Histori

JOHN F. KENNEDY / Një amerikan mes gjermanëve

 

Screen Shot 2015-08-13 at 09.40.07

“Unë jam berlinez” tha John F. Kennedy më 26 Qershor 1963. Pas këtyre fjalëve shpërtheu një entuziazëm i paparë gjerman. Këto fjalë presidenti amerikan asokohe i shqiptoi para bashkisë Schöneberger në Berlinin Perëndimor, ku ai mbajti fjalimin e famshëm. Berlini Perëndimor ishte një ishull demokratik në mes të Republikës Demokratike Gjermane, RDGJ. Përballë këtij kërcënimi, banorët shpresonin në një shenjë të qartë solidariteti. E pikërisht këtë ofroi Kennedy: “Të gjithë njerëzit e lirë, kudo ku ata jetojnë, janë qytetarë të Berlinit, prandaj edhe unë si një njeri i lirë, jam krenar të them: Unë jam berlinez!”

Por shumë pak njihet fakti që para këtij fjalimi në vitin 1963, Kennedy e kishte vizituar Gjermaninë më parë. Në vitin 1937, 1939, dhe 1945. Kështu ai e njohu Gjermaninë edhe si diktaturë nacionalsocialsite dhe si vend të mundur. Letrat e Kennedy-t dhe shënimet e kësaj kohe botohen tanimë për herë të parë në gjermanisht të përmbledhura me titullin “Mes gjermanëve”.

Botuesi i tyre është Oliver Lubrich, pedagog i gjermanishtes dhe komparatistikës në universitetin Bern, Zvicër. “Është e habitshme që nuk ka pasur ndonjë interes për një kohë të gjatë se çfarë ka përjetuar Kennedy në Gjermani para vizitës së tij të famshme”, shprehet Lubrich. Lexuesit njohin në këtë libër një Kennedy të ri, kurioz për Europën dhe madje që habitet nga suksesi i Hitlerit.

Dy amerikanë të rinj kaluan në gusht të vitit 1937 kufirin e Gjermanisë: 20 vjeçari John F.Kennedy dhe miku i tij, Kirk LeMoyne Billings, të dy sapo kishin mbaruar vitin e parë të studimeve. Me kabriolenë e Kennedy-t, të ardhur me anije ata shëtitën nëpër Europë. Pas ardhjes në Mynih Kennedy shënon: “Hitleri duket këtu po aq i dashur sa Musolini në Itali, megjithëse propaganda është arma e tij më e mirë.” Botuesi Oliver Lubrich shpjegon shënimet e të riut Kennedy: “Nga njëra anë Kennedy përshruan aferat e tij me femra, vizitat në bare nate e të tjera si këto. Ndërmjet këtyre rreshtave ai herë pas here reflekton për propagandën nacionalsocialiste dhe mbështetjen që gjenin nacionalsocialistët tek popullsia.” Kennedy e kuptoi shpejt se si Hitleri ashtu edhe Musolini kanë përkrahje të fortë: ” Nuk ka dyshim që këta diktatorë në vendin e tyre për shkak të propagandës së efektshme janë më të dashur se jashtë vendit.” Por nuk gjen ndonjë reflektim për pranimin pa kushte nga ana e gjermanëve të luftës.

John F. Kennedy me babanë Joseph John F. Kennedy me babanë Joseph

Presidenti i mëvonshëm është i prekur nga gjermanët dhe vendi i tyre. Por më shumë se gjithçka atë e mrekullojnë autostradat gjermane. “Këto janë rrugët më të mira të botës.” Por edhe gjermanët lanë përshtypje tek Kennedy. “Gjermanët janë vërtet shumë më të mirë, ndoshta prandaj bashkohen të gjithë bashkë për t’u mbrojtur nga ata”, shënon Kennedy më 21 gusht 1937. Shpesh ai fliste me gjermanët gjatë udhëtimit të tij.

