Sport

Gazzetta dello Sport: Bëhuni gati, shqiponja me dy krerë do fluturojë mbi qiejt e Francës

Screen Shot 2015-10-12 at 2.24.18 PM

Ornitologët vihen në gatishmëri: shqiponja me dy krerë do të fluturojë mbi qiejt e Francës në qershor. Shqipëria fiton për herë të parë kualifikimin në një turne të madh për kombëtaret. Kurrë më parë, kombëtarja e Shqipërisë nuk kishte arritur të merrte pjesë në fazën finale të një Botërori apo Europiani. Por në Euro 2016 Shqipëria do të jetë, e renditur e dyta në Grupin I, pas Portugalisë së Kristiano Ronaldos. Në play-off do të shkojë Danimarka, e treta.

Një arritje që mban firmën e Xhani de Biazit, trainerit italian që drejton kombëtaren shqiptare nga viti 2011. Vendimtare fitorja në shtëpinë e Armenisë, 3-0, në një ndeshje të çuditshme, historike, por edhe pak me fat.

Sepse në Jerevan, pas vetëm shtatë minutash, Shqipëria mund të kishte pësuar menjëherë, pasi portierit Berisha i ishte dashur të bënte nëj pritje shumë të vështirë pas gjuajtjes së Movsisjani. Goditja e dënimit pak më vonë, sërish nga Movsisian, filtron në mes të barrierës, Berisha pret me instikt, por Ghazariani, me Berishën e Lacios ende në tokë, nuk arrin të shënjestrojë. Një gabim i rëndë, i cili pasohet, pas vetëm dy minutash, me golin e mysafirëve. Në të vërtetë një autogol. Diagonalja e Bashës pritet nga Kasparov, topi shkon e përplaset tek Gashi dhe Hovhanisiani, që në përpjekjen për ta larguar e çon në portë. Nga një 1-0 i mundshëm, në 0-1, brenda 120 sekondave. Në avantazh, Shqipëria shtyn sërish përpara dhe në minutën 23 dyfishon. Goditje dënimi e Memushajt dhe devijim i Xhimshitit, që u tregua i zoti tek i parapriu mbrojtësit që e mbulonte. Këtu, djemtë e De Biazit frenojnë dhe i lënë hapësirë Armenisë, që i afrohet shumë golit. Sigurisht, zotërit e shtëpisë nuk po luajnë fort dhe kjo nuk është nata e yllit të tyre, Mkhitarian. Por 60% i zotërimit të topit që Shqipëria u lejon armenëve ta krijon idenë: frika e fitores është një bishë e keqe. Me thënë të drejtën, nuk është se Berisha has ndonjë rrezik në pjesën e dytë. Miqtë e mbyllin gjithcka me Sadikun, pas një përplasjeje mes mbrojtësit Hovhanisian dhe Arzumanianit. Mision i përmbushur për Shqipërinë.

“Djemtë ishin shumë nervozë. Por përpara se të dilnin në fushë u thashë: të luajmë gjithcka. Jemi më të fortë se ata. Deri tani keni bërë gjëra të jashtëzakonshme, tani duhet të marrim rezultatin tonë”, ka qenë komendi i De Biazit.

Pas humbjes së dhimbshme në shtëpi me Serbinë aq të urryer, mosmarrja e fitores në Jerevan do të merrte përmasat e një vetëvrasjeje, sigurisht nga pikëpamja futbollistike. Në vend të kësaj, Shqipëria ka festuar një kualifikim të merituar dhe të ndërtuar me arritje, si fitorja në Portugali apo dalja pa kockat e thyera nga transferta e Serbisë, e mbajtur mend për dronin si dhe sherrin e madhë në fushë. De Biazi ka ndërtuar një skuadër të fortë, e cila ka pësuar vetëm 5 gola në 8 ndeshje. Berisha i ka dhënë siguri një prapavije të udhëhequr nga Lorik Cana, me freskinë e Hysajt dhe e mbështetur në mesfushë nga dinamizmi i Memushajt dhe grinta e Bashës. Të gjithë shqiptarë “italianë”, të mbledhur nën udhëheqjen e një italiani të vërtetë. “Tre vjet e gjysmë më parë në Gjeorgji – rrëfen De Biazi – i kisha thënë skuadrës, se nëse më ndiqnin, herët a vonë do të bënim dicka të rëndësishme. Kishte nga ata që qeshnin, tani janë të gjithë pas nesh”. Një polemikë e vockël përpara gëzimit të drejtë. “Besoj se është kënaqësia më e madhe e jetës sime. Kemi një popull mrapa nesh, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Europën”. Dhe është e sigurtë që ai popull, sot është në festë. Dhe që nga dita e nesërme, do të përgatitet për të pushtuar stadiumet e Francës.

Gazetta dello Sport – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button