Bota

A është sadizmi dhe ligësia, “markë” ekskluzive e terroristëve islamikë?

ligesiaNga Kenan Malik

“The Guardian”

Një ditë para kasaphanës së Parisit, dy kamikazë vranë të paktën 40 persona në një lagje shiite të Bejrutit në Liban. Javën që pasoi, dy shpërthime vetëvrasëse në Nigeri vranë 49 persona. Të ballafaquar me mizori të tilla, ne shpesh s’mund të bëjmë gjë tjetër, veçse të përdorim përcaktorë të tillë si “barbarë” “imoralë” dhe madje edhe të “ligj”. Por çfarë është ajo, që i bën njerëzit të veprojnë në mënyra të tilla kaq dashakeqe?

“E vërteta e hidhur”- shkroi Hannah Arendt tek “Jeta e Mendjes”, “është se aktet më të liga kryhen nga njerëz që nuk e kishin shkuar kurrë ndërmend, se do të ishin të mirë apo të ligj”. Mark Sejxhman, dikur një oficer i CIA-s në Afganistan, tanimë konsulent akademik i kundër-terrorizmit, bën një vërejtje të ngjashme në lidhje me xhihadistët e sotëm. “Është komode të besosh se këta njerëz janë të ndryshëm nga ne, për shkak se ajo që ata bëjnë është shumë e keqe”, argumenton ai. “Mjerisht, ata nuk janë aq të ndryshëm nga ne”.

Por xhihadistët janë në fakt të ndryshëm. Në fundit të fundit, ata janë xhihadistë. Sa është numri i njerëzve ”që nuk janë aq të ndryshëm” nga ju dhe mua, në gjendje për të kryer vrasjet më brutale masive? Kur ne flasim për një akt mizor, nuk jemi vetëm duke e përshkruar diçka veçanërisht të pështirë. Ne jemi duke u përpjekur të caktojmë kufijtë e vetë moralit.

Njerëzit shpesh nuk pajtohen, mbi disa nga pikat më themelore të çështjeve morale. Për shembull, disa e shohin torturën gjithnjë si diçka të gabuar; të tjerë mendojnë se është e pranueshme për të marrë një informacion jetik. Secili mund të shohin tjetrin si të pamoralshëm. Megjithatë ata kanë gjasa të bien dakord, se të dyja palët po debatojnë mbi çështjes e të drejtës dhe të gabuarës.

Por, nëse dikush të thotë se “torturimi i njerëzve është një veprim i mirë, pavarësisht rrethanave”, pak vetë do ta cilësonin atë si një argument moral. Dhe shumica e njerëzve do ta etiketonte si një akt “mizor”. Me fjalë të tjera, ligësia nuk ka të bëjë thjesht në lidhje me përcaktimin e një akti si veçanërisht të tillë. Por nënkupton gjithashtu përcaktimin e hapësirës, brenda së cilës ne mund të kemi një debat kuptimplotë mbi të mirën dhe të keqen, virtytit dhe ligësinë.

Ajo që i bën veprimet e xhihadistëve të pashpjegueshme, është se ato duket se ndodhin përtej universit moral, ku shumica prej nesh banojnë. Pra, çfarë i shtyn njerëzit “që nuk janë aq të ndryshëm” të shkelin kufijtë normale të moralit? Natyrisht, njerëzit kanë kryer gjithmonë vepra mizore dhe të liga, por thjesht të thuash “Kjo ka ndodhur gjithmonë”, nuk shpjegon se çfarë është e veçantë në lidhje me terrorizmin bashkëkohor.

As nuk adreson ndoshta pyetjen më thelbësore aktualisht: pse grupet islamike në veçanti duken shumë më shumë sadiste, madje edhe të liga? Për disa, përgjigja qëndron tek vetë Islami. Kur’ani, argumentojnë ata, është veçanërisht i dhunshëm; Myslimanët janë më të dhënë ndaj leximit të librit të tyre të shenjtë – dhe për rrjedhojë më të gatshëm për të kryer akte mizorie. Islami është qartazi një faktor i rëndësishëm. Ata – duke përfshirë edhe Dejvid Kameronin dhe Barak Obamën – që insistojnë se xhihadistët nuk janë myslimanë “të vërtetë”, nuk e kanë kapur thelbin e problemit.

Fakti që përkrahësit e ISIS-it praktikojnë fenë e tyre, në një mënyrë që i tmerron më liberalët, nuk i bën ata më pak islamikë. Megjithatë, nëse insistimi që xhihadizmi është shkëputur nga Islami ka pak kuptim, e njëjta gjë vlen edhe për pohimin se vetëm Islami s’mund të shpjegojë pse xhihadistët po veprojnë në një mënyrë kaq të pandërgjegjshme.

Shumica dërrmuese e myslimanëve, ndjejnë neveri për veprimet e Shtetit islamik, dhe i cilësojnë aktet e tyre moralisht të pashpjegueshme. Dhe nga murgjit budistë në Mianmar, që organizojnë masakrat kundër myslimanëve, deri tek Dilan Ruf që vrau 9 amerikanë afro-amerikanë në një kishë në Çarleston, ç’njerëzorja është e përhapur tej mase edhe në botën jo-myslimane.

