Speciale

“Sot është Pearl Harbour!” Emailet e pabotuar më parë të Shtëpisë së Bardhë, ditën e 11 shtatorit 2001

Screen Shot 2015-09-11 at 12.35.22 PM

Një grup emailesh të pabotuar më parë, të dërguar dhe marrë nga brenda Shtëpisë së Bardhë në 11 shtator 2011, kanë hedhur sërish dritë mbi mënyrën se si reaguan udhëheqësit e Amerikës dhe pjesëtarët e stafit të tyre, në momentet e parë, ndaj tmerreve të sulmeve terroriste.

Në prag të 14-vjetorit të sulmeve të 11 shtatorit, emailet u bënë publikë nga Libraria Presidenciale Xhorxh Bush, me kërkesë të të përditshmes amerikane Nju Jork Tajms.
Nxjerrja e këtyre emaileve vjen vetëm disa javë, pas publikimit të fotografive, edhe ato të papublikuara më parë, që tregonin reagimin e zëvendës presidentit Cheney.

Ndërkohë që presidenti Bush atë ditë ndodhej në Floridë, për vizitë në një shkollë fillore, shkëmbimet e emaileve të stafit të Shtëpisë së Bardhë ishin të zakonshëm atë mëngjes, me diskutime për mbledhjet dhe lajmet e ditës. Megjithatë, në orën 8.56, pikërisht dhjetë minuta pasi një avion u përplas me kullën e parë të Qendrës Botërore të Tregtisë, ndryshimi i parë i tonit erdhi prej Taker Eskjut, drejtor i zyrës së mediave në Shtëpinë e Bardhë, i cili u dërgoi email tre kolegëve, ku u shkruante: “Shihni CNN”.
Papritur, u anuluan dy mbledhje.
Në orën 09.20, Meri Matalin, këshilltare e zëvendës presidentit Cheney, mori një email nga Dejvid Horovic, ku shkruhej: “Sot është Pearl Harbour”.

Disa minuta më vonë, Xhoshua Bolten, zëvendës shef i kabinetit, mori një email nga një koleg, që i thoshte: “Bëhu i fortë”.


Në orën 9.51, Bolteni mori një email nga Xhej Lefkovici, një avokat i Shtëpisë së Bardhë, që thoshte: “Precedent për një Reagim të Koordinuar në rast Emergjence Kombëtare”.

Në orët që pasuan, stafi u mbush me mesazhe shqetësimi nga miqtë.

Gjatë 11 shtatorit, Bushi e kaloi pjesën më të madhe të ditës duke fluturuar në baza të ndryshme me Air Force One, avionin presidencial, nga frika për sigurinë e tij.

Më pas, ai zbriti në Uashington dhe iu drejtua kombit nga Zyra Ovale.
Në orën 6.23 të pasdites, para fjalimit, Kerën Hjuxhs, këshilltare e presidentit, mori një email me titull “Vargjet” nga Stjuart Bauen, zëvendës sekretari i stafit të Shtëpisë së Bardhë, ku përfshiheshin psalme, proverba dhe vargje nga Isajah, Xhob dhe Mateu.

Në orën 7.59 të mbrëmjes, pas fjalimit, Hjuxhs mori një tjetër email nga Bauen, që thoshte: “Fjalimi ishte jashtëzakonisht shumë i mirë. Edhe më mbresëlënës është fakti që e ke shkruajtur nën një trysni të paprecedentë, duke patur parasysh kohën dhe rrethanat e frikshme”.


Duke publikuar emailet, Nju Jork Tajms sqaroi se nuk ka marrë të gjithë korrespondencën nga ajo ditë, pasi Libraria Presidenciale Xhorxh Bush nuk lëshoi shumë prej tyre, “duke cituar përjashtime të ligjit, si siguria kombëtare”. Pamjet e Cheneyt dhe zyrtarëve të tjerë gjatë 11 shtatorit, janë fotografuar prej fotografit të stafit të Cheneyt, sipas PBS. Në një fotografi, ai qëndron me këmbët mbi tryezë dhe sheh lajmet në televizor.

Fotografitë tregojnë edhe tmerrin e zyrtarëve të tjerë të lartë, përfshirë presidentin Bush dhe bashkëshorten e tij Laura, këshilltaren e sigurisë kombëtare, Kondi Rajs, drejtorin e CIA- s, Xhorxh Tenet, dhe të tjerë.
Në fotografi, Bushi duket i tensionuar e madje kafshone dhe buzën teksa bisedon me zyrtarët në sallën e emergjencave, në nëj bunker nëntokësor të sigurisë së lartë nën Krahun Lindor të Shtëpisë së Bardhë, një bunker i cili u rezistone dhe goditjeve bërthamore. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button