Ishte Kennedy kështu një admirues i regjimit nacionalsocialist? “Arrij në përfundimin se fashizmi është gjëja e përshtatshme për Gjermaninë dhe Italinë”, shënon ai në ditarin e tij para se të shkelte Gjermaninë.

Por studiuesi Oliver Lubrich mendon se është e pakuptimtë ta quash atë admirues. “Duhet pasur parasysh se këto shënime reflektojnë procesin e tij të zhvillimit dhe asnjëherë nuk ishin menduar të botoheshin.” Kennedy-t vërtet i kishte lënë përshtypje propaganda nacionalsocialiste, si shumë vizitorë të asaj kohe. Aktet kriminale të këtij regjimi shumë i anashkaluan në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme.

Në vitin 1939 Kennedy vizitoi Gjermaninë për herë të dytë. Këtë herë ai i ndihmonte babait që ishte ambasador amerikan në Londër, si sekretar gjatë pushimeve të semestrit. Në Gdansk, kur po ravijëzohej një konflikt mes Gjermanisë dhe Polonisë, ai flet në pozicionin e tij të ri “me krerë të nazistëve dhe konsuj të ndryshëm.” Gjatë kësaj kohe janë çështje të tjera ato që e preokupojnë Kennedy-n, sqaron botuesi Lubrich. “Si mund të mënjanohet lufta? Munden gjermanët të tërhiqen?”

Megjithatë konflikti kërcënues nuk e prishi humorin e Kennedy-t. Po të heqësh politikën ia kaloj shkëlqyeshëm këtu, shkruante ai në vendlindje. Më 20 gusht 1939 ai i shkruan mikut të tij Billings: “Mendoj se nuk do të ketë luftë”. Më 1 Shtator Gjermania pushtoi Poloninë. Një prognozë totalisht e gabuar. Si shumë të tjerë, edhe filozofi francez, Jean-Paul Sartre, edhe Kennedy e nënvlerësoi vendosmërinë e Hitlerit për luftë.

Pas gjashtë vitesh Kennedy do të vijë sërish në Gjermani. Në korrik 1945 ai shoqeroi ministrin e marinës amerikane në Gjermaninë e mundur. “Gjithçka është shkatërruar” shkroi ai për Berlinin. Dhe shkruan sërish për Hitlerin pas vizitës së rezidencës së fyhrerit (Führer) gjerman: “Kush ka vizituar këto vende mund të përfytyrojë se Hitleri nga urrejtja që e rrethon atë sot një ditë mund të kthehet në një nga personalitett e rëndësishme që kanë jetuar ndonjëherë.” Kennedy një adhurues i Hitlerit? Oliver Lubrich nuk mendon kështu: “Mund të jesh i impresionuar nga ana estetike pa e mbështetur diktaturën si përmbajtje. Nuk do të thoja që ai e ka adhuruar Hitlerin nga ana politike. Por edhe ai mund të binte pre e propagandës.” Por si mund të kuptohet kjo fjali e Kennedy-t po të kujtosh krimet e tmerrshme të nacionalsocialistëve? “Kjo është e çuditshme, që ai nuk ka treguar ndonjë interes më të madh. Kennedy duket se ka menduar në mënyrë abstrakte për Hitlerin”, mendon gjermanisti.

Në shënimet e tij Kennedy është në mes të irritimit dhe adhurimit për gjermanët. Në Bremen, kur vizitoi një kantier nëndetësesh, Kennedy shkroi: “Tek nënshtrimi i nëpunësve gjermanë duket se sa e lehtë ishte në Gjermani ta fitojë pushtetin.” Por ai ishte edhe dyshues shpjegon Lubrich. “Në vitin 1945, Kennedy ishte pesimist dhe thotë se gjermanët duhen vazhduar të mbahen nën kontroll, sepse ata nuk do ta harrojnë aq kollaj humbjen e luftës.”

Por kur në 26 Qershor 1963 u thanë fjalët – “unë jam berlinez” – entuziazmi ishte frenetik, dhe Kennedy i çliruar. Demokratizimi kishte funksionuar.

CS – Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button