Histori

FEMOHUESI / Pagani i fundit

Ajo përpjekje e fundit pagane për të ndalur kristianizmin u hodh në erë nga një tërmet dhe nga një shtizë. Tërmeti shkatërroi në vitin 362 kantierin në Jeruzalem. Shigjeta përshkoi gjoksin e Femohuesit në qershor 363 gjatë një beteje me persët. Kush e lëshoi shigjetën, nuk dihet. Edhe San Gregorio hodhi dyshimin që ka qenë një romak, ndoshta i krishterë. Legjenda thotë që në momentet e fundit të jetës Giuliano thirri, sikur i drejtohej Jezusit: “Fitove, galileas”

Screen Shot 2015-08-12 at 23.23.14Quhej Flavio Claudio Giuliano, por njihet më mirë si Giiuliano l’Apostata (Xhulian Femohuesi), një nofkë që në gjuhën paleokristiane ishte sinonim i “Tradhëtarit të fesë”, edhe pse në greqisht do të thotë thjeshtë “ai që është larg”. Ishte perandori i fundit pagan i Romës, një njeri kundër rrymës në një botë në agoni: një njeri i pandryshueshëm që nuk u dorëzua para fitores së kristianëve dhe u përpoq deri në fund që të ndryshonte kursin e historisë. Jetoi 32 vjet, por mbretëroi vetëm 20 muaj. Dhe projekti i tij humbi.

Cili ishte objektivi konkret i femohuesit? “Të mundonte të krishterët”, sipas kundërshtarit të tij më të fortë, Gregorio Nazianzeno, peshkop i ardhshëm i Kostandinopojës, atë i ardhshëm i Kishës dhe që do të shpallej më vonë shenjt, i cili shkruajti dy “Invettiva” të forta kundër Giulianit. Por femohuesi ishte vërtetë një persekutor? Nëse persekutimet janë ata të llojit Quo vadis?, me të krishterët që u hidheshin për ushqim kafshëve, atëherë përgjigja është jo. Megjithatë, është e vërtetë që Giuliani bëri zgjedhje radikale, që kishin për qëllim të frenonin Kishën.

San Gregorio i përmblidhte në këtë mënyrë ato zgjedhje: “Perandori u jep liri shprehjeje jobesimtarëve dhe nxjerr ligje që janë kundër ortodoksisë”. Një ton të ndryshëm kanë gjykimet e autorëve paganë dhe agnostikë. Ammiano Marcellino, një ndër historianët më të famshëm të shekullit IV, pak kohë pas vdekjes së Femohuesit e kujtonte me këto fjalë: Ishte sigurisht një burrë që duhet përfshirë mes personaliteteve heroikë, që spikati për veprime të shquar dhe një mjeshtëri të lindur”. Dhe mbi varrin e sovranit një dorë anonime shkruajti: “Këtu prehet Giuliano, mbret i mirë dhe ushtar i vyer”. Një diversitet i tillë gjykimesh nuk të habit, duke mbajtur parasysh klimën e epokës, e mbushur me grindje të pafundme ideologjike.

Kur lindi Giuliano, kristianizmi kishte 18 vjet që kish dalë nga katakombët. E kishte legalizuar Konstantini i Madh, xhaxhai i Femohuesit. Por duhej edhe gjysmë shekulli që feja e re të shndërrohej në besim fetar të shtetit, por të krishterët, pasi kishn pushtuar qendra të ndryshme pushteti, ishin “lëshuar: edhe perandori paraardhës i Giulianos (Costanzo II, biri i Konstantinit) ishte pagëzuar. Përparimi i kësaj feje të re ishte favorizuar nga vendime të natyrës juridike dhe ekonomike: perandorët e krishterë kishin rikthyer mallrat e konfiskuara Kishës gjatë persekutimeve, kishin financuar rindërtimin e vendeve të kultit që kishin qenë shkatërruar, u kishin dhuruar pallate papëve (si ai i Lateranos) dhe kishin ndërtuar bazilika si ajo e San Pietro apo San Paolo Fuori le Mura. Por kristianizimi nuk ndiqte një rrugë lineare: “revolucioni” ishte shënuar në fakt me çrregullira dhe dhunë.

