, propozimi i fundit, ai i hedhur prej ish-ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në OKB, John Bolton, ka shkaktuar jo pak polemika. Diplomati veteran merr përsipër të shikojë përtej shkatërrimit të Shtetit Islamik, duke u shqetësuar edhe për atë që vjen më pas.

“Ta mundim, por të mos i kthehemi më kufijve të vjetër mes Sirisë e Irakut”, arsyeton ai. “Më mirë të ndërtojmë një shtet të ri sunit në zonën që mban sot ISIS-i në kontroll dhe ato rajone të cilat ‘kalifi’ po përpiqet t`i pushtojë”.

Ideja e ish zëvendëssekretarit të shtetit në administratën e George W. Bushit, edhe pse e pazbatueshme, ka nxjerrë në pah një prej pikave të dobëta të perëndimit: mungesën e vizionit lidhur me atë çfarë do të ndodhë pas shkatërrimit të ISIS-it.

Ndërkombëtarët janë kaq të fokusuar tek lufta kundër grupit terrorist nuk e kanë shtruar ndonjëherë në diskutim që zhdukja e tij, nuk do t`i fshinte aspak konfliktet e vjetra – pasojë e marrëveshjes Sykes-Picot, pakti mes dy fuqive koloniale, Britanisë dhe Francës që solli në 1916-tën përvijimin artificial të kufijve irakiane.

Mjaft ekspertë besojnë se realiteti aktual i Lindjes së Mesme kërkon ndërhyrje rrënjësore për zgjidhjen e problemeve të kalcifikuara në kohë, e megjithatë, një iniciativë politike të përmasave të tilla, nuk e ka përsipër askush.

“Ja, e shkatërruam dhe ISIS-in , po pastaj ç’do bëjmë. Do t’ia kthejmë Sirinë e çliruar Damaskut, domethënë atij Assadit që nuk po heqim dot qafe”, pyet Bolton, “ndërsa tokat e Irakut do t’i dorëzohen regjimit filo-iranian në Bagdad”.

Ish ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara kujton se lindja e ISIS-it ka ndryshuar tashmë situatën me krijimin e premisave për një shtet të pavarur kurd në veri të Irakut, mobilizimin e sunitëve kundër regjimit të alavitit Assad në perëndim dhe një lëvizjeje shiite në lindje. Për këtë arsye, Bolton del me propozimin e krijimit të një shteti sunit, apo Sunnistan siç e quan ai, i cili gjeografikisht të jetë një variant i zgjeruar i Shtetit Islamik në terren e të mbulojë pjesë të mëdha territori të Sirisë dhe disa rajone perëndimore të Irakut. /Top Channel/

Leave a Reply

Back to top button