Megjithatë, duket të jetë diçka veçanërisht e fuqishme për Islamin të nxisë terrorin dhe persekutimit.  Islami radikal bashkëkohor, është forma fetare përmes të cilës shprehet një lloj i veçantë zemëratës  barbare. Pra, për të kuptuar pse xhihadistët janë tërhequr në një univers moral, që u lejon atyre të kryejne akte çnjerëzore, ne duhet të kuptojmë pse mllefi politik kundër Perëndimit merr forma të tilla nihiliste e barbare, dhe pse islami radikal është bërë mjeti kryesor për një zemëratë të tillë.

Xhihadistët e shohin veten si luftëtarë kundër imperializmit perëndimor. Megjithatë, pak anti-imperialistë të gjeneratave të shkuara do t’i njihnin xhihadistët e sotëm si një lloj farefisi ideologjik. Ka një histori të gjatë përpjekjesh popullore, kundër kolonializmit dhe perandorisë. Ndërsa lëvizje të tilla, përdornin shpesh mjete të dhunshme për të realizuar qëllimet e tyre, ata nuk  ishin ”anti-perëndimorë” në çdo kuptim ekzistencial. Përkundrazi, punonin brenda një kornize morale universale, që vinte theksin tek  liria dhe emancipimi për të gjithë njerëzimin.

Gjatë dekadave të fundit, këto tradita anti-imperialiste u bënë të papërdorshme. Lëvizjet e reja që janë krijuar në vend të tyre, janë të rrënjosura shpesh tek identiteti fetar apo etnik, dhe sa i përket forms, janë sektare ose separatiste. Ky ndryshim, është i lidhur me zhdukjen e lëvizjeve progresive shoqërore, humbjen e besimit në vlerat universale, si dhe zëvendësimin e politikës ideologjike me politikën e identitetit.

Normat morale, janë bërë gjithnjë e më shumë fisnore sesa universale. Lufta politike për një botë më të mirë, ia ka lënë vendin betejave për të promovuar identitetin. Po pse Islami radikal ka përfunduar në këtë rrugë? Pjesërisht për shkak të kushteve, që e kanë lejuar islamizmin të lulëzojë; dhe pjesërisht për shkak të natyrës së besimit fondamentalist, në një epokë në të cilën idealet politike e kanë humbur vlerën e tyre.

Dështimi i regjimeve shekullare në vendet me shumicë myslimane, dhe degjenerimi i tyre në autoritarizma brutale, ka bërë që shumë vetë ta lidhin shekullarizmin me represionin, duke i dhënë besueshmëri më të madhe opozitës islamike. Cinizmi i perëndimit në mbështetjen e regjimeve autoritare, ka ndezur shpesh pasionet e anti-perëndimore.

Ndërhyrjet e gabuara ushtarake, kanë ndihmuar në shkatërrimin e shoqërisë civile, duke zvogëluar hapësirën për lulëzimin e islamikëve, ndërsa ka përforcuar armiqësinë drejt perëndimit. Kjo ndodh vetëm tek vendet muslimane, ku lëvizjet sektare të opozitës kanë kundërshtuar sundimin autoritar. Por në vendet jo-myslimane, nga Mianmari në Republikën Demokratike të Kongos, një sektarizëm i tillë rrallë ka patur ndikim përtej kufijve të tyre. Karakteri global i Islamit, i ka shndërruar lëvizjet sektare në një fenomen botëror.

Nëse veprimet e sundimtarëve lokalë dhe pasojat e veprimeve perëndimore, kanë ndihmuar në krijimin e një lloj boshllëku që e ka mbushur Islamizmi, tërheqja e politikës progresive ka krijuar një tjetër boshllëk. Zhdukja e lëvizjeve tradicionale opozitare, ka çuar në krijimin e formave alternative të luftës, dhe nxitur një dëshirë të zjarrtë për ecjen përpara, sipas linjave morale të diktuara nga Perëndia.

Islamizmi – me kërkesën e tij për një luftë për krijimin e një sistemi alternativ, të sunduar nga rregulla të sanksionuara në mënyrë hyjnore – për disa e ka mbushur boshllëkun. Iluzioni i detyrimit hyjnor, i ka mundësuar xhihadistëve të justifikojnë aktet e tyre, sado groteske që ato mund të jenë.

Xhihadistët imagjinojnë se po bëjnë një luftë kundër perëndimit. Por Perëndimi është bërë në sytë e tyre, jo një grup i vendeve të veçanta përgjegjëse për akte të veçanta, por një përbindësh pothuajse mitik dhe gjithë-përfshirës, versioni modern i kimerës apo nëpërkës, burimi i çdo lloj tmerri dhe makthi. Dhe kundër një përbindëshi të tillë, pothuajse çdo akt bëhet i pranueshëm.

Të distancuar nga korniza morale që dikur drejtonte anti-imperialistët; të formësuar nga vlerat bardh e zi, që në mendjen e tyre zotërojnë miratimin hyjnor; të nxitur nga një ndjenjë e neverisë përkundrejt jo-myslimanëve, dhe me besimin tek një luftë ekzistenciale mes Islamit dhe Perëndimit, xhihadistët janë zhvendosur në një univers të ndryshëm moral, në të cilin ata duhet të kryejnë aktet më ç’njerëzore duke i parë ato si të drejta.

Asnjë nga këto nuk është një “justifikim” për xhihadistët apo veprimet e tyre. Gjithësesi, duhet theksuar se “e keqja” e shprehur në llojin e terrorit të shfaqur ditët e fundit në Paris, Bejrut, Nigeri dhe Mali nuk është vetëm një aspekt i përjetshëm i natyrës njerëzore, por më shumë një produkt i kohës sonë.

The Guardian – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button