Edhe më shumë se sa fërkimet mes kristianëve dhe paganëve, mbi rendin publik rëndonin rivalitetet e brendshëm të të parëve: në mënyrë të veçantë ai mes ortodoksisë katolike (atëherë e quajtur “nicena”) dhe herezisë ariane, e fuqishme dhe plot grintë (perandori Costanzo II ishte pikërisht arian). Për më tepër, panoramën kulturore të kohës e ndërlikonte shumëfishimi i filozofëve cinikë dhe ndjekës të klerikëve.

Giuliano nuk lindi pagan, por i krishterë: në Kostandinopojë e pagëzoi babai i tij Giulio Costanzo, vëllai i Konstantinit I. Në atë kohë, familja perandorake ishte konvertuar në pjesën më të madhe: por të afërmit-besimtarë u zbuluan shumë shpejt si të afërm-gjarpërinj. Me vedkjen e Konstantinit në 337, biri i tij Costanzo thjeshtësoi boshtin e trashëgimisë duke i ekzekutuar të gjithë kandidatët, me sa duket i nxitur nga peshkopi arian Eusebio. Giuliano shpëtoi se ishte fëmijë, por brenda 24 orëve humbi babanë, një xhaxha, vëllanë e madh dhe gjashtë kushërinj. “E gjithë ajo ditë ishte një kasaphanë”, do të komentonte ai, shumë vite më vonë.

Përveç pasurive të kushërinjve, bijtë e perandorit të vdekur trashëguan edhe perandorinë: ariani Costanzo II mori lindjen, Konstandini II dhe Costanzo morën perëndimin. Më pas kushëriri Giuliano u dërgua në Nicomedia (sot Izmir, Turqi) në vilën e një gjysheje: një jetimore që Femohuesit të ardhshëm i ishte dukur si “vendpushimi më i mirë në botë”. Vetëm kur u bë adoleshent e kuptoi se ajo vilë mbi Bosfor ishte një burg i ruajtur mirë. Përpiqej të largohej si të mundej, domethënë duke u zhytur në studime.

Mësuesi i tij i parë ishte një farë Mardonio, një eunuk me origjinë gotike dhe kulturë helenistike, i cili e prezantoi me letërsinë klasike. Jo mësues, por një mik me ndikim ishte më vonë Libanio, filozof sofist sirian, që ndonëse një pagan praktikues i jepte mësime bipartizane. Por personat që kishte si model perandori i ardhshëm nuk ishin të gjithë gjallë: disa prej tyre kishin ikur tashmë nga kjo botë.

“Giuliano braktisi besimin e krishterë dhe u rikthye në paganizëm duke kaluar përmes filozofisë”, shpjegon Maurizio Bonoazzi, docent i historisë së filozofisë së lashtë në Universitetin e Milanos. “U formua mbi të gjitha me veprat e Giamblicos, një mendimtar grek neoplatonik i brezit të mëhershëm, i cili kishte rivlerësuar rolin e fesë dhe kish lançuar të ashtuquajturën “teurgjia”. Neoplatonizmi ishte një sistem filozofik goxha në modë në shekujt III-V, që e konceptonte botën si emanimin e një entiteti mirëbërës, i quajtur “Uni”, dhe teorizonte se njeriu mund të lidhej me të jashtëzakonshmen përmes arsyes. Teurgjia ishte një seri ritesh “shamanikë” me anë të të cilëve njerëzit në lashtësi përpiqeshin të hynin në kontakt me perënditë. Në pamje të parë të dy këto duken të papajtueshme. Megjithatë Giamblico, ndonëse neoplatonik, u bind avash-avash se teurgjia kishte më shumë shanse se sa arsyeja.

Nëse Giuliano ndërroi flamur, kjo nuk ndodhi pra për shkak të një hakmarrjeje të vonuar ndaj të afërmve të tij të krishterë, por përshkak të një udhëtimi mendor kompleks. Në fillim, falë eunukut Mardonio, u dashurua me kulturën klasike. Më pas, u zhyt në neoplatonizëm që në botën klasike ishte sistemi filozofik më i rafinuar. Duke ndjekur gjurmët e Giamblicos, që e quante “përsosmërinë e çdo dijeje njerëzore”, rizbuloi teurgjinë, perënditë e paraardhësve dhe kultet e rinj lindorë. Dhe u bë neopagan, ashtu si Libanio.

Ky udhëtim “çkonvertimi” u ndërpre disa herë nga Costanzo, kushëriri perandor i cili që nga viti 341 zhvendosi disa herë vendbanimin e ruajtur të Giulianos për të mos lejuar që ky të hidhte rrënjë dhe të organizonte kundërvënien. Nga Ncimoedia e dërgoi në Cappadocia dhe në Hefes (Turqia e sotme), më pas në Milano dhe në Athinë. Në vitin 354 e mbylli madje në burg, duke e akuzuar për veprimtari shkatërruese. Ndërkohë, teksa Giuliano jetonte si arixhi, kushëriri i tij kishte marrë edhe kurorën e perëndimit, për arsye se Konstantini II kishte vdekur në betejën e radhës.

Në luftë

Nëse do ta kishin lënë të qetë mes librave dhe studimeve të tij, ndoshta Femohuesi do ta kish kufizuar angazhimin antikristian vetëm në polemikë teorike. Dhe do të kujtohej vetëm për prodhimin e tij të bollshëm letrar, në kufijtë e grafomanisë. Shkruajti mes të tjerash dhjetëra letra, traktate feje dhe filozofie, një vepër satirike (Misopogon) dhe disa tekste retorikë. Por në paqe nuk e lanë. Madje e dërguan në luftë. Ndodhi në vitin 355: befasisht, Costanzo emëroi kushëririn e tij “Cezar” (zëvendësperandor), i dha një ushtri dhe e dërgoi të luftojë kundër disa fiseve gjermanikë përgjegjës për disa inkursione në Galinë romake. Ndoshta ishte vetëm një mënyrë për të hequr qafe kushëririn: ai njeri bibliotekash sigurisht që nuk ishte personi më i përshtatshëm për të nënshtruar barbarët që jetonin në pyjet përtej Renit.

Por Giuliano arriti të mposhtë armiqtë në Strasburg, në vitin 357. Më pas qëndroi në Gali, duke fituar miratimin e njerëzve nëpërmjet metodës më të vjetër të botës, domethënë duke ulur taksat. Në vitin 361, Costanzo ziliqar u përpoq të çarmatosë Cezarin e tij duke urdhëruar trupat e Galisë që të zhvendoseshin gjetkë. Gabim: ushtarët u rebeluan dhe Giuliano marshoi bashkë me ta drejt Kostandinopojës.

Nukpati larje hesapesh mes kushërinjve, por vetëm sepse para tyre mbërriti natyra: kur rebelët ndodheshin tashmë në Serbinë e sotme, Costanzo vdiq nga një grip. Kështu, falë një virusi, Giuliano u bë perandor. Hakmarrje pati shumë pak dhe ato u kufizuan vetëm tek dinjitarët më të ekspozuar të Costanzos. Për njerëzit, Femohuesi pati fjalë qetësuese: shumë shpejt, një “urdhër tolerance” shpallte se të gjithë kultet ishin të barabartë para shtetit. Por ndërkohë që në oborr jepeshin garanci, populli pagan, që kish hequr shumë në kohën e Costanzos, mezi priste të merrte revanshin. Viktima më e famshme e asaj klime ishte Giorgio, peshkop i Aleksandrisë së Egjiptit, që urrehej nga shumëkush pasi konsiderohej një spiun i Costanzos. Ammiano Marcellino rrëfen se pas kurorëzimit të Femohuesit “turma, e mbërthyer nga një histeri e tmerrshme, lëvizi kundër tij, e shtriu përtokë dhe duke e shkelur e masakroi me mjete të ndryshëm, duke e tërhequr nga këmbët në drejtime të kundërt”. Pas linçimit të këtrij dhe disa udhëheqësve të tjerë kristianë “kufomat e shqyera dhe hipura mbi gamilje u dërguan në plazh dhe u dogjën, më pas hiri përfundoi në det”. Kundër fajtorëve të masakrës së Aleksandrisë, Giuliano firmosi disa dënime me vdekje, që megjithatë nuk u ekzekutuan kurrë. Zbatim të menjëhershëm gjeti në fakt një tjetër sentencë, që lidhet me një episod të tetorit 362 në Dafne, periferi i Antiokisë së Sirisë, ku bashkëjetonin një tempull i Apollos dhe një bazilikë dedikuar San Babilas. Një natë, tempulli mori flakë; ndoshta zjarri kish ndodhur rastësisht, por të shumtë ishin ata që bënë fajtorë kristianët. Dhe Giuliano mbylli bazilikën.

Por nëse Giuliano mori nofkën e Femohuesit, nuk ndodhi as për masakrën e Aleksandrisë as për sanksionet e Dafne, se sa për politikën e tij, përfshirë edhe “urdhërin e tolerancës”. Përtej dukjes, dekreti penalizonte të krishterët, duke u hequr privilegjet që u ishin dhënë nga Konstantini e këtej. Kisha ishte e detyruar të rikthente pasuritë e uzurpuara; në Fenisia (Liban) duhej të paguante dëmet ndaj një tempulli pagan; në Jeruzalem lindi një kantier “provokues” për të rindërtuar tempullin historik hebraik fundin e të cilit e kish parathënë vetë Jezusi. Ka edhe më: flijimet pagane, faktikisht të ndaluar, falë “tolerancës” u lartësuan sërish aq sa në Antioki thuhej se gjedhët po shkonin drejt zhdukjes.

Ndërkohë, gjithmonë në emër të par condicio-s mes kulteve, arianët (dikur të privilegjuar) duhej të hapnin vend në kisha dhe altarë, me gjithë grindjet e rastit. Pra, urdhëri vinte njërin kundër tjetrit, besnikët e Jezusit: “Nuk ka kafshë më të rrezikshme për njerëzit se sa janë të krishterët që u kundërvihen bashkëbesimtarëve të tyre”, thoshte me sarkazëm Ammiano Marcellino.

Gjëja që e zemëroi më shumë San Gregorion dhe të tijtë ishte një reformë e shkollës së lartë, që Giuliano e nisi në 362. Të krishterët e panë si një censurë ndaj tyre. Dhe në fakt ishte: një qarkore e perandorit saktësonte që nga mësimi i teksteve klasikë përjashtoheshin jopaganët, duke qenë se nuk ishin në gjendje t’i vlerësonin. Ishte e rëndë: edhe Ammiano e quajti “akt tiranik”. E megjithatë, nje persekutim i vërtetë i kristianëve nuk ndodhi asnjëherë, për shkak të një llogaritjeje të saktë: “Giuliano” shpjegonte në vitet tridhjetë Goffredo Coppola, studiues i rëndësishëm i Femohuesit: “e kuptoi që ishte rrezik t’i dhuronte martirë të rinj kristianizmit”. Pra jo gjakderdhje, por një veprim më i butë, me synimin që t’i largonte nga pushteti.

Ajo përpjekje e fundit pagane për të ndalur kristianizmin u hodh në erë nga një tërmet dhe nga një shtizë. Tërmeti shkatërroi në vitin 362 kantierin në Jeruzalem. Shigjeta përshkoi gjoksin e Femohuesit në qershor 363 gjatë një beteje me persët. Kush e lëshoi shigjetën, nuk dihet. Edhe San Gregorio hodhi dyshimin që ka qenë një romak, ndoshta i krishterë. Legjenda thotë që në momentet e fundit të jetës Giuliano thirri, sikur i drejtohej Jezusit: “Fitove, galileas”.

Focus